DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

On the Cover

Anuela Ristani – Të mbështesim gratë në biznes dhe sipërmarrje

Shpërndaje

Nga Fatima Gorezi

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Anuela Ristani  është një nga gratë energjike dhe të devotshme të qytetit që ka vendosur “zemrën” dhe pasionin në punën e saj.

Së fundmi, Bashkia e Tiranës së bashku me Unionin e Bashkive Shqiptare kanë ndërmarrë një nisëm për të mbështetur dhe promovuar gratë në biznes; për tu dhënë atyre mundësinë të ngrenë zërin, të flasin për veten, historinë e tyre të suksesit dhe të adresojnë sfidat.

Teksa e intervistojmë mbi këtë projekt që znj.Ristani e ka shumë përzemër, vëmë re se në asnjë moment ajo nuk e ndan apo diferencon veten nga zonjat e kryeqytetit që zgjohen çdo mëngjes dhe me fisnikëri, ndershmëri, modesti dhe përgjegjësi i japin vlerë qytetit duke bërë mirë punën e tyre; duke qenë nëna, bashkëshorte e gra të suksesshme,duke arritur rezultate, duke sjell risi dhe ndryshime në qytet, duke dhënë kontribut për shoqërinë dhe komunitetin.

Ndërsa e pyesin se cila nga gratë apo historitë e tyre të suksesit e ka ngërthyer më shumë emocionalisht, Anuela shprehet: ‘’ Në vend që të ndaj njërën do të preferoja të theksoja një tipar të përbashkët të të gjithave: integritetin. Ato nuk mburren për fitmet apo mashtrimet, për rrugët e shkurtra apo për lidhjet personale. Janë taksapaguese të rregullta deri në detaj, kërkuese rigoroze ndaj vetes dhe stafit, punëdhënëse empatike dhe qytetare të ndërgjegjshme. Asnjëra syresh nuk humbet kohë me fjalë të kota dhe nuk pret të marri dekoratë për vlerën që i jep qytetit, bëjnë më të mirën për veten dhe familjet e tyre sepse këtë dinë të bëjnë më mirë…’’

Fuqizimi social dhe ekonomik i grave dhe vajzave është një nga gurët e themelit për një shoqëri të shëndoshë. Si do ta përshkruanit nismën e Unionit të Bashkive dhe Bashkisë së Tiranës për të promovuar dhe mbështetur zonjat në biznes?

Vëmendja tek gratë sipërmarrëse i UBSHR duke filluar nga Tirana e për te vazhduar më tej në qytete të tjera në rajon, erdhi aq natyrshëm sa filluam të pyesnim veten se pse nuk kishte ndodhur më parë. Fuqizimin ekonomik të grave jo vetëm në vendin tonë, por edhe gjetkë e kemi konsideruar si politikë sociale por nëse e mendojmë të tillë atëherë kemi lënë jashtë pjesën më të madhe të fuqizimit, atë që gratë e bëjnë vetë pa ndihmë apo lëmoshë. Gratë shqiptare nuk kanë nevojë për ndihmë, duhet vetëm të mos pengohen artificialisht për faktin se janë gra dhe në rastin me optimal të inkurajohen sistematikisht me të njëjtin impenjim e admirim me të cilin janë inkurajuar burrat për shekuj. Nisma e Unionit fillon pikërisht këtu, nëse në thelb ka ngritjen e sistemeve të mbështetjes reciproke mes qyteteve, duhet të fillonte aty ku ka më shumë punë e më pak ankesa, dhe këto janë gratë sipërmarrëse.

Anuela Ristani - Të mbështesim gratë në biznes dhe sipërmarrje 1Nga të gjitha gratë në biznes që keni takuar, ruani ndonjë kujtim të veçantë? Një histori që ju ka lënë të habitur apo ju ka frymëzuar njëkohësisht?

Zonjat me të cilat kam pasur fatin të njihem janë kaq frymëzuese secila në fushën e saj sa që çdo mbrëmje kur jam kthyer në shtëpi i kam ndarë historitë e tyre me vajzën time 13-vjeçare me një ngazëllim te papërshkrueshëm. Në vend që të ndaj njërën do të preferoja të theksoja një tipar të përbashkët të të gjithave: integritetin. Ato nuk mburren për fitmet apo mashtrimet, për rrugët e shkurtra apo për lidhjet personale. Janë taksapaguese të rregullta deri në detaj, kërkuese rigoroze ndaj vetes dhe stafit, punëdhënëse empatike dhe qytetare të ndërgjegjshme. Asnjëra syresh nuk humbet kohë me fjalë të kota dhe nuk pret të marri dekoratë për vlerën që i jep qytetit, bëjnë më të mirën për veten dhe familjet e tyre sepse këtë dinë të bëjnë më mirë dhe nëse të gjitha aktivitetet në Tiranë do të zhvilloheshin me këtë parim të gjithë do t’i gëzonim frytet.

Kriza e pandemisë globale, tregoi se shumë shtete që e përballuan dhe menaxhuan më me sukses pandeminë kanë në krye gra të fuqishme, lidere. A kemi ne gra të tilla, lidere në biznes apo edhe në politikë?

Mendoj se në Shqipëri kemi shumë më shumë gra udhëheqëse nga ato që shohim apo njohim në media. Arsyeja pse nuk i njohim është sepse janë tepër të zëna për t’u vetpromovuar dhe  është mëse e kuptueshme. Burrat që pushtojnë panelet e televizioneve darkave, kanë pasur kohën e mjaftueshme të hanë disa dreka mes kolegësh, të kenë dalë dhe për birra darkave dhe të kenë shkruar me orë të tëra duke shkëmbyer informacione mes burrash. Ndërkohë që gratë kanë qenë duke udhëhequr realisht e ndërkohë edhe janë siguruar që kanë paguar faturat, furnizuar shtëpinë, marrë fëmijët nga shkolla, kujdesur që të ketë ushqim mbi tavolinë dhe mundësisht dhe këmishë të hekurosur për burrin i cili ka luksin të bej ‘network’ me burra të tjerë për t’u vetpromovuar. Në këtë skenar kuptueshëm është e vështirë ti identifikojmë gratë lidere, sepse thjesht nuk po u japim asnjë shans.

A janë gratë në biznes më të zonjat se burrat?

Në vend që të themi se gratë janë më të zonjat apo anasjelltas, duhet në fillim të biem dakort me përkufizimin e fjalës zotësi. Nëse krahasojmë performancën e grave me gjithë barrën ekstra të të qenit grua me atë të burrave pa asnjë gram peshë të shtuar patjetër që bëhet e qartë se kush është më i zoti. Kjo është një e vërtetë kaq universale dhe e provuar saqë sot po shihet edhe në kuptimet e bursës se si aksionet më me vlerë dhe koorporata ndërkombëtare me të ardhura më të qendrueshme janë ato që drejtohen nga gra. Por duhet të kemi kujdes, këtu kuptojmë që ka një lidhje (korrelacion) jo nevojshmërisht shkak. Pyetja duhet të shtrohet, a jemi duke i siguruar që më të mirët të konkurrojnë në një garë të drejtë pavarësisht gjinisë?!

Flasim pak dhe për ju…Sa e ka parapërcaktuar apo përcaktuar karriera jetën tuaj…dua të them aspektet e tjera të jetës, përtej politikës?  

Ne si familje e krijuar shume vite me parë kur asnjëri prej të dyve nuk kishte ide shumë të qarta për karrierën, kemi lëvizur kontinente së bashku në funksion të asaj që do të na përmbushte më shumë në agregat. Karriera ka qenë në funksion të vetëplotësimit, dhe vetëplotësimi ka qenë në funksion të  shëndetit tonë familjar. Ndaj asnjëra nuk ka përcaktuar tjetrën. Mendoj që nuk ka recetë fikse në këtë drejtim. Secili vendos gurët e veta të themelit që janë njerëzit dhe parimet që nuk do t’i diskutonte kurrë dhe çdo zgjedhje e ndërmarrje pastaj zë vendin e vet.

Cili është konotacioni i parë që ju vjen në mendje kur them, qytet, kryeqytet, qytetar? Si është ky trekëndësh në një krye-qytet si Tirana? Cili është raporti që keni me qytetarët?

Për mua Tirana ka një magnetizëm kaq të fuqishëm sa e kuptoj kur edhe të huaj që jetojnë shumë shkurt këtu e konsiderojnë si shtëpinë e tyre. Ndaj mendoj që të qenit qytetar i Tiranës është një zgjedhje që e bëjmë çdo ditë pavarësisht historikut tonë familjar. Qytetar na bën respekti që tregojmë për të tjerët dhe për atë që ndajmë së bashku, jo lagja ku kemi lindur apo diploma që mbajmë në xhep. Qytetar nuk është ai që zhvat por ai që shton, nuk është ai që flet me o-zanore, por ai që të hap rrugën në semafor, nuk është ai që çan tubin e ujit, por ai që mbjell lule buzë avllisë. Qyteti në thelb ka bashkëjetesën cilësore për të cilën nuk ka asnjë mënyrë tjetër të realizohet përveç se siç e thotë vetë fjala “bashkë”.

Anuela Ristani - Të mbështesim gratë në biznes dhe sipërmarrje 2Si është një ditë e zakonshme në Bashkinë e Tiranës?

Nuk ka kurrë një ditë të zakonshme në Bashkinë e Tiranës por në përgjithësi në asnjë bashki prandaj dhe kjo e bën punën kaq interesante dhe te bukur. Qyteti nuk është objekt apo nisëm abstrakte, është një organizëm gjigand i cili duhet të gjejë çdo dite ekuilibrin e tij jetësor. Ne ditët kur bie shi, gëzohemi për rezervuarët, por shqetësohemi për përmbytjet, në thatësire anasjelltas. Kur ka shumë vizitore shqetësohemi për kapacitetet, kur ka pak si në ketë vitin e fundit, për humbjet financiare. Nuk ka asnjëherë fillim dhe mbarim të diçkaje, por vete një proces te pafund zhvillimi dhe përshtatjeje.

Në prag edhe të 8 marsit Ditës Botërore të Gruas, cili është mesazhi juaj për gratë shqiptare ?

Në fakt këtu përfshihem edhe unë. Nuk kemi nevoje te jemi më të mira, më të bukura, apo më të zgjuara. Nuk kemi as nevojë  për aprovim, as për ndihmë, as për burra për të arritur më të mirën tonë. Duhet vetëm të marrim pjesë në një garë pa hile dhe t’i japim një dorën njëra tjetrës.

 

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *