DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Art & Culture On the Cover

Ekskluzive/ Rrëfimi i Irma Libohovës, mbi jetën, muzikën dhe pasionet e pathëna

Shpërndaje

Intervistoi :Fatima Gorezi

Fotografia : Fatjon Repishti

Hair and Make Up : Artur Muca & Doni Hairstyle

Në mesin e këtij kaosi shurdhues, ndërsa jemi duke jetuar një moment historik, të rëndësishëm e të frikshëm njëherësh, siç është situata e pandemisë botërore, asgjë nuk është me e këndshme për sytë sesa të lexoni rrëfimin e një artisteje të vërtetë të muzikës  e cila i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë  kaq shumë kombit dhe identitetit tonë kulturor ndër vite. E tillë është Irma Libohova.

Kjo intervistë dhe kjo kopertinë ishte menduar të botohej (online dhe print) përpara momentit të shpalljes së gjendjes së pandemisë.

Në fakt jam e lumtur që një intervistë e tillë vjen në një moment të tillë. Ndonjëherë janë momentet e vështira të cilat frymojnë dhe bërtasin më shumë për shpresën dhe për optimizëm sesa ato të zakonshmet.

Ky rrëfim i sinqertë i Irmës është edhe një rreze shprese, mirësie dhe mençurie e një gruaje e cila nuk e sheh dot kurrë veten të ndarë nga Shqipëria dhe muzika. Mes të tjerash do të zbuloni edhe disa anë e pasione të pathëna të këngëtares, e cila sikundër edhe nuk harron ta përmend gjatë intervistës , karakterizohet nga një autokontroll olimpik.

  ‘’Mam’’ dhe ”Ike ti ” janë dy projektet tuaja më të fundit. Ç ‘mund të na thoni për to? Si lindën?

‘’Mam’’ ishte një këngë që e kisha menduar me kohë. Doja të sillja një këngë për nënën dhe jam lidhur me djalin që ka bërë tekstin, Ylldrit Jakupajn. Pasi kam parë videoklipet e tij në YouTube , për forcën e fjalës që ka , kam menduar se është  njeriu i duhur për ta bërë këtë bashkëpunim. Jemi në proces të të bërit të videoklipit. Aktualisht kemi mbaruar veç audion. Është një këngë me mesazh shumë të fortë, për nënën.  Fjalët  janë thënë shumë bukur. Muzikën e ka bërë Enis Mullai, orkestrimin gjithashtu,ndërsa videoklipin po e punoj me regjisoren Edlira Baholli. Projekti i këngës tjetër është ndër ato këngët e radhës, të cilën doja ta kisha në repertorin tim dhe ta këndoja në ambiente të ndryshme.

Ekskluzive/ Rrëfimi i Irma Libohovës, mbi jetën, muzikën dhe pasionet e pathëna 1Në më shumë se 40 vite karrierë, cilin veçoni si momentin më special dhe që ju ka dhënë më shumë emocione?

Ka shumë. Nuk di cilin të ndaj. Sigurisht momentet më të mira janë ato ku kam marrë çmime, një vlerësim profesional . Një moment shumë i rëndësishëm ka qenë edhe marrja e një titulli siç është ‘’Mjeshtre e Madhe e Punës’’ e akorduar edhe nga presidenti i asaj kohe, para dhjetë vjetësh. Po kështu kanë qenë pjesë  shumë të bukura turnetë jashtë shtetit, disa koncerte që kanë mbetur si emblema e gjithë veprimtarisë sime artistike. Koncerti në Selanik, apo edhe në Athinë, kur ka qenë edhe disi delikate situata për emigrantët dhe mesazhi që çonim ne ishte shumë i fortë, ku ndër të tjera kam cekur që: ‘’ treni i miqësisë është ai që duhet të ketë timonierë artistët’’. Dhe për këtë mesazh kam marr përgëzime pafund nga shqiptarët. Flas këtu për vite më parë, kur shqiptarët në Greqi ishin ende të paintegruar. Sigurisht moment i paharrueshëm  është edhe ai kur jam ngjitur për herë të parë në skenë, dridhesha e gjitha. Nuk e dija a e meritoja të isha aty. Aq e re kam qenë sa nuk e kuptoja këtë. Por me siguri ata që më kanë ngjitur aty duhet të kenë parë diçka tek unë (Qesh). Një tjetër moment i rëndësishëm ka qenë kur nisa për herë të parë punë në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Të gjithë e shihnin si një tempull nga jashtë. Dua të ndaj edhe një moment shumë të rëndësishëm, i tillë siç ka qenë koncerti i parë pas Luftës së Kosovës, një koncert mbi gërmadha, një koncert që bërtiste liri. Kujtoj kalvarin e udhëtimit nga Shqipëria drejt Kosovës.

Ju udhëtoni shumë dhe zhvilloni koncerte edhe në vende përtej Shqipërisë. Ku ngjasojnë dhe bashkohen spektatori juaj i Shqipërisë nga ai i Diasporës?

Sipas meje shqiptarët e Diasporës, është fat që kanë mundësinë të kenë kontakte të drejtpërdrejta me artistët, i prekin, i shikojnë nga afër, i takojnë. Ndonjëherë kam përshtypjen se edhe i vlerësojnë më shumë. Mbase e gjitha kjo sepse  duket sikur ata rigjejnë një copëz Shqipërie tek ne artistët kur vijnë na shohin në koncerte. Janë më të ndjeshëm për atdheun sepse mbartin peshën e mallit. E them gjithmonë; është malli ai që i bën njerëzit më të ndjeshëm, i afron.  Pastaj shqiptarët kudo festojnë njëlloj, gëzojnë njëlloj, presin njëlloj , përfshihen njëlloj. Dhe kur them njëlloj; nuk i ndaj në shqiptarë të Kosovës, Shqipërisë apo Maqedonisë. I quaj padyshim në një emërues të përbashkët , i quaj NE.  Ne jemi njëlloj. Këtë konkluzion kam arritur nga gjithë këto vite udhëtime. Në vitet pas 90’’ – ës dhe para Youtube e medias sociale siç është sot , kur unë  bëja koncerte, dashuria dhe kurioziteti për artistët dhe grupet artistike ishte shumë herë më i madh.

Si do e vlerësonit tregun aktual muzikor, parë nga syri i një profesionisteje, një dive me kontribute te jashtëzakonshme si ju? -Si është muzika sot në raport me atë dikur? Shihet sikur ka një mungesë të poezisë, fjalës, këngës me mesazhe të forta. Mungon krijimtaria apo mungojnë këngëtarët e mirë?

Është pak pyetje 1 milionë dollarëshe. Nuk mund ta përcaktoj pse kanë ardhur kohët kështu, pse mungon poezia, pse mungojnë elementë të këngës, por kjo nuk është përgjithësuese, sepse ka artistë që i kanë mbetur besnik këngës, bëjnë tekste të bukura, melodi të bukura , ka këngë me mesazhe të bukura. Ka ende artistë të tillë. Në momentin që edhe kënga është bërë si gjithçka tjetër, është bërë biznes, normalisht do largohesh nga këto elementët që përmenda më sipër. Dhe për tu bërë konkurrent në treg mesa shoh është më e vështirë  dita-ditës. Dua të them që të jesh konkurrent me këngën, melodinë. Është komercializuar deri në atë pikë saqë edhe kënga vetë ka abstraguar në të qenit e një bulze ku më shumë ka rrokje e fjalë të gjetura,  fjalë të pathëna, me demek të reja, të shpikura , fjalë të ngjitura, çdo lloj fjale, pa filtra profesionalë edhe për ata  që shkruajnë tekste. Unë nuk e di ku do të shkoj e ardhmja e këngës, por di të them që nga shumë këngë që kam dëgjuar nga brezi tjetër , kënga ka hyrë nëpër ca zhvillime që brezi që i bën do i dëgjojë, do i pëlqejë , derisa të dal një trend tjetër. Profesionalizmi, në mënyrën sesi ka abstraguar kënga  duhet të ketë edhe për këtë lloj këngësh, por ajo nuk do të quhet më këngë. Këngën e përbëjnë tre elementë: teksti, melodia dhe këngëtari dhe elementët  ndihmues siç janë janë orekstracioni. Sa i takon asaj çfarë dëgjoj, unë jam selektive, zgjedh të  dëgjoj këngë që kanë mesazhe, fabula dhe sigurisht zëra të bukur që kam dëshirë t’i dëgjoj.

Ekskluzive/ Rrëfimi i Irma Libohovës, mbi jetën, muzikën dhe pasionet e pathëna 2A ju lë juve kjo gjë të shqetësuar? Jeni sot ju një artiste e shqetësuar…? Dua të them…. e shqetësuar për trashëgiminë, për atë do duhet të mbetet pas, për historinë e muzikës?

Më duket e frikshme. Trashëgimia kulturore në Shqipëri më duket e vënë në rrezik. Mos qofsha Kasandra të bëj orakullin.  Ne jemi shumë pak të përgjegjshëm për pasurinë tonë, nuk e ruajmë. Kemi raste plot.  Siç ishte rasti i bibliotekës kur ra uji, u shkatërruan disa vepra të mira. Në fusha të tjera, të këngës, të kinematografisë , të letërsisë, të pikturës; këto janë  shtylla që ndërtojnë fytyrën e një kombi. Nuk është vetëm kënga problem, trashëgimia kulturore duket frikshëm e rrezikuar. Më vjen keq që nuk jemi  të vetëdijshëm për të ruajtur vlerat tona. Shqipëria është e gjitha një vlerë, ka pasuri plot, ajo duhet trashëguar në breza  dhe ka njerëz që duhet ta ruajnë. Nuk është fjala se po ruajmë një përparëse apo një pikturë të bukur. Ne kemi zëra të bukur p.sh, të flasim në fushën time, ne kemi zëra që janë monumente dhe duhen ruajtur.  Nuk është një analizë që e bëj vetëm unë, se unë nuk jam askush të gjykoj gjithë këtë zhbërje që për fat të keq po pëson Shqipëria. Më  tremb ky fakt. Unë e dua vendin tim dhe dua të jetoj 1000 vjet pas vdekjes sime dhe 100 vjet pas atij që do  vdesë pas 1000 vjetësh. Për këtë ndjehem e keqardhur.

Më duhet të them se kjo intervistë dhe gjithë koha që kaluam duke shkrepur fotot e kopertinës më la një shije të pozitivitetit dhe madhështisë. Mes të tjerash zbulova një raport tuajin shumë të veçantë me ngjyrat dhe këpucët. Na tregoni diçka tjetër për këtë ?

Në rrugëtimin  e karakterit të një personi ka shumë gjëra që ai nuk është i vetëdijshëm për atë çka ai dëshiron apo ka hobe a pasione të tij. P.sh  në shumë kohë më përpara, po edhe sot kam dashur që shtëpinë së brendshmi ta ndërroj shumë shpesh. Kam dashur të ndërroj mobilimin, ta heq një pjesë , të shtoj ngjyra të tjera, të ndërroj një faqe muri etj, e kam bërë shpesh. Ndërkohë kuptoj që paskësha pasur pasion edhe veshjen. Kujtoj një detaj të tim eti  që kishte shumë kollare në dollap, i kombinote kostumet me kollaret dhe këmishat.  Më duket kam diçka që i ngjaj babit në këtë gjë, sigurisht mes një morie gjërash të tjerash . ( Qesh ).  Kur fillon e ke shumë garderobë natyrisht ti do ta kombinosh çdo veshje me këpucën e vetë.  Nuk është se unë blej këpucë pafund, por kur blej një veshje, ia blej edhe këpucën. Edhe në rastet e shkëputura , kur më pëlqen një këpucë e blej. Dhe kështu bli dhe bli gjithë këto vite, kam kuptuar se më janë bërë një mal me këpucë. Normalisht edhe heq, sepse është e pamundur . Duhet të kemi pastaj një shtëpi për  këpucët, një për rrobat , për librat e kështu me radhë. Këpucët i dua shumë, i kam pasion. Ato në jetën e përditshme i mbaj gjithmonë të mira, që të jenë komforte. Pastaj këpucët që kombinoj me veshjet jo domosdoshmërish janë shumë të shtrenjta. Ndërsa këpucët që i mbaj 6 orë në këmbë janë lëkurë, të buta , që pavarësisht sa është taka e lartë të jenë të rehatshme. Mendoj se dy gjërat më të rëndësishme për mbarëvajtjen e ditës së një njeriu janë : këmba , (të ecësh mirë) dhe koka, (të flesh rehatshëm), pra jastëku. Edhe atij i kushtoj rëndësi.

Ekskluzive/ Rrëfimi i Irma Libohovës, mbi jetën, muzikën dhe pasionet e pathëna 3Kush ju vesh në daljet tuaja publike apo edhe videoklipet?

Zakonisht zgjedhjet që bëj i kam me shikim të parë. E shoh dhe them kjo më bën. Rrotullohem vetëm njëherë përpara pasqyrës dhe bindem se kjo është e duhura. Mundohem mos të bëj gabime. Në fazën e fundit  të një projekti marr këshillime, është Bela Maçi që nuk gabon kurrë. Kam bashkëpunime edhe me stilistët e tjera dhe atelie të tjera, vajza të cilat imitojnë ato që unë u çoj, por edhe vajzat që ideojnë në rastin e Bela Maçit apo Rezarta Skifterit, sepse ato janë stiliste, jo thjesht zbatuese.  Mundohem shumë sepse tashmë gjurma online mbetet  gjithmonë. Thoshin dikur një mallkim : ‘’Tu harroftë emri’’. Po me këtë median sociale dhe ekspozimin në internet sot nëse bën një gabim është e vështirë të harrohesh. Duhet shumë kujdes në dalje. Jam shumë e kujdesshme. Kam një autokontroll të skajshëm, mundohem të bëj sa më pak gabime, dhe kjo është kudo, në lidhje me veshjen, punën, njerëzit, gjithçka.

 

 

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *