DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Art & Culture On the Cover

Rezarta Skifteri – Shqiptarja e ‘’Milan Fashion Week‘’

Shpërndaje

Nga Fatima Gorezi

Talenti dhe vizioni për të sjellë trende dhe risi në botën e modës, për të përsosur stilin dhe shijet , duket se kanë qenë shoqëruesit e punës së Rezarta Skifterit gjithmonë . Së fundmi stilistja e njohur u përfaqësua në ‘’Milan Fashion Week’’, ku 15 dizenjo të sajat unike parakaluan në pasarelën e ndriçuar nga prozhektorët gjigandë dhe ku Rezarta për të dytin vit radhazi pati mundësinë që të shpaloste krijimtarinë e saj të veçantë ‘’alta moda’’. Në këtë rrëfim për ‘’STAR People’’ stilistja e njohur ndan me lexuesit tanë detaje nga emocionet e këtij eventi të përmasave të mëdha dhe na tregon më tepër mbi punën e saj krijuese dhe rutinën profesionale që ka qenë çelësi drejt rrugëtimit të saj të suksesit.

Java e modës në Milano është një  nga ngjarjet më të rëndësishme në fushën e stilit dhe modës. Si ndiheni që ishit pjesë e kësaj ngjarjeje dhe për faktin që jeni shqiptarja e vetme që keni marr pjesë në një event të përmasave të tilla?

Java e modës në Milano është një event shumë i rëndësishëm për të gjithë stilistët dhe dizenjatorët në botë. Është fat shumë i madh për të gjithë ata që në njëfarë mënyre arrijnë të ‘’fusin këmbët’’ në pasarelat e Milanos, apo New York-ut e Parisit.

Rezarta Skifteri – Shqiptarja e ‘’Milan Fashion Week‘’ 1

Dhe ne rastin konkret Milano është  shtëpia e modës dhe të jesh pjesë e sfilatës ku shumë njerëz të botës së modës, medias , kulturës të ndjekin dizenjot dhe krijimtarinë tënde, kjo është absolutisht shumë e rëndësishme. Për mua ishte një emocion shumë i rrallë dhe ndjehem shumë ë lumtur që mora pjesë aty për të dytin vit radhazi. Fakti që aty morën pjesë shumë dizenjatorë që shpalosën krijimtarinë e tyre, dhe ishte vetëm një stiliste shqiptare është e rëndësishme për mua . Ndihem e nderuar padyshim, absolutisht shumë e lumtur, në qiellin e shtatë. Absolutisht edhe prej mesazheve të shumta që me kanë ardhur e kam ndjerë këtë lloj satisfaksioni. Është një kënaqësi që nuk i jap dot zë ta shpreh e përshkruaj me fjalë.


Sa veshje ‘’made by Rezarta’’ parakaluan në  ‘Milano Fashion Week’? Si mund t’i përshkruani ato ? Çfarë ju frymëzoi më shumë për këtë koleksion? Sa kohë iu mori dizenjimi i veshjeve dhe çfarë teme përmbante koleksioni juaj? 

Ky koleksion përbëhet nga 15 veshje të cilat ishin ‘alta moda’ dhe imazhi që unë kam dashur të jap tek këto veshje është ai i një femre sensuale, të rafinuar, me karakter të fortë. Dhe nën efektin e veshjeve ‘’shoh-nuk shoh’’ jepet imazhi i femrës që tenton t’i duket diçka nga hiret e saj, por nuk i duket asgjë.Kjo e bën më  intriguese, ndjellëse dhe tërheqëse për syrin e atyre që e shikojnë. Veshjet e këtij sezoni janë të gjitha me shkëlqim dhe xixëllim, me shumë efekt vaji dhe efekt gurësh. Janë punuar me materiale rrjetë, me materiale tyl transparent, tyl të zi transparent. Këto veshje janë punuar me elementë të puplave, të amplikave , të gurëve zvarovski, të balinave, të gurëve të xhamit. Pra ka qenë një punë shumë e gjatë, ku për çdo veshje është dashur minimumi 10 ditë deri në dy javë. Çdo fustan ka qenë i punuar me punë me dorë dhe koleksioni është realizuar në 15 veshje dhe tre gama koloresh që ishte ngjyra  e argjendit, goldit dhe ngjyra e zezë. Këtë sezon nuk kanë ardhur vetëm fustanet e gjata, por kanë ardhur edhe fustanet e shkurtër, pak sipër gjurit, në efektin e kupolës, pra të hapura në formë kupole. Ajo që dua të shtoj sa i përket pjesës së koleksionit është se këto fustane duken sikur kanë shumë elementë: shumë gurë, amplika, tyl, xixë etj, por në fund mbasi e shikojmë fustanin të mbyllur dhe të veshur në modele duket që fustanet janë shumë të shtrira dhe ka një shkrirje perfektë mes elementëve përbërës. Pra nuk janë të ekzagjëruara.

Rezarta Skifteri – Shqiptarja e ‘’Milan Fashion Week‘’ 2

 

Sigurisht jetojmë në një botë globale, ku hera-herës është e vështirë të dallohemi nga njëri-tjetri, aq më tepër në art e fashion. Në veshjet tuaja kishte ndonjë element shqiptar ?

Në koleksionin tim nuk kishte elementë shqiptar sepse nuk bëhet fjalë për një koleksion me elementë folklorik apo elementë të kostumeve popullorë. ‘’Milan Fashion Week’’ është  një sfilatë ku secili dizenjator dhe stilist shpalos krijimtarinë e tij të momentit, atë çfarë ai do të japë si koleksion i vitit 2020, kështu që veshjet ishin ideuar totalisht për veshje mbrëmjeje, sesi Rezarta Skifteri e shikon  femrën të veshur me një veshje mbrëmjeje për koleksionin 2020. 

A i përmbushi eventi pritshmëritë tuaja ?Krijuat kontakte, morët oferta?

Eventi realisht i përmbushi të gjitha pritshmëritë e mia, biles i tejkaloi, pasi nuk e prisja të ishte kaq i madh, gjigand. U ndjeva shumë mirë padyshim, nga njerëzit që më rrethonin, nga mënyra sesi ata të prisnin, si kujdeseshin për ty dhe punimet  e tua dhe se sa vlerë i jepnin punës tende. U ndjeva shumë e vlerësuar nga publiku që ka duartrokitur gjatë gjithë kohës, edhe gjatë sfilatës, edhe gjatë momenteve të daljes sime. U ndjeva e vlerësuar nga mënyra sesi drejtuesja më bëri pyetjet dhe nga ajo që unë i kisha lënë impresion asaj dhe njerëzve nëpërmjet koleksionit tim. Më pas kur shumë njerëz më kontaktonin, bënin foto me mua, edhe pse unë jam e njohur në Shqipëri , jo në Milano. Ata kërkonin të bënin foto ndërkohë që me një pjesë të mirë të tyre arritëm të lidhnin kontakte për bashkëpunime pune dhe të shpresojmë që gjërat të ecin për mbarë në të ardhmen.

Pas ‘’Milan Fashion Week’’, cila është rutina e Rezartës?

Në këtë moment që po jap intervistën, jam duke dizenjuar për koleksionin e dyqanit tim ” Fashion Gallery”, është dyqani tjetër që unë kam dhe po punoj për koleksionin e ri se shumë shpejt vjen sezoni dhe vajzat duan të shikojnë se cilat janë prurjet e reja të ateliesë sime.

Jemi pothuajse në përmbyllje të këtij viti. Si ka qenë bilanci i Rezartës për këtë vit? Cili ka qenë momenti më i gëzuar i vitit?

Bilanci i këtij viti ka qenë shumë pozitiv. Ende nuk është mbyllur plotësisht sepse do edhe dy muaj. Ka goxha kërkesa dhe  është një punë kulminante në dhjetor. Puna e këtij sezoni ka qenë shumë e bukur, frymëzuese, me shumë mesazhe të ardhur nga klientë të ndryshëm pas mbylljes së eventeve qe mund të kenë pasur, dasma, fejesa, ditëlindje, evente zyrtare etj…dhe ky është satisfaksioni që merr çdo ditë nga puna jote. Ky vit ka qenë shumë i bukur, ndër gjerat e veçanta ishte patjetër edhe ‘’Milan Fashion Week’’

E quan veten njeri me fat Rezarta?

Për sa i përket anës profesionale unë mendoj se fatin e kam krijuar vetë, nuk më është shtruar rruga, por e kam shtruar vetë. Okazione më janë dhënë shumë, por jam munduar të marr dhe përthith ato që më kanë vlejtur mua, kështu që edhe fakti që u thërrita në ‘’Milano Fashion Week’’, as nuk e dija dhe nuk i njohja kush ishin, as nuk më rregulloi dikush të hyja aty. I kanë rënë telefonit, kanë parë punimet, dizenjot e mia dhe kërkuan të isha pjesë pikërisht prej punës që ata kishin parë dhe kishin pëlqyer. Kështu që dhe çdo gjë tjetër në jetë e kam sepse e kam krijuar përmes punës. Kështu që fatin unë besoj se ne e krijojmë. Nëse jemi të zotët të punojmë dhe kemi besim tek vetja, them se fati krijohet. Një njeri i suksesshëm ecën kur ka talent dhe kur ka besim në veten e tij. Sigurisht edhe fati ka rëndësi, pra të sjell një mundësi. Dhe nëse dikush ka besim në vetvete e punon për këtë mundësi, gjerat atëherë ecin mbarë, realizohen.

Rezarta Skifteri – Shqiptarja e ‘’Milan Fashion Week‘’ 3

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *