BUNA, mes mrekullisë së natyrës dhe turizmit të përgjegjshëm
Shpërndaje

Nga Fatima Gorezi
Lumi Buna ndodhet në segmentin fundor jugperëndimor të kufirit shqiptaro-malazez. Ky lumë buron nga Liqeni i Shkodrës, fare pranë qytetit të Shkodrës, ndërmjet kodrës së Kalasë Rozafa dhe Malit të Taraboshit, bashkohet me Drinin dhe derdhet në Adriatik, në plazhin e Velipojës.
E pagëzuar si Amazona e Shqipërisë, lumi Buna dallohet për një faunë dhe florë të pasur dhe është një destinacion turistik i jashtëzakonshëm i kryeqendrës së Veriut. Pak ditë më parë “Mandarina Project” realizoi një udhëtim turistik me një grup gazetarësh vendas në lumin Buna, me dëshirën dhe nxitjen për të promovuar e eksploruar zonat përreth lumit Buna në kuadër të një fushatë ndërgjegjësuese dhe edukuese për zhvillimin e një turizmi eko dhe të përgjegjshëm. Disa në varka dhe disa duke pedaluar mbi paddle board-et e rreshtuara, gazetarët e nisën udhëtimin nga Shiroka drejt Bunës.
EDU BUNËN, lindi si një nevojë dhe dëshirë e promovimit të Bunës si destinacion, të pasqyrojë bukuritë e rralla natyrore që kjo zonë ofron, t’ju prezantojë me destinacionet më të bukura të saj. Por, ky projekt është shumë më i gjerë se vetëm promovimi i turizmit. EDU BUNËN në thelb të tij synon të edukojë, të udhëheqë vizitorin potencial drejt aktiviteteve eko-miqësore të zonës, të përfshijë dhe të edukojë industrinë promovuese si dhe të ofrojë një ofertë ekoturistike atraktive për turistët vendas e të huaj.
Për këtë arsye promovohen aktivitete që krijojnë të ardhura në lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit lokal, të cilët ofrojnë shërbime dhe produkte në zonë. Duke u nisur nga kjo, pjesë e aktiviteteve të EDU BUNËN në faza të ndryshme të tij janë komunitetet lokale të synuara, operatorët turistikë, institucionet qeveritare, krijuesit etj, secili duke kontribuar në ngritjen e vetëdijes ndaj turistëve dhe publikut të gjerë.
EDU BUNËN nis me një fushatë të gjerë komunikimi edukuese, për të rritur ndërgjegjësimin lidhur me ekoturizmin, aktivitetet e tij dhe mundësitë për zhvillimin e tij në Zonën e Mbrojtur. Për këtë qëllim u krijua edhe harta turistike me aktivitetetet e mundshme turistike për të nxitur vizitorët, por edhe vendasit të vizitojnë sa më shumë atraksione përgjatë lumit Buna.
Fokusi kryesor i komunikimit të EDU BUNËN është promovimi i vendeve, kulinarisë, historisë, sporteve dhe aktiviteteve që mund të shijoni në Bunë nga peshkimi sportiv, shëtitje, biking, hiking, birdwatching apo edhe shëtitje me varka përgjatë lumit Buna. Promovimi i aktiviteteve është i pandashëm edhe me promovimin e produkteve agrokulturore dhe produkteve të trashëgimisë kulturore të zonës.
Të shikosh natyrën nga rrjedha e lumit Buna është totalisht gjë tjetër, ndaj jua sugjerojmë të gjithëve për ta shijuar si një eksperiencë unike.
EDU BUNËN është një projekt i Mandarina Project, një ide origjinale e themeluesit z.Entoni Jubani. Mandarina Project organizatë e cila operon prej më shumë se 18 vitesh në Shqipëri me projekte gjithnjë inovative dhe gjurmëlënëse në fushën e promovimit të territorit, natyrës, artit, sportit dhe turizmit në të gjithë territorin e Shqipërisë.