83-vjetori i Adriano Celentano-s, legjenda e historisë së muzikës feston sot ditëlindjen
Shpërndaje

Me një karrierë artistike plot 60 -vjeçare, Adriano Celentano është legjenda e muzikës italiane me adhurues e dashamirës në mbarë botën, ku vendin e parë pas italianeve e zënë padyshim shqiptarët.
Me mbi 70 milionë disqe të shitura, Celentano vazhdon të mbetet personazhi më i diskutuar italian, i cili është aktiv edhe me reagime e polemika mbi fenomenet sociale në Itali duke shigjetuar jo pak herë politikën e kohës.
Ditën e sotme legjenda e muzikës, ka mbushur 83-vjeç. Sipas mediave italiane, ai është në gjendje mjaft të mirë fizike, por po jeton i izoluar për shkak të pandemisë.
I pyetur një ditë më parë në një lidhje telefonike në televizonin italian nëse do ta bëjë apo jo vaksinën, nisur nga teoritë e shumta që qarkullojnë, këngëtari u shpreh i vendosur: “Unë kurrë nuk kam bërë vaksinë, por tani jam dakord ta bëj dhe Claudia gjithashtu.”
Ai mund të cilësohet si njeriu i historisë së muzikës dhe jo vetëm. Celentano, përveçse një këngëtar i njohur dhe tekstshkrues, është edhe aktor, komedian, regjisor dhe showman.
Tekstet e këngëve të tij vazhdojnë edhe sot të jenë frymëzim për kohën, për brezat dhe etapat e ndryshme nëpër të cilat duket se po kalon shoqëria moderne duke mbajtur vulën e gjithëkohësisë.