DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Lifestyle Star Inspiration

Forbes: Shtetet që përballuan më mirë Covid-19 kanë Udheheqëse Gra

Shpërndaje

Në jetën e një shteti krizat janë momentet që evidentojnë më së shumti  qeveritë, drejtuesit dhe liderët e suksesshëm. Mënyra se si një lider apo drejtues zgjedh t’i përgjigjet një krize tregon shumë për karrierën e tij politike, forcën, vizionin dhe lidershipin. Pandemia e COVID-19 duket se është një rast i tillë, që ka testuar dhe po teston çdo qeveri e shtet. Prestigjiozja ‘’ Forbes’’ ka shkruar një artikull që sjell në vëmendje si është menaxhuar situata në vendet ku udhëheqëset janë gra.

Po kërkoni shembuj të udhëheqjes së vërtetë në një krizë? Nga Islanda në Tajvan dhe nga Gjermania në Zelandën e Re, gratë po i tregojnë botës se si duhet menaxhuar një situatë e paprecedentë për njerëzimin. Në Finlandë, Islandë dhe Danimarkë kjo pandemi është duke zbuluar që gratë kanë pikërisht atë që duhet  në momentet e vështira dhe decizive të shtetit. Shumë do të thonë se këto janë vende të vogla, ose ishuj, ose gjëra të tilla. Por Gjermania është e madhe dhe qendron në krye të menaxhimit të situatës. Edhe Mbretëria e Bashkuar është një ishull, por me rezultate krejt të ndryshme. Këto gra udhëheqës duket po na dhurojnë një mënyrë alternative tërheqëse  sesi fitohet pushtet e fuqi. Çfarë po na mësojnë?

Angela Merkel, Kancelarja e Gjermanisë, i foli popullit që në fillim të krizës dhe tha me qetësi se ky virus do të infektojë 70% prej tyre. “Është serioze,” tha ajo. “Merreni seriozisht. Ngaqë ajo e mori situatën seriozisht, ashtu e morën edhe qytetarët. Gjermania i shmangu fazat e mohimit, inatit dhe paqartësisë që kaluan shtetet e tjera. Shifrat që po përjeton Gjermania janë ndjeshëm më të ulëta se të fqinjëve dhe sipas shenjave, do të jetë e para që do të nisë të zbusë masat e kufizimit.

Tsai Ing-wen, liderja e Tajvanit, ishte ndër të parat që reagoi ndaj virusit. Në janar, kur sëmundja sapo kishte filluar të përhapej, ajo njoftoi vendosjen e 124 masave për të parandaluar infektimin dhe izolimin që u kthye në normalitet tjetërkund. Tani, ajo po dërgon 10 milionë maska në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë. Ing-wen ia doli të reagonte ashtu si duhej dhe Tajvani regjistroi vetëm gjashtë të vdekur.

Jacinda Ardern e Zelandës së Re kufizoi lëvizjen që në fillim dhe u tregua mëse e qartë për sa i përket nivelit të emergjencës. Ajo i urdhëroi vizitorët të futeshin në karantinë para se të kthehej në normë për të tjerët dhe pak kohë më vonë, ndaloi hyrjen e të huajve. Deri në mes të prillit, janë regjistruar vetëm katër të vdekur dhe teksa shtetet e tjera po pakësojnë masat, Ardern po i shton duke detyruar gjithë zelandezët që kthehen në atdhe të vetëkarantinohen për 14 ditë.

Islanda, nën drejtimin e kryeministres Katrín Jakobsdóttir, ofron analiza falas për të gjithë qytetarët dhe do të jenë të parët që analizojnë përhapjen dhe fatalitetin e virusit. Shumica e shteteve testojnë vetëm personat që shfaqin simptoma. Islanda po i teston të gjithë. Në raport me popullsinë, ishulli ka testuar pesë herë më shumë njerëz se Korea e Jugut dhe ka implementuar një sistem gjurmimi që nuk kërkon mbylljen e bizneseve apo shkollave.

Sanna Marin u bë kreu më i ri i shtetit në botë kur u zgjodh dhjetorin e kaluar në  krye të qeverisë së Finlandës. Ajo po përdor influencuesit në mediat sociale si agjentë kryesorë në luftimin e krizës së koronavirusit. Duke pranuar që jo të gjithë lexojnë shtypin, ata po ftojnë influencues të çdo moshe të përhapin informacione të bazuara në fakte mbi administrimin e pandemisë.

Kryeministrja e Norvegjisë, Erna Solberg, kishte idenë inovative të përdorimit të televizionit për të biseduar drejtpërdrejt me fëmijët e vendit të saj. Solberg zhvilloi një konferencë të dedikuar për shtyp, ku asnjë i rritur nuk lejohej. Ajo iu përgjigj pyetjeve të fëmijëve nga i gjithë vendi, duke marrë kohë për të shpjeguar pse ishte mirë të ndjehesh i frikësuar. Origjinaliteti dhe dukshmëria e idesë  pati reagime pozitive.

Në përgjithësi, empatia dhe kujdesi qw kemi dëgjuar  nw ligjërimin poitik tw kwtyre udhëheqëse femra duket se vijnë nga një univers alternativ nga ai që jemi mësuar. Duket sikur krahët e tyre po dalin nga videot e tyre për t’ju mbajtur afër me një përqafim të ndjerë në zemër dhe të dashur. Kush e dinte se liderët mund të ishin edhe kështu? Tani e dimë.

Tani, krahasoni këto drejtuese dhe histori me ‘njerëzit e fortë ‘ që përdorin krizën për të rritur autotarizmin e tyre?

Ka pasur vite studimesh duke sugjeruar me kohë që stilet e lidershipit të grave mund të jenë të ndryshme dhe të dobishme. Përkundrazi, shumë organizata dhe kompani politike ende po punojnë për t’i detyruar gratë të sillen më shumë si burra nëse duan të udhëheqin ose të kenë sukses. Sidoqoftë, këto udhëheqëse kombesh e shtetesh janë raste për studim të lidershipit që burrat mund të duan të mësojnë nga gratë.

Është koha që ta njohim – dhe të zgjedhim sa më shumë modele të tilla udhëheqjeje./ Star People 

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *