DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Kendi i Filmit dhe Letërsisë

23 prilli, Dita Ndërkombëtare e Librit dhe e së Drejtës së Autorit

Shpërndaje

Sot në të gjithë botën celebrohet Dita Ndërkombëtare e Librit dhe e së Drejtës së Autorit.

E caktuar në nderim të ditës së ndarjes nga jeta të dy gjenive të letërsisë, Shekspirit dhe Servantesit, 23 prilli celebrohet si dita në mbështetje të krijimtarisë origjinale dhe autentike.

Kjo datë është një ngjarje vjetore e organizuar nga Organizata Arsimore, Shkencore dhe Kulturore e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) për të promovuar leximin, botimin dhe të drejtat e autorit. Dita e Parë Botërore e Librit u festua në 23 Prill në 1995, dhe që prej asaj dite historike vazhdon të celebrohet çdo vit njëlloj.

Edhe Akademia Shqiptare e Shkencave e ka përkujtuar rwndwsinw e kësaj dite teksa nw faqen e saj zyrtare shkruan :

Kryesia e Akademisë së Shkencave uron sot, në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të së Drejtës së Autorit, gjithë njerëzit e punës mendore, të gjithë ata që kanë privilegjin e lartë të autorësisë, privilegjin e shenjtë të krijuesit dhe krijimtarisë.

Kjo ditë, që u caktua në nderim të ditës së ndarjes nga jeta të dy gjenive të letërsisë, Shekspirit dhe Servantesit, sot në gjithë Botën festohet si dita e Shën Librit, dita e veprave dhe botimeve, dita e studiuesve dhe e shkrimtarëve, dita e projektuesve dhe e vlerave origjinale krijuese.

Akademia e Shkencave  uron njëherësh të gjithë ata që e duan leximin, që i shijojnë kumtet e shkruara, që prej papirusit deri tek e-Book, që prej dorëshkrimit deri tek teleshkrimi. Autori, libri dhe lexuesi janë një trini e pandashme, që bën të ekzistojë krijimtaria. Kjo është gjithashtu edhe dita e së drejtës morale e materiale që autorët dhe krijuesit duhet të gëzojnë si shpërblim për punën e tyre intelektuale, aq problematike në kohët e sotme.

Në ditën e pranimit në Akademinë e Shkencave Morale dhe Politike të Francës akad. Ismail Kadare pati thënë: “Vepra ime është shkruar në kushte burgu. Nëse kjo “bukë burgu” është e shijshme për ju që keni jetuar dhe jetoni në liri, për mua kjo është një kënaqësi e madhe”.

Le të na kujtojë kjo thënie e shkrimtarit dhe akademikut tonë sa e sa vepra janë shkruar në kushte izolimi, deportimi, karantine; në kushte të mungesës së lirisë, që këto javë pandemie të nxisin autorësinë për krijime e studime të reja. 

Sot, sipas programit të Akademisë së Shkencave dhe protokollit të bashkëpunimit me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në mjediset tona duhej të hapej një ekspozitë e librit akademik. Veprat më cilësore të anëtarëve të dy akademive dhe të bashkëpunëtorëve të tyre do të paraqiteshin për një publik të interesuar. Shprehim keqardhjen që, për shkak të pandemisë, këtë kënaqësi do ta kemi në një datë tjetër.

Mendja e Njerëzimit sot është impenjuar për të gjetur zgjidhjen e përballimit dhe zmbrapjes përfundimtare të pandemisë. Sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më e afërt do të jetë koha që libri, autorët dhe autorësia të gëzojnë, si në kuptimin e ditës së sotme, Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe të së Drejtës së Autorit.

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *