DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

On the Cover

Manjola Nallbani: Rrefimi i Dives

Shpërndaje

Nga Fatima Gorezi

Kur mendojmë për madhështinë dhe këngëtarët që u rezistojnë kohërave dhe epokave, padyshim ndër tanët ndërmendim fuqishëm edhe Manjola Nallbanin. Me më shumë se 30 vjet në skenën muzikore shqiptare, Manjola ka dëshmuar se është një diva e vërtetë , me bume artistike të publikut dhe kritikës. Dashamirësit e kanë dashur, pëlqyer, përqafuar jo vetëm për  muzikën , por edhe për personalitetin e spikatur. 3 dekada në skenë , më shumë në skenë sesa vite jete mbi supe duket se e kanë shënjuar jetën e saj në çdo hap.

Elegante në shije dhe veshje, e gatshme kurdoherë  për veten, miqtë e këdo tjetër që ka në jetën e saj, ajo është thuajse e kudogjendur kur bëhet fjalë për art dhe muzikë të mirë.

Nënë e dy vajzave, bashkëshorte e përkushtuar, Manjola rrëfen se sa e rëndësishme ka qenë dhe është për të familja. Duket se janë aq bashkë e të bashkuar sa vetëm në një rrëfim jete dhe zemre si ky mund të arrihet të kuptohet se çdo të thotë  që një familje të jenë bashkë në gjithçkanë e tyre. Teksa e takojmë Manjolën që në shikim të parë është e qartë se ajo është një grua me vetëbesim të lartë, por përkundër gjithë arritjeve profesionale ajo tregon modesti, flet ëmbël dhe me shumë maturi, dhe përgjatë bisedës vërehet edhe një dozë e vogël e të qenurit timide. Mendoj se bëhet fjalë për atë dozë timiditeti që e karakterizon çdo grua…çdo grua që gjithçka e ka arritur vetë. Flet me pasion për punën e saj, po aq sa për profesionin, për ndryshimet që sjell koha,  për njerëzit, për idetë, projektet. E mirëorientuar në ato çka i vendos vetes të arrijë, por edhe e vetëdijshme se ‘’atelieja’’ e artistit është një botë plot kurthe, joshëse  e tinëzare që kërkojnë të të marrin vëmendjen  nga të gjitha anët, por ajo është e qartë, e kthjellët dhe e vendosur në atë raportin me veten, publikun, familjen ,thirrjen e kohës dhe lënien e gjurmës në ato çka bën.

Manjola, ju para pak muajsh erdhët përpara publikut me një koncert recital: ‘’Jetë me ju’’. Pse pikërisht ky togfjalësh? Sa vite numëroni në skenë dhe si kanë qenë këto vite…? Si ka qenë kjo jetë mes duartrokitjesh?

E titullova koncertin “ Jetë me ju” sepse e tillë ka qenë jeta ime profesionale! E lidhur me publikun,  me njerëzit. Shumë nga  këngët e koncertit kanë qenë jo vetëm pjesë e repertorit tim, por dhe pjesë e emocioneve të njerëzve në momente të ndryshme të jetës së tyre. Këtë e tregoi dhe fakti që këndonin bashkë me mua! Ne jemi rritur me njëri- tjetrin. Unë duke ju dhënë emocione përmes zërit të shpirtit tim e publiku duke më dhënë dashuri në skenë e në jetë! Pikërisht për këtë arsye unë besoj se të jesh artist je i bekuar jo vetëm se ushqen shpirtin e njerëzve, po në të njëjtën kohë unë besoj se ushqen dhe shpirtin tënd. Nuk ka qenë e lehtë gjithë ky organizim sepse jetojmë në një vend ku për fat të keq problemet nuk mbarojnë kurrë dhe na prekin njësoj të gjithëve. Recitali ishte i gjithi live nën shoqërimin e band-it të drejtuar nga Elton Deda dhe unë këndova , prezantova dhe isha edhe producentë vetë. Kryesorja është që koncerti doli me sukses dhe është një punë që mbetet gjatë.

Manjola Nallbani: Rrefimi i Dives 1Sa e ka parapërcaktuar apo përcaktuar karriera jetën tuaj…dua të them aspektet e tjera të jetës, përtej muzikës?

Që e vogël doja të bëhesha artiste ose mjeke. Po e lumtur ndihesha kur interpretoja në skenë! Besoj që dhe pse u bëra e njohur që 16-17 vjeç, nuk lejova që karriera të më ndryshonte si njeri e as që për hir të saj të beja çdo gjë! Meqenëse kam krijuar dhe familjen në moshë shumë të re, kam qenë e kujdesshme që karriera mos jetë qëllimi primar dhe nga pasion të më kthehej në ambicie të sëmurë, përndryshe nuk do kisha sot jetën familjare që kam. Natyrisht arti nuk bëhet vetëm për emër, po si çdo punë tjetër të siguron jetesën! Gjithsesi besoj se është zgjedhje e secilit se kujt duhet t’i japi prioritet në jetë!

30 vjet janë një kohë shumë e gjatë. Cili është raporti që ruani sot me publikun, fansat, dashamirësit?

Raport shumë të mirë. Mbi të gjitha kam një publik sidomos të brezit tim që më do prej shumë vitesh! Këtë e tregoi dhe interesi i publikut  jo vetëm për koncertin e fundit, po dhe në koncertet e tjera që i kam dhënë kudo ku jetojnë shqiptarë; në Europë ,Amerikë etj.

Çfarë ju ka mbajtur gjithmonë kaq të lidhur pas shijes, stilit dhe rrymave pothuajse të njëjta në çdo këngë tuajën? 

Besoj që si në jetë dhe në art njeriu duhet të krijojë një brand të vetin! Të këtë tiparet dalluese me të cilat identifikohet….dhe je ti ,e askush tjetër. Si në pamje, veshje, sjellje, mënyrën e stilin e të jetuarit e sigurisht dhe në stilin e të kënduarit dhe muzikës që bën. Unë ne fakt i kam pasur shumë të ndryshme gjinitë e muzikës që kam bërë,  por jo rrymat.

Kur shikon që disa këngëtarë që nuk kanë kënduar kurrë live, fitojnë më shumë klikime, para e famë çfarë mendoni? 

Thjesht mendoj që sa kohë që ju funksionon kjo,  kanë lindur në vendin e duhur! Por varet se sa kohë të mban kjo lloj karriere! Plus që nuk kam ndjerë mungesë të publikut, as të koncerteve e as të parave nga puna ime. Ka publik për opera, rock, pop,folk, tallava. Varet kujt zgjedh t’i pëlqesh.

Cili ka qenë këshilluesi juaj më i mirë për karrierën? Dua të them personi që ju ka influencuar më së shumti që ju te ishit ajo që jeni sot?

Nuk është një njeri i vetëm. Përgjithësisht unë i marr shumë mendime njerëzve të mi të familjes. Sokolit për gjera më serioze, ndërsa vajzave për gjera të ndryshme dhe pjesën profesionale. I besoj shijes së tyre. Plus dua të di shijen e brezave të ndryshëm.

Ndonjëherë në këtë jetën moderne që lëviz me ritme shumë të shpejta duket sikur fokusi ynë është e ardhmja dhe e harrojmë të shkuarën . Çfarë është e shkuara për ju? Si e kujtoni fëmijërinë tuaj ?Mund të ndani me ne disa detaje nga Manjola fëmijë apo Manjola adoleshente…?

Fëmijëri normale. Kam qenë deri 8 vjeç fëmije i vetëm dhe jetoja me prindërit dhe gjyshin( nga babi).Pastaj lindi vëllai për të cilin kisha jo vetëm dashuri motre, por dhe një lloj kujdesi meqë isha më e madhe. Jam  rritur me dashuri nga prindërit dhe u mësuam të japim dashuri për njeri-tjetrin jo vetëm në familje, po dhe në shoqëri! Me vajtje-ardhje tek të afërmit dhe kushërirat që i kisha të një moshe. Luaja nëpër oborre pallati. Si në fillore, shkollë të mesme apo të lartë unë kam pasur shoqe me të cilat dhe sot duhemi njësoj, po sidomos kënaqemi me shpirt për çdo gjë të mirë në jetën e njëra-tjetrës. Pastaj kishim dhe privime që vinin për shumë arsye, sidomos nga rregullat shoqërore të sistemit të kohës, po shpesh dhe liria pa fre më duket njësoj e dëmshme ( për moshën që flasim, jo për të rritur)!

Si është një ditë e zakonshme e Manjolës sot ?

Dita ime nis me ritet e zakonshme të mëngjesit! Telefonata e parë është me Megin në Londër! Pastaj bëhem gati për në punë ( në ditët që kam mësim) e nëse nuk kam ,kryej punë të aktivitetit privat ose pi ndonjë kafe me shoqe ose  shkoj tek mami. Drekën e hamë bashkë në shtëpi përgjithësisht. Mbasdite kemi një rit me Sindin, që shohim një film në shtëpi ose kur dalin ne kinema. Skype në darkë .(Qesh, duke nënkuptuar prapë telefonatë të gjatë me vajzën e madhe, Megin). Në gjithë këtë periudhë të ngarkuar pune për mua, Sindin e marr me vete kudo. Kështu bëja dhe me Megin.

Manjola Nallbani: Rrefimi i Dives 2Cili është motivi që ju mban kaq të lidhur ngushtësisht me Akademinë e Arteve?

Thjesht pasioni! Pastaj Akademinë unë e konsideroj një shkolle jo vetëm ku ti jep dijet dhe eksperiencën tende, po të detyron puna të studiosh dhe punosh dhe vetë vazhdimisht për të qenë në kohë me informacion dhe praktikë. Plus që kur rrethohesh me studentë e punon në të njëjtën shkollë ku ke qenë dhe vetë, të duket  sikur mbetet koha në vend.( Buzëqesh)

Cili është raporti që keni me studentët? Cilat janë këshillat më të shpeshta që u jepni?

Varet sipas studentit! Dikush e bën veten ta respektosh e ta mbash afër e dikush jo. Unë punoj njësoj me të njëjtin përkushtim me të tërë. Ju them vazhdimisht që ky është një profesion qe do jo vetëm zë, po sidomos shumë punë e pasion e të jesh e mençur e të kuptosh çfarë do kjo kohë apo si mund të depërtosh në këtë treg  muzikor të vogël e të vështirë! Po për fat për talentet e vërtetë ka alternativa dhe në botë.

A ka ende Manjola si këngëtare, si njeri, një ëndërr të parealizuar ? 

Unë çdo ditë të jetës sime u përpoqa të realizoj ëndrrat që pata që fëmijë! Sigurisht ëndrrat, njeriun e shoqërojnë gjithë jetën po mendoj se  është e rëndësishme të jesh mirënjohëse edhe për çastin që jeton e të kënaqesh për çdo gjë që arrin dhe e ke mirë në jetë! Ta vlerësosh! Ëndrra dhe lutja ime e çdo momenti është të kem vajzat e familjen mirë!

Manjola Nallbani: Rrefimi i Dives 3Duket sikur ka një “trend” te ikjes së shumë artistëve nga Shqipëria. A e keni menduar ndonjëherë të largoheni ? 

Trend i ikjes nuk është sot! Ka qenë gjithmonë. Sigurisht që e kam çuar në mend në fillim të karrierës, pastaj krijova familje dhe nuk diskutohej më. Më vonë në 97’’, pastaj në situata të ndryshme ku ti para vetes mendon për fëmijët a i ke të sigurt e a rriten të qetë! Po një nga arsyet është që artisti nuk merr kurrë maksimumin e vlerësimit përveçse kur ia jep dhe ndonjë “ i jashtëm” . (Qesh) Ndjenjë  inferioriteti e përhershme! Gjithsesi më e mira do kishte qenë mos të kishim arsye ta kishim asnjëherë këtë dëshirë se realisht si vendi yt nuk ka!

Si e mendoni veten në të ardhmen ? Duket sikur për artistët nuk ka një limit për karrierën. Ata janë të gjithëkohshëm dhe universalë.

Gjysma e pyetjes tuaj besoj që ishte përgjigjja më e mirë! Steve Jobs ka thënë: ‘’Nëse arrin të emocionosh shpirtrat e njerëzve, ke thyer kufijtë.’’ Të ardhmen nuk kam naivitetin ta parashikoj, se e kam të qartë sa e pafuqishme jam për të parashikuar qoftë dhe çastin që vjen, po besoj që do zgjasë derisa mua të më këndojë zëri e shpirti, po sidomos sa kohë të ketë njerëz që duan ta dëgjojnë e të emocionohen prej tij.

 

*Kjo intervistë është realizuar për botimin Korrik-Gusht 2019 të revistës ‘Star People’

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *