DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Kendi i Filmit dhe Letërsisë

‘’Para teje ndal mendimi im…’’ – 3 poezi të Dritëro Agollit që do t’i adhurojë çdo grua

Shpërndaje

Kritik ndaj frymës tradicionaliste dhe patriotizmit retorik, Dritero Agolli solli në poezi ndjeshmëri e figuracion të ri, duke e përtërirë sistemin e  poezisë shqipe. Ai është pruresi i poezisë së “unit” të fortë. Prirja për vetëpohim u duk që në vëllimin e tij të parë “Në rrugë dola” (1958). Poezia e Dritero Agollit nuk e ndan të përgjithshmen nga vetjakja, bën sintezën e kolektives me individualen. Dritero Agolli ruajti prej vlerave më të arrira të poezisë së traditës – frymën popullore, por ai solli një stil të ri vjeshtërimi duke metuar risinë. Agolli i shkroi edhe dashurisë, duke lartësuar në vargjet e tij figurën e gruas, por edhe burrit, si bashkimi i dy të kundërtave të ngjashme.

1. I PËRNDJEKURI I DASHURISË

Unë jam i burgosuri yt,

Rroj me prangat që ti m’i ke vënë,

Po çudi, as qelia s’më mbyt

Dhe s’më mbyt as dritarja e zënë.

 

Kur ti prangat m’i hodhe në mish,

Unë i putha duart e tua,

Është rast i pashëmbullt ta dish,

Që xhelatin ta puth e ta dua!

 

I përndjekuri yt erotik,

I përndjekur të mbetet gjithmonë!

Erotik i mirë a i lig,

Hidhmi duart në fyt, torturomë!

 

Ky burgim sa do zgjasë s’e di:

I përjetshëm do kisha dëshirë,

Veç ti eja më shpesh në qeli,

Të përndjekurit tënd i vjen mirë…

 

2.GRATË PËR MUA

Kam dashur çdo grua pa masë,
Në rrugë, në dhomë e kuzhinë,
Madje dhe lart në tarracë,
Ku ndejnë rroba e fshijnë.

Në zënka s’kam sharë asnjë grua,
S’kam shkruar keq në asnjë fletë.
Do vdes.
Do flasin gratë për mua:
“Ky ishte poet i vërtetë”.

 

3.DASHURI E VËSHTIRË

Ti në kanape tani dremit

Ndofta gjumi ende s’të ka zënë,

Abazhuri mbi qerpikë ndrit

Libri nga gishtërinjtë të ka rënë.

 

Para teje ndal mendimi im:

Jemi dashuruar edhe share

Jemi ndarë shpesh në udhëtim,

Por drejt njeri-tjetrit kemi ngarë.

 

Dhoma hesht e rruga larg gjëmon

Ti sheh ëndrra kaltëroshe shumë

Unë, ndonëse pi dhe mogadon,

 

Mezi fle, se jam njeri pa gjumë.

Të kam pasur ëndërr çast e orë,

Ëndërr të trishtuar dhe të mire

Po të jem vërtetë një Pitagorë

Ti je teorema më e vështirë…

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *