DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Art & Culture

Bruna Shikroka – Një rrëfim për misionin fisnik të mësuesit

Shpërndaje

Prej disa vitesh Bruna Shiroka ka punuar si mësuese e gjuhës angleze në disa shkolla të arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm.  Në këtë rrëfim për ‘’Star People’’ , ajo tregon më shumë nga eksperienca e saj në mësimdhënie, raportin me nxënësit, por edhe momentet e bukura dhe emocionuese që ka kaluar ndër vite.

‘’Të jesh mësuese është detyrë, përgjegjësi dhe privilegj.’’ – thotë Bruna teksa flet edhe për sfidat e arsimit shqiptar dhe çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim.

Një mësuese model dhe e përkushtuar, gjë të cilën e reflekton gjatë gjithë kohës në këtë intervistë të sinqertë dhe të shpenguar.

Bruna, ju jeni një mësuese karriere me rreth 20 vjet eksperiencë. Si i kujtoni gjithë këto vite? Si ka qenë ky rrugëtim për ju?

Kjo që sot unë jam dhe ndodhem këtu është për rrjedhoje të këtij rrugëtimi sa të gjatë, aq edhe të bukur. Këto vite janë kolazh i atyre copëzave jete që ndërthuren aq harmonishëm dhe rrinë bukur ashtu së bashku.

Tani që kthej kokën prapa, kujtoj me nostalgji 4 vitet e jetës sime studentore, ndërkohë që përgatitesha për t’u bërë një arsimtare e denjë dhe për të dalë në jetë. Pasi u diplomova në degën e gjuhës angleze me titullin ‘’Mësues dhe Specialist i gjuhës angleze’’ në Universitetin ‘’Luigj Gurakuqi ‘’ të Shkodrës , u zhvendosa në Tiranë, ku edhe nisa jetën time familjare paralel me atë profesionale.

Në vitet 2000 Tirana po kthehej në një metropol dhe kishte kërkesa për mësues të gjuhës angleze, sepse ata që mbaronin si unë preferonin të punonin përkthyes në OJF apo në shkolla jopublike. Kjo vinte për shkak të pagës modeste në atë kohë. Kurse unë asnjëherë nuk jam penduar që bëra zgjedhjen time të duhur për të dhënë mësim (pas një konkursi pranimi dhe para një jurie ) në arsimin publik, ku vazhdoj edhe sot e kësaj dite.

A e kujtoni ditën tuaj të parë si mësuese? Si do e përshkruanit?

Ditën time të parë unë kisha kohe që e ëndërroja dhe e përgatisja veten shpirtërisht. Unë në atë kohë isha një nuse e re e sapomartuar, që po shkonte ne drejtim të një rrugëtimi ende të panjohur.

Në fillim më duhej të mësoja rrugët e Tiranës, të cilat nuk ishin siç janë sot, e më pas vendodhjen e shkollës ku më kishin emëruar, kolektivin e ri , drejtuesit dhe nxënësit e saj .

Shkolla ime e parë ku unë dhashë mësim për herë të parë dhe qëndrova për 7 vite radhazi ishte shkolla ‘’Hasan Prishtina ‘’. Vërtetë shkollë në periferi dhe më dukej larg ,por çdo ditë kisha një motiv për të shkuar në mes të atij kolektivi që unë akoma i kam përzemër dhe ruaj kontakte. Unë jam ndjerë shumë mirë mes kolegëve të mi të parë me shumë vite pune mbi supe, prej të cilëve kam mësuar shumë, mbi të gjitha dashurinë dhe pasionin për punën, korrektësinë dhe disiplinën në punë. 

Si ka ‘’ndryshuar’’ Bruna si mësuese, por edhe si grua e njeri ndër vite?

Kur me drejtohen me titullin ‘’ mësuese Bruna’’, unë aty ndiej se janë përfshirë dhe shkrirë të gjitha rolet e tjera. Të qenurit femër, bashkëshorte, nenë dhe mësuese është një privilegj për ne gratë arsimtare.

E nisur si një dëshirë rinore për t’ia dalë mbanë në jetë, duke bërë çdo përpjekje vete dhe pa u dorëzuar  apo lodhur asnjëherë , më ka bërë versionin më të mirë të vetes sime. Në këtë mënyrë, unë ndjehem e përmbushur dhe e vetëaktualizuar.

Cilat janë kujtimet tuaja më të bukura në arsim?

Fatmirësisht unë kam shumë kujtime të bukura që ma pasurojnë përvojën time si mësuese, por jo vetëm.

Ndër ato më të spikaturit kujtoj mëngjesin e Ditës së Mësuesit që i binte të ishte 7 Marsi im i parë dhe unë mësova se do bëhesha nënë . Pra, përveçse  atë ditë festova si mësuese ,të nesërmen do festoja edhe si nënë e ardhshme. Ishte një moment i paharrueshëm, që unë e përkujtoj me rastin e këtyre dy festave të shënuara. E ku ka me bukur…!

Ç’raporte keni dhe ruani me ish nxënësit tuaj sot ?

Me nxënësit e mi ndër vite dhe ata aktualë ruaj përherë një marrëdhënie shumë të afërt dhe të sinqertë. Me kalimin e kohës edhe raporti i ndërsjellët me nxënësit ka ardhur më i maturuar  dhe bashkëpunues , duke dhënë frytet e tij .

Bruna Shikroka – Një rrëfim për misionin fisnik të mësuesit 1Si janë nxënësit sot në raport me ata dikur ?

Unë edhe pse në mes të karrierës sime, kam nxjerrë plot breza nxënësish  ndër vite. Tani që ata janë rritur dhe kanë dalë në jetë, ashtu si edhe unë dikur , kur rastis të takohemi , më pyesin : ‘’Mësuese si janë këta brezat e rinj .A kemi qenë ne më të mirë…?’’ Dhe kjo pyetje dhe ky krahasim  mua më bën të vë buzën në gaz.

Është fare e lehtë të bësh krahasime, por nuk është e lehtë të thuash nëse brezat aktualë janë më të mire apo më pak se ato të mëparshmit , apo edhe anasjelltas .

Fëmijët e mi i përkasin këtij brezi që ne po edukojmë aktualisht .Edukimi i brezave ndër vite ka qenë dhe do mbetet një sfidë dhe mision më vete.

Cilat janë sfidat më të mëdha të arsimit sot?

Arsimi duke qenë pjesë e pandarë e shoqërisë aktuale , pasqyron çdo gjë të saj. Trinomi i famshëm familje – shkollë – shoqëri është një tregues i qartë  dhe orientues për aktualitetin tonë shqiptar .

Për hir të së vërtetës , arsimi jonë i ka reflektuar  të gjitha etapat e tranzicionit shumëdimensional të kësaj shoqërie sipas dekadave përkatëse .

Jam e mendimit se tashmë ka ardhur momenti të vihen disa piketa  mbi ato themele tanimë të ngritura, ku figura dhe dinjiteti i mësuesit të lartësohen dhe ai të ketë vendin e merituar .

 

 

1 Koment

  1. Ani April 15, 2020

    Brave Woman do te thoshte dikush ne anglisht. BURRNESHE i bie ne shqipen tone te dashur. Bruna respekt e mirenjohje pafund per nje grua te larte si ty, por jo vetem. Fisnike, fjalepak, por vepra.shume. Faleminderit qe te njoh! Me dashuri, Anila Busho/CEO EIPASS ALBANIA & BALCANS!

    Reply

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *