DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Lifestyle Star Inspiration

Edlira Çepani: Fuqizimi i gruas, një nga themelet bazë të shoqërisë dhe zhvillimit 

Shpërndaje

Nga Fatima Gorezi

Aktiviste për të drejtat e njeriut, nënë, qytetare shembullore dhe grua në karrierë, Edlira Çepani ka qenë dhe është një zë i fortë dhe i dukshëm për fuqizimin e gruas në shoqëri dhe barazinë gjinore. 

Ajo është koordinatore kombëtare e  rrjetit “Barazi në Vendimmarrje” , rrjeti më i madh shqiptar i grave aktive nga të gjitha partitë politike, shoqëria civile dhe media i themeluar në vitin 2008 me iniciativën e grave pjesë e programit të NDI “Zhvillimi i Liderëve të Rinj në Politikë – Gratë në Advokim”.

Në këtë intervistë për ‘’Star People’’, Edlira ndan detaje për kauzën e barazisë gjinore në Shqipëri, si e sheh ajo të tashmen dhe të ardhmen jo të largët.

Cili është konotacioni i parë që ju vjen kur përmendin fjalën GRUA ? Po GRUA SHQIPTARE?

Të jesh grua në Shqipëri do të thotë të jesh e detyruar të luftosh më shumë për të drejta që duhet t’i kishe të barabarta, do të thotë që shoqëria të vendos mbi supe më shumë përgjegjësi, më shumë paragjykim, më shumë korniza. Fatkeqësisht të jesh grua do të thotë që megjithëse je burimi i jetës, ndonjëherë të kesh frikë për jetën, dhe shpesh, nga ana tjetër, të sakrifikosh me shumë se ç’duhet për të tjerët. Ndonjëherë edhe përtej gjërave të ngritura përmes sakrificave, të etiketohesh ndryshe, të vlerësohesh ndryshe, të paragjykohesh ndryshe, sepse je grua! Jemi ende në pikën kur paragjykohemi, se flasim shumë, se nuk flasim shumë, se e kemi fundin e shkurtër, se e kemi fundin të gjatë, se kemi zë, se kemi kurajon të themi JO, se duam të punojmë, se nuk duam të punojmë, se kujdesemi për pamjen e jashtme, se nuk kujdesemi për pamjen e jashtme, etj, etj… Jeta në korniza të paracaktuara është e vështirë. 

Por nga ana tjetër, përtej sakrificave e padrejtësive, të jesh grua do të thotë të kesh mundësinë unike për të sjellë një jetë, për të përqafuar fort në krahë fëmijë që si vetëm në një mrekulli, kanë patur të njëjtën rrahje zemre me ty dhe ky është një nga privilegjet më të mëdha, që unë personalisht s’do ta shkëmbeja me asgjë tjetër.   

Si e shihni ju situatën për gruan  në botë dhe në Shqipëri. Çfarë ka ndryshuar ? Dhe nëse ka ndryshuar diçka, a është ky ndryshim pozitiv në këndvështrimin tuaj? Çfarë duhet bërë më shumë?

Gratë në çdo cep të botës kanë luftuar shumë për të arritur të fitojnë të drejtat që kanë sot. Sa më shumë  gra dhe vajza të ngrenë zërin e tyre dhe të kërkojnë të drejta të barabarta, aq më shumë mundësi dhe shanse të barabarta do të kenë veçanërisht vajzat e brezave në vijim. Ndaj përpjekja për të drejta të barabarta, nuk është një përpjekje personale, është një përpjekje që vlen ndër breza, është një përpjekje që sa më shumë kalon koha aq më shumë merr vlerë.

Lëvizja për të drejtat e gruas ka bërë hapa gjigantë ndër vite dhe sot falë atyre që kanë ngritur zërin për ne, kemi të drejtën të votojmë, të punojmë, të studiojmë e shumë gjëra të tjera që vetëm pak vite më parë dukeshin gjëra të pamundura. Edhe në Shqipëri janë bërë shumë arritje përsa i përket pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në vendimmarrje, në përfaqësimin e tyre në të gjitha nivelet, në ndërgjegjësimin për të drejta të barabarta, në fuqizimin ekonomik të grave, por ka ende shumë punë për të bërë veçanërisht në luftën ndaj dhunës me bazë gjinore që vjen si një fenomen tronditës në një shoqëri në emancipim e sipër si kjo e jona. Ka ende shumë punë për të bërë, ndaj tani është koha e duhur, që të gjithë bashkë, edhe gratë edhe burrat, të vijojnë me përpjekje serioze për të garantuar shanse të barabarta, për një shoqëri të shëndetshme.

Unë ju kam parë shpesh në daljet tuaja publike ku ju lexohet qartë një ndjeshmëri e madhe sociale. Si koordinohet kjo me angazhimin tuaj për të drejtat e grave?

Në fakt angazhimi im është për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe kjo është fusha për të cilën kam studiuar si pjesë e studimeve në drejtësi dhe fusha kryesore ku kam punuar përgjatë viteve. Në punën e përditshme si aktiviste për të drejtat e njeriut, unë kam privilegjin të punoj edhe me fëmijët, me shtresat në nevojë, me grupet e margjinalizuara, ashtu siç kam privilegjin të punoj edhe me gratë e politikës shqiptare, me gra dhe vajza në pozicione kyçe vendimmarrëse që japin çdo dite kontribut në fushat e tyre. Them privilegj, sepse unë e kam konsideruar gjithmonë punën që bëj si një mundësi për të qenë më pranë atyre që kanë nevojë për mbështetje! Përsa i përket nismave sociale në mbështetje të shtresave në nevojë, ato për mendimin tim nuk duhet të jenë pjesë e punës, duhet të jenë pjesë e kontributit që çdo njeri jep për të jetuar në një komunitet që ofron më shumë shanse dhe mbështetje për të gjithë. Unë kam fatin që kam miq të mirë, të cilët e besojnë këtë gjë njësoj si unë dhe që bashkohen në nisma të tilla të bukura! Çdo nismë e tillë mua më frymëzon edhe më shumë dhe më vërteton se ndryshimi i vërtetë vjen nga veprimet e vogla të bëra më përkushtim dhe me dashamirësinë për të mbështetur njëri tjetrin. 

Edlira Çepani: Fuqizimi i gruas, një nga themelet bazë të shoqërisë dhe zhvillimit  1Thuhet shpesh se të jesh grua në karrierë në Shqipëri nuk është e lehtë. Si ka qenë në rastin tuaj ? Si e keni rregulluar balancën mes jetës private, punës dhe aktivitetit tuaj publik si aktiviste?

Ja për shembull, kjo është një pyetje që shumë rrallë u bëhet burrave ☺ (Qesh), sepse në modelin shoqëror që kemi, ata presupozohet se duhet të bëjnë karrierë, ndërkohë që gratë presupozohet të kenë prioritet kujdesin për familjen ☺ (Qesh). Në fakt nuk është e lehtë, por unë jam rritur me modelin që familja është mbi gjithçka tjetër në jetë, ndaj e jetoj jetën me këtë model! Nuk ka prioritet që të shpërblen më shumë se sa familja! Por me pak më shumë lodhje, edhe me ca netë më shumë pa gjumë, ia del të bësh edhe karrierë, edhe të mos heqësh dorë nga prioritetet e tjera.  E rëndësishme është që gratë të kontribuojnë edhe në ekonomi ashtu si në fusha të tjera dhe nga ana tjetër është e rëndësishme që nëpërmjet politikave sociale më të shumta, ato të kenë mbështetjen për ta dhënë këtë kontribut (duke filluar që nga sistemi i edukimit për fëmijët, tek politikat mbështetëse për nënat e reja, etj.). Kemi ende shumë punë për të arritur këtë lloj mbështetje sociale në Shqipëri e ndërkohë që gratë dhe vajzat kanë përparuar shumë në karrierat e tyre, është e rëndësishme që edhe këto politika mbështetëse të ecin me hapin e tyre. 

Nga ana tjetër përditshmëria si aktiviste e të drejtave të njeriut është pak komplekse dhe sjell vështirësitë e veta, sidomos në rastet kur ka protesta, kur duhet të jesh jashtë qytetit nëpër zona të vështira orar pa orar, kur duhet ta udhëtosh brenda ditës nga Kukësi në Sarandë, pasi kjo lloj pune nuk është diçka që mbaron me orarin zyrtar. Sidoqoftë të gjitha këto sfida, ia vlejnë kur arrin të shohësh një ndryshim sado të vogël që e ka sjellë zëri ose kontributi yt. 

Duket se jeni shumë e organizuar, me shumë aktivitete gjatë ditës. Çfarë ju motivon që të zgjoheni në mëngjes ? Cila është motoja juaj e përditshme?

Unë kam dy moto kryesore më të cilat jetoj, e para ka qenë gjithmonë që “e pamundura është thjesht një opinion”, është një moto që në fakt më merr shumë energji, veçanërisht në Shqipëri ku fjala e parë që dëgjon për diçka është: ‘’S’bëhet!” ☺, por është diçka që më ka shpërblyer dhe frymëzuar shumë kur ia kam dalë edhe në gjëra që në fillim dukeshin të pamundura. E dyta është “Sillu me të tjerët, ashtu si do të doje që të silleshin me ty!” dhe kjo është një nga shtysat më të forta, të përditshme, për të ridimensionuar vetveten në marrëdhënie me të tjerët. Unë punoj çdo ditë me shumë shumë njerëz, çdo grua në të 12 qarqet e Shqipërisë, anëtare e “Rrjetit Barazi ne Vendimmarrje”, të cilin kam fatin ta drejtoj prej disa vitesh, është një frymëzim dhe një motiv në punën që bëj. Secili prej të rinjve me të cilët punoj, me frymëzon në çdo hap, stafi i mrekullueshëm që kam dhe mbi të gjitha familja ime dhe dëshira për ta bërë jetën më të mirë për ta, është shtysa që më zgjon çdo ditë! 

Cili është mesazhi juaj për lexuesit tanë dhe sidomos për audiencën femërore?

Mesazhe do të kisha pafund, por mendoj se më i rëndësishmi në këtë rast do të ishte, që në fund të ditës, çdo gjë për të cilën mundohemi, nuk ka asnjë rëndësi nëse nuk i bëjmë gjërat me dashuri dhe nëse nuk kontribojmë për të krijuar rreth vetes më shumë pozitivitet. Jeta është shumë e shkurtër për ta jetuar me negativitet, është mirë që ta vlerësojmë çdo moment jetë që na jepet dhuratë dhe të vlerësojmë bukuritë e gjërave të vogla që në fakt bëjnë ndryshimin. 

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *