DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Star Inspiration

Angela Merkel, gruaja e vitit !

Shpërndaje

Angela Dorothea Kasner u lind në vitin 1954 në Hamburg të Gjermanisë Perëndimore; e bija e Horst Kasner, një pastori luterian (i besimit protestant), ndërsa e ëma ishte një mësuese anglishteje dhe latinishteje. Në vitin 1982 ajo u martua për herë të parë me studentin e fizikës Ulrich Merkel, me të cilin u divorcua pas pesë vitesh. Çuditërisht ajo vendosi të mbante mbiemrin e tij. Në vitin 1998 Merkel u martuar për herë të dytë me kimistin Joachim Sauer. Angela Merkel nuk ka fëmijë, por bashkëshorti i saj aktual ka dy djem të rritur nga një martesë e mëparshme.

Angela Merkel mban mbi supe shumë çmime dhe rekorde, ku vetëm ‘’Forbes’’ e ka shpallur 8 herë si gruan më të fuqishme në botë. Rekorde të tjera në karrierën e saj, lidhen me faktin se ajo është femra e parë që merr postin e kancelares në Gjermani, por edhe personi i parë që vjen nga Gjermania Lindore dhe mban postin më të rëndësishëm të shtetit.

Mediat, por edhe analistët e cilësojnë Merkel me të njëjtin pseudonim si Thatcher, duke e quajtur “Gruaja e hekurt” gjermane.

Merkel u bë kancelarja e parë femër e Gjermanisë në vitin 2005 dhe po qeveris në mandatin e saj të katërt.

Pak muaj më parë, Merkel u tërhoq si udhëheqëse e Unionit Kristian Demokratik (CDU) dhe njoftoi se nuk do të kërkojë një mandat tjetër si kancelar në 2021-in.

“Ky është mandati im i katërt në krye të qeverisë, dhe hera e fundit si kancelare. Nuk do të kandidohem për kancelare në zgjedhjet e vitit 2021, por as për deputete në Bundestagun gjerman. Gjithashtu nuk planifikoj të kryej kurrfarë funksioni tjetër politik”, tha Merkel.

Angela Merkel, gruaja e vitit ! 1

Merkel mbetet sot udhëheqësja ‘’de facto’’ e Evropës, duke udhëhequr ekonominë më të madhe të rajonit. Ajo ia ka dal mbanë të menaxhojë me sukses Gjermaninë dhe të rris e fuqizojë profilin e saj në sytë e gjithë botës sidomos pas vitit 2008 me fillimin e krizës financiare të BE-së dhe asaj greke, duke vazhduar sot me krizën e refugjatëve dhe luftën në Siri.

Merkel, si kancelare e ndryshoi Gjermaninë, duke e kthyer nga ‘vendin e harruar’ të BE-së në parajsën europiane. Merita më e madhe e Merkel si fillim dallohet tek fakti që Gjermania nuk u prek nga kriza financiare e 2008. Ndërkohë që Europa vuante dhe shumë vende kërkonin ndihmë, Gjermania po shihte një lulëzim të saj ekonomik, kjo për arsyen e paketave të stimulimit që Merkel propozoi dhe uljen e orëve të punës për punëtorët, duke u ndihmuar nga qeveria për të mbajtur të njëjtin nivel pagash, normat e ulëta të interesit të bondeve dhe roli i fuqishëm si eksportues i Gjermanisë. Risi dhe reforma solli edhe për politikat sociale, ku në 2007 prezantoi ‘’Përfitimin Prindëror’’ në mbështetje të çifteve me fëmijë, duke pasur si qëllim lehtësimin e barrës financiare dhe rritjen e numrit të lindjeve në Gjermani. Sipas kësaj skeme prindërit mund të marrin pushim 14 muaj pas lindjes së fëmijës, më mundësinë për t’i alternuar me njëri-tjetrin dhe gjatë kësaj periudhe ata përfitojnë 67% të pagës së tyre. Ajo gjithashtu rriti edhe pagat minimale.

Por njerëzit më të afërt të saj japin një pamje tjetër për Merkelin, atë të një gruaje që ka momentet e saj të dobësive, dridhjeve dhe skepticizmit. Megjithatë prezantimi i saj në publik është gjithmonë interesant. E qetë, e vendosur dhe me një pamje që tregon fuqinë dhe qëndrueshmërinë e saj, udhëheqësja europiane është e famshme për pozicionimin e veçantë të duarve në formë rombi, që sot njihet edhe si “Rombi i Merkelit” dhe ka shërbyer edhe si një simbol për mbështetësit e saj për të nënkuptuar “se Gjermania është në duar të sigurta”. Merkel është e njohur gjithashtu për ekspresionet e shumta të fytyrës.

Asaj i pëlqen shumë të gatuajë për bashkëshortin e saj, madje gjëja e parë që bën në mëngjes është përgatitja e mëngjesit për bashkëshortin. Ushqimi i preferuar i saj është supë patatesh dhe eskallop. Merkel është fotografuar disa herë duke bërë pazarin në supermarket pa komplekse, si një qytetare e zakonshme.  Një ndër gjërat që i pëlqen shumë, janë ecjet e gjata në natyrë, arsye për të cilën nuk dëshiron të jetojë në ndonjë qytet të madh, pasi mendon se është shumë i zhurmshëm për të.

Merkel vishet gjithmonë me xhaketë dhe pantallona. Një nga ngjyrat që vesh me shpesh është bluja dhe nuancat e saj, ndërsa buzëkuqi i saj është gjithmonë në nuanca natyrale.

 

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *