DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Art & Culture Lifestyle Showbiz

Mes pasionit dhe sfidave, Anjeza Dyrmishi rrëfen rrugëtimin që e bëri fotografe

Shpërndaje

Nga Fatima Gorezi

Sukseset e Anjeza Dyrmishit, fotografes së njohur shqiptare, janë të njëpasnjëshme, teksa e ka shndërruar në art punën e saj, duke sjell një stil unik të fotografisë. Ngjyrat, energjia, stili, eleganca, mendimi, ndjesia e së bukurës, shpirti i thellë artistik duket se janë fjalët që të vijnë ndërmend ndërsa shikon galerinë e fotografive të shkrepura nga dora e saj.
Në këtë intervistë për STAR PEOPLE ju ftojmë të lexoni Anjezën që flet për të bukurën, artin e saj dhe momente të rëndësishme që i kanë shenjuar jetën dhe karrierën, si domethënie ekzistenciale të një njeriu i cili botën e ka parë prej dritares së mrekullueshme të aparatit fotografik, nga ku duket se buron gjithë energjia dhe motivimi i saj.

Anjeza, ju keni punuar disa sektorë të fotografisë profesionale duke promovuar  fushata  për markat globale. Puna  juaj është stamposur në faqet e para në mjaft revista. Kur ktheheni pas, si e kujtoni nisjen ?

Historia ime me fotografinë ka filluar që në një moshë të vogël. Gjithmonë ka qenë një pasion i madh i imi. Nisja është gjithmonë e vështirë. Edhe unë kur kthehem pas në kohë e kujtoj me shumë emocion po njëkohësisht më vijnë në mendje dhe peripecitë e fillimit. Duhet një punë shumë e madhe që të arrish të krijosh emrin tënd. Nuk mjafton vetëm talenti që është dhuratë nga natyra, por duhet dhe një punë e këmbëngulje shumë e madhe. Kështu i kujtoj gjithmonë fillimet e mia, shume punë dhe ambicie, të cilat më shoqërojnë dhe sot.

Cilat janë sfidat më të vështira që keni hasur gjatë gjithë këtyre viteve rrugëtim profesional?

Një ndër vështirësitë e para që kam hasur është krijimi i besimit te njerëzit. Sot njerëzit njohin punën time dhe vijnë për Anjezën të bindur në zgjedhjen e tyre. Kur je i ri, ata nuk e njohin talentin dhe artin tënd, dhe kjo është një sfidë më vete për çdo artist. Vështiresitë janë të shumta, të punosh në një treg shpeshherë të paorganizuar mirë, ku çdokush amator ose jo ka mundësinë të shkrepi foto është një sfidë tjetër e ditëve të sotme. E rëndësishme për mua ështe që çdo person që vjen në studion time të dali i lumtur prej saj, më pas vështirësitë kapërcehen dhe më lehtë.

Kush ka qenë influencuesi/esja juaj më i/e madhe? A e keni pasur ju një model?

Personalisht më frymëzon çdo gjë, përditshmëria e shoqërise sonë duke përfshirë dhe detajet më të vogla. Por, sigurisht si çdo artist dhe profesionist tjetër dhe unë frymëzohem dhe inspirohem profesionalisht. Annie Leibovitz është fotografja që më ka inspiruar më së shumti. Më frymëzon personaliteti i saj i fortë si dhe fakti që dhe pse pas kaq shumë vitesh ajo e vazhdon këtë profesion me shumë pasion. Portretet që ajo realizon janë ikonike. Fotot e saj janë një shembull i artit i cili nuk vdes kurrë.

Mes pasionit dhe sfidave, Anjeza Dyrmishi rrëfen rrugëtimin që e bëri fotografe 1

Cilën do të veçonit si fotografinë më speciale tuajën, atë që mbart një histori a kujtim të veçantë për ju personalisht, emocionalisht?

Ka shumë fotografi të miat të cilat jane speciale dhe mbartin kujtime të vecanta. Cdo foto e imja më kujton një histori apo mbart nje emocion të vecantë. Jam një person tepër emocional dhe romantike, dhe kjo më rrit ndjeshmërinë ndaj gjithckaje. Unë mund të perceptojë dhe detaje që të tjerët nuk i vënë re. Nuk mund të vecoj asnjë fotografi, secila ka historinë, kujtimet dhe emocionet e saj.

Çfarë është bukuria për Anjezën ?Subjektet që bëhen pjesë e fokusit tuaj, a është kusht që duhet të jenë domosdoshmërisht të bukura fillimisht?

Sic u shpreha dhe më lart unë jam një person që frymëzohem nga çdo detaj. Bukurinë mund ta gjej kudo. Artisti gjen bukur në çdo cep. Për mua çdo gjë që fal emocion e ka ndjenjë është ë bukur. Për mua si fotografe bukuria është ndjesia që merr dhe perçon.

A e ka ndryshuar/influencuar teknologjia industrinë e fotografisë? Është ky një ndryshim pozitiv apo negativ?

Tekonologjia sigurisht që ka ndikuar si në cdo fushë tjetër të jetës. Ndikimi i saj mund të përshkruhet si negativisht ashtu dhe pozitivisht. Pëer shkak te zhvillimit të madh teknologjik që ka pësuar bota sot kemi prodhime aparatesh jashtëzakonisht cilësor të cilët e bëjnë punën tonë dhe më të bukur. Por ky zhvillimi i madh ka sjell dhe krijimin e programeve të shumta ku fotot punohen aq shumë sa humbet origjinaliteti. Unë si fotografe prirem gjithmonë të jem sa më afër natyrales dhe te vërtetës.

Ndërsa shikojmë gamën e fotografive duket se emocioni, ndjenja që përcillet nëpërmjet fotografisë është pika juaj e fortë. Sa e lehtë apo e vështirë është të depërtoni në personalitetin e personazhit, në brendinë e tij ?

Sic e kemi cekur dhe pak më parë, besoj se e kam në natyrën time që të arrije të depërtoj në brendësinë e çdo personazhi që fotografoj, arrij të shikoj dhe kap detaje që për shumë kënd janë të padukshme. Besoj kjo që ka lindur me mua por sigurisht ka ndihmuar dhe puna e profesioni që ajo të përforcohet gjithnjë e me shumë.

A është një personazh publik që ju dëshironi ta fotografoni, por ende nuk e keni bërë?

Nuk jam nga ata persona apo artist që i adhuroj njerëzit nga larg pa i njohur sepse më ka ndodhur shpesh në jetën time profesionale që të jem zhgenjyer prej tyre. E rëndësishme për mua është të fotografoj një person që është i vërtetë dhe jo fallco si disa nga personazhet publike. Prandaj, për mua ska rëndësi nëse je personazh publik ose jo, me vlerë është që të jenë të vërtetë.

Cila është ambicia më e madhe e Anjezës në jetë, si njeri dhe si fotografe ?

Këtë do ta shpreh me pak fjalë, të jem një person sa më i vertetë dhe profesionalisht sigurisht të arrij të realizoj fotografi që do ti rezistojnë gjithmonë kohës.

https://anjezadyrmishi.com/

Mes pasionit dhe sfidave, Anjeza Dyrmishi rrëfen rrugëtimin që e bëri fotografe 4

Anjeza Dyrmishi me bashkeshortin, videographer-in Endrit Bardhi https://endritbardhi.com/

 

 

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *