DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

On the Cover

Elsa Saka – Rrugëtimi im në Arkivën e Shtetit Shqiptar

Shpërndaje

Arkivi është trashëgimia qënësore historike dhe shpirtërore e një shteti dhe e një shoqërie. Njohja dhe analiza e dokumentave është një udhëtim kompleks në të kaluarën e hershme, memorien kombëtare, mes fakteve, të dhënave fotografive dhe detajeve që kanë përcaktuar realitetin e vendit tonë dhe shumë herë vizualizojnë të ardhmen.

Përshtypjet,vlerësimet dhe perspektivat vijnë të rrëfyera nga një zyrtare sa e re, por po aq dhe me shumë përvojë, në Arkivën e Shtetit, Elsa Saka e cila drejton Drejtorinë e Evidencës Qendrore dhe Komunikimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.
Duke ‘zbuluar’ e njohur një pjesë shumë të rëndësishme të identitetin tonë si shqiptar intervista është një rrëfim po aq edhe i veçantë për këndvështrimet historike dhe ndikimin e Arkivave në opinionet e sferës publike.
Një intervistë që ka thellësi dhe që të bën të mendosh fort…!

Ju jeni drejtuese e Drejtorisë së Evidencës Qendrore dhe Komunikimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. Si i kujtoni fillimet tuaja në këtë institucion?

Fillimi i punës ne këtë institucion ka qenë një kombinim i jashtëzakonshëm ndjesish mes një kurioziteti të madh si eksperiencë e parë pune në institucion shtetëror, emocione të papërshkrueshme të përgjegjësisë dhe këmbënguljes se madhe për të mësuar çdo detaj. Mbaj mend që në mendimet e mia Arkiva e shtetit vinte si një institucion madhështor, maja e Olimpit të historisë së një shteti, ku unë do përballesha me anë të errëta dhe të ndritura të historisë, por që në sfidat e aktualitetit të çdo brezi marrin kuptime dhe funksione të ndryshme. Arkivi është trashëgimia që i jep dinjitet një shteti dhe një shoqërie. Në këtë kuptim fillimet e punës si specialiste në DPA i kujtoj me emocionet e një përgjegjësie shumë të madhe që përjetoja kur hyja në vend-ruajtjen e dokumenteve dhe kur prekja dokumentet origjinale që më duhej t’i përpunoja sipas normave tekniko-profesionale e metodologjike të shërbimit arkivor në Republikën e Shqipërisë. Kam patur një bashkëpunim të shkëlqyer me punonjëset me eksperiencë të Arkivit si dhe me të gjithë stafin në tërësi në sajë të komunikimit që unë e kam çelësin tim të fortë.

Elsa Saka - Rrugëtimi im në Arkivën e Shtetit Shqiptar 1

Puna në Arkivë, në një perceptim popullor e të përgjithshëm është një profil shumë serioz, por dhe i rëndësishëm e tregues për çdo shtet. A ka qenë e vështirë për ju t’ia dedikoni kohën dhe karrierën tuaj kësaj fushe?

Sikurse e theksova që në pyetjen e parë, për mua Arkivi Qendror ka qenë dhe mbetet një institucion elitar në aspektin e një ndërthurjeje shumë komplekse të fakteve, dokumentave dhe informacionit jo vetëm zyrtar, por dhe të renditjes së ngjarjeve dhe korrespondencave shkresore mbi këto ngjarje. Arkivi i një shteti sipas mendimit tim është një institucion me përmbajtje sa llogjike aq edhe shpirtërore. Është e vështirë ta ndash këtë raport duke punuar dhe reflektuar mbi përmbajtjen e dokumenteve, fotografive, letrave, artifakteve e plot zhanre të tjera publicistike, historike, letrare etj. Ajo çka unë ndiej pas më shumë se 8 viteve eksperience, në planin personal është një krenari dhe vetëvlerësim i lartë, si dhe mirënjohje për shansin që mu dha për të bërë karrierë brenda këtij institucioni. Për mua kjo punë është një universitet më vete i përditshëm ku unë mësoj dhe në një farë mënyre testohem për shkallën e njohurive të mia. Por njëkohësisht është dhe një botë tjetër ku çdo ditë pune mëkrijon idenë e një  udhëtimi në kohë ku takimet me brezat vijnë përmes studimit dhe analizës së thellë të dokumenteve. Them se puna me këmbëngulje sistematike dhe shumë pasion janë në themel të arritjeve dhe çka unë zotëroj për të arritur këtë post. Mendoj se rasti im është një model eficent i të bërit karrierë me meritokraci, pasi kam konsumuar me vlerësime shumë pozitive nga eprorët, por dhe ekspertë jashtë institucionit, të niveleve të punësimit së nëpunësit civil: specialiste-shefe sektori dhe prej disa muajsh drejtoreshë drejtorie. Nga ana tjetër edukimi im në fushën e mediave, informacionit, komunikimit, dhe kontakti periodik që kam me mediat mbetet një bazë solide që më ka ndihmuar shumë, duke më dhënë siguri dhe vizion për punën që bëj.

Shpesh herë themi mes nesh se për të parë të ardhmen duhet të shohim fillimisht nga e shkuara . Si është e shkuara jonë kombëtare?

Dokumentacioni i arkivës shfaq me shumë dritëhije, por edhe në mënyrë “të akullt”, një ngjarje apo ciklin e ngjarjeve, pra renditjen e fakteve dhe të dhënave zyrtare. Por nuk duhet të konfondojmë fokusin e Arkivës vetëm me historinë, pasi Arkivi është institucioni që simbolizon dokumentacionin e një shumatoreje disiplinash të karakterit filologjik, pra një trashëgimi e humanizmit e kombit tonë ku nuk mungojnë shumë të dhëna mbi ngjarje të kombësive të rajonit, kontinentit evropian dhe diasporës së largët etj. Nga ana tjetër në Arkivë dalin në pah qasja, qëndrimet, këndvështrimet e ndryshme kontradiktore, por dhe shumë interesante që kanë personazhet e ngjarjeve me rol qendror ose periferik ndaj vetë këtyre ngjarjeve apo më pas jehonës që ato shënojnë në realitetin që jetojmë. Dokumentacioni mbi të kaluarën është i pasur dhe kompleks, por edhe i cunguar për shkak të rrethanave shumë të vështira historike që Shqipëria ka përjetuar. Në arkiv në fund të fundit, ti kupton mentalitetin e popullit tënd, por dhe shpirtin dhe zemrën e tij, si dhe njerëzve të njohur të elitave që e përfaqësojnë atë në etapa të ndryshme historike dhe shkrimi brenda dokumentave përcjell vetë historinë. Nga ana tjetër fotografitë janë një pjesë shumë e çmuar e arkivit ku fototeka përbën një sektor më vete, dhe këtu më vjen në mend shprehja e famshme që “fotografia nuk është stil në pasqyrimin e realitetit, por është këndvështrim dhe të bërit histori”. Për t’iu përgjigjur thelbit të pyetjes suaj mbi të shkuarën, unë mendoj se Shqipëria do të mbesë ende e varur dhe për shumë vjet nga e kaluara e saj e afërt dhe e largët . Ne jemi një popull që i referohemi shpesh në mënyrë jo korrekte, ndoshta deri diku abuzive historisë , arkivave, për të justifikuar sjelljet tona, gabimet, papërgjegjshmëritë apo dhe sukseset. Nga aq njohuri sa kam marrë në këtë institucion, mendoj se ne nuk i kemi bërë siç duhet dhe sa duhet llogaritë me të kaluarën. Nevojitet një proces i fortë, “ gjyqësor “ në aspektin e vlerësimit dhe rolit që kanë dokumentet e së kaluarës.

Më duhet të pranoj se jam paksa edhe e habitur sesi ligjërimi i një vajze të re për të kaluarën dhe Arkivën ngërthen në vetvete shumë pasion dhe tregon shumë përkushtim. Cili është dokumenti që keni më për zemër në Arkivë dhe që ju emocionon kur flisni për të?

Të flasësh për preferenca është shumë e vështirë sepse Arkivi është thesar i paçmuar. Çdo dokument në arkiv ka një rol të rëndësishëm historik, kulturor dhe shpirtëror duke filluar që nga fondet personale që më kanë lënë mbresa të veçanta në përmbajtjen e tyre, vizionin e fshehur, profesionalizmin e lartë të shkrimit si dhe korrespondenca dhe ditare. Për shembull, korpusi i gjithë shkrimeve të poetit kombëtar Lasgush Poradeci, dhuratë e bërë nga bija e autorit Arkivës së Shtetit, është një thesar më vete. Por kryevepra për mua dhe që unë i kam si pikë referimi mbeten Kodikët e Beratit të cilët i përkasin shekullit të VI dhe të IX. Këta thesarë të vërtetë të trashëgimisë shpirtërore botërore të shpallur dhe nga UNESCO, kaligrafia me shkronja të arta dhe të argjendta janë një mrekulli jo vetëm e botëkuptimit fetar, por mbi të gjitha njerëzor në Mesjetën shqiptare. Në Arkivin Qendror Shtetëror ato u dorëzuan me një ceremoni të nivelit të lartë në vitin 1968 dhe restaurimi i tyre është bërë në Kinë. Ato sot ruhen në AQSH në parametrat dhe kushtet e duhura dhe me një siguri të lartë ruajtjeje. Në vitin 2018 në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu u zhvillua ekspozita ‘’Urtësi e Pashuar’’ nën kujdesin e Krzeministrisë te ish-vila e diktatorit duke u ekspozuar më shumë se 100 kodikë që ruhen në AQSH, ku përgjegjësia dhe ankthi për ekspozimin sa më dinjitoz të tyre në publik ka qenë shumë i lartë. Deri më sot ka qenë një nga ekspozitat më të suksesshme që ka zhvilluar DPA, ku ekspozitën e vizituan 1500 vizitorë çdo ditë për tre javë duke kaluar dhe afatin në të cilën ishte përcaktuar.

Elsa Saka - Rrugëtimi im në Arkivën e Shtetit Shqiptar 2

Cila është rutina juaj pas punës në DPA? Cilat janë pasionet dhe koha e lirë?

Rutina fillon me hapjen e e-mail-eve apo mesazheve në telefon, kafen e parë e marr duke punuar, sepse kështu më shijon. Vijon me bisedën e planeve të ditës me punonjësit e drejtorisë dhe më pas me prioritetet e axhendës së punës. Kam ditë në jave që janë shumë ritmike pasi ka aktivitete dhe konferenca të ngjeshura. Drejtori i përgjithshëm e ka futur Arkivën në shinat e një institucioni shumë ritmik modern dhe në marrëveshje të shumta rajonale dhe ndërkombëtare. Për pasojë ngjarjet dhe aktivitetet janë të shumëllojshme, të bukura, por edhe me shumë ngarkesë, pasi DPA është dhe një imazh i rëndësishëm publik i shtetit tonë. Përsa i përket kohës jashtë punës, mundohem shumë të lexoj romane, histori, por dhe të shijoj tryezat në restorante dhe bare me miqtë. Më pëlqejnë shumë seminaret dhe trajnimet, por dhe udhëtimet pasi mund të mësosh pa fund jo vetëm në aspektin profesional, por dhe atë njerëzor.

Një “hobi im i pandreqshëm’’  është shop-ingu për veshje. Kam pikë të dobët këmishat dhe kostumet zyrtare në tërësi pasi më përshtaten dhe me karakterin e punës.

Si ka qenë e shkuara e Elsës ? Dua të them, na tregoni pak për Elsën fëmijë, adoleshente, studente. Cilat kanë qenë ëndrrat dhe dëshirat?

Adoleshenca ime ka qenë me shumë ngjyra, me mendime të thella, por me shpirt të brishtë. Jam rritur në një familje me tradita dhe me zakone të një bujarie të vërtetë dhe nderimit të miqve. Jo më kot jemi quajtur labë sepse jemi zemra e malësisë së Jugut ku miku mikpritet me ngrohtësinë e oxhakut të ndezur dhe me shpirtin e hapur. Jemi të ashpër pak si njerëz, por të vërtetë dhe të palëkundur në vlerat dhe traditat tona. E kam shijuar fëmijërinë me lodra pa fund, me shoqet e shokët, por dhe me ‘tallazet’ e herëpashershme të adoleshencës. Ëndrrat dhe dëshirat e mia kanë qenë gjithmonë të lidhura me të pasurit të një karrierë ambicioze, të pasurit një shtëpi të ngrohtë dhe familje me norma, sikurse unë jam lindur e rritur. Si studente kam qenë me vullnet dhe ambicioze për të mësuar sa më shumë nga pedagogët, por dhe njerëzit me eksperiencë që na janë gjendur në faza të ndryshme të jetës. Gjithmonë jam përpjekur që miqve dhe shoqërisë t’i gjendem sa më pranë në momentet dhe sfidat, pasi për gëzime e festa, njeriut i shtohen shumë të njohur e të panjohur. Në jetën time parimet e mbështetjes së familjes dhe miqve, si dhe të sinqeritetit në një raport njerëzor, i kam të shenjta dhe i respektoj pa kushte dhe interes. Kam patur një përvojë pune të dobishme në sektorin privat në fushën e PR dhe komunikimit, ku sigurisht jam munduar të lë një emër të mirë dhe rezultate të rëndësishme.

Më vjen natyrshëm të pyes. A jeni ju sot ajo që keni ëndërruar kur ishit e vogël?

Falenderoj Zotin që deri diku ëndrrat për punën më janë realizuar, por i lutem gjithmonë Zotit të më nderojë dhe të më ndriçojë mendjen për të arritur rezultate dhe suksese në projektet e mëtejshme, si dhe për marrëdhënie sa më të frytshme me kolegët dhe të jem përherë në rrugë të drejtë. Kam dëshirë për të patur mundësinë për një shtëpi komode, me partnerin e duhur që te jetë babai i merituar dhe i përgjegjshëm i fëmijëve dhe familjes sime të ardhshme, sepse familja është pasuria më e madhe e palëkundshme, bekim dhe themeli i një jete me kuptim për një femër. Ia uroj me shpirt secilës vajzë këtë bekim.

Cila është ëndrra më e madhe e Elsa Sakës?

Ëndrra ime më e madhe është të ndërtoj një familje me harmoni dhe me fëmijë të mbarë, të aftë e të dobishëm për veten dhe shoqërinë. Por si patriote labe që jam , një ëndërr e imja është të shoh sa më shpejt Shqipërinë, anëtare të BE-së dhe me sa më shumë turistë e pushues të huaj veçanërisht në zonën time, Labërinë e mrekullueshme, por ende të pazbuluar mirë. 

Elsa Saka - Rrugëtimi im në Arkivën e Shtetit Shqiptar 3Cila është këshilla juaj për vajzat e reja që ëndërrojnë të njohin suksese dhe të ngjisin shkallët e karrierës?

Këto këshillat e karrierës dhe suksesit janë bërë pak klishe. Sepse ka edhe raste që jo çdo femër e suksesshme mund të japë këshillat e duhura, pasi karriera ndonjëherë vjen dhe si dhuratë dhe jo si meritë. Por nga eksperienca e deri më tanishme, këshilla dhe sugjerimi që i jap çdo vajze dhe që ia përsëris edhe vetes sime çdo ditë, është: Puno me pasion dhe ndershmëri, sikurse në ditën e parë të punës. Dëgjo me kujdes dhe reflekto mbi çdo këshillë dhe gabim që mund të bësh. Aftësia dhe e drejta është cilësi, është energji, që nuk mund t’a zhdukë asnjë paaftësi apo ligësi njerëzore, sado frenuese të jetë ajo.

Si një grua në karrierë si e shihni mjedisin e punës në Shqipëri kur vjen fjala te barazia gjinore apo mbështetja e grave në karrierë? 

Në thelb unë mendoj se çdo femër është e suksesshme dhe shumë e dobishme në rolin dhe në punën e saj në shoqëri. Sepse në shumicën dërmuese gruaja është ndërtuar nga Zoti biologjikisht, si një qenie humane shumë e përgjegjshme, dhe jo më kot asaj i është dhuruar dhe misioni i të qënurit dhe të bërit nënë. Unë kam një nderim të jashtëzakonshëm për nënat tona, gratë e sakrificës dhe të forta. Shqipëria është një thesar në kapacitetet femërore, edhe përsa i përket atyre mijëra grave e nënave shtëpiake, apo edhe shumë kryefamiljareve që punojnë e sfidojnë jetën e përditshme me probleme e halle plot. Është bërë shumë punë dhe ka shumë rezultate mbi përfaqësinë gjinore në institucione, biznes, universitete e shumë fusha të jetës. Por ka dhe plot hapësira për të punuar më fort. Ka shumë, por shumë vajza e gra të afta, të mençura dhe jo të gjithave i jepet shansi dhe mundësia e karrierës. Këtu në këtë sfidë, të gjithave ne, pavarësisht mundësive, roleve që kemi, na duhet të punojmë fort për të patur një Shqipëri me sa më shumë mundësi punësimi e karriere për vajzat dhe gratë. Secila prej nesh duhet të bëjë rolin e vet qoftë dhe duke diskutuar, informuar apo lobuar në rrjetet sociale për më shumë të drejta dhe edukim e punësim për të rejat. Jam e lumtur që në Arkiv kemi shumë punonjëse gra dhe vajza me aftësi dhe talent. Unë gjithmonë i mbështes dhe i nxis vajzat në institucionin tonë që ti shkojnë deri në fund ambicieve të tyre. 

Sipas jush a vlerësohet siç duhet rëndësia e Arkivës nga qeveritë politika, apo edhe vetë shoqëria ?

Sigurisht që ka një përmirësim të ndjeshëm dhe të shtuar ndaj kujdesit që po tregohet ndaj Arkivave. Dhe kjo duket veçanërisht në rritjen cilësore të infrastrukturës së ruajtjes dhe ekspozimit të dokumentave të Arkivit në publik. Mendoj se qeveritë dhe politika janë bërë çdo vit e më koshientë për rëndësinë historike që ka institucioni i Arkivës, infrastruktura e tij dhe burimet njerëzore që punojnë për të. Por njëherësh për vetë politikanët dhe zyrtarët, roli i Arkivave në shtet-konsolidimin është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm dhe i nevojshëm. P.sh, po të vini re me kujdes ligjërimet e politikanëve në mjedise të ndryshme dhe veçanërisht brenda Parlamentit i kushtojnë një rëndësi të theksuar përmbajtjes së mesazhit dhe sjelljes së tyre për të mbetur gjatë dhe sa më pozitivisht në kujtesën historike dhe në përmbajtjen e arkivave. Pra si të thuash duan që të jenë me portret sa më të kthjellët dhe ndriçues në pasqyrën e historisë dhe pas shumë etapash. Mendoj se në raport me publikun arkivat edhe pse janë një institucion i hapur dhe me qasje shumë afruese ndaj studiuesve, ende ka një vetëdije jo aq të lartë për rëndësinë e tyre. Prandaj i kemi dhënë rëndësi ekspozitave të shumta dhe e cilësoj shpesh në çdo ekspozitë që jemi ‘’Arkiva të Hapura’’ dhe mundohemi që të shkojmë ne te publiku sidomos në ambiente të hapura në kryeqytet, në qendra të ndryshme, ku nuk mund të lë këtu pa përmendur dhe Kalanë e Tiranës që ka qenë një nga bashkëpunëtoret më të mirë. Nëpërmjet ekspozitave u japim inkurajim dhe ndërgjegjësim më të madh në kurrikulat arsimore në gjimnaz edhe në universitete për të shtuar kontaktet me Arkivat dhe të përdorin sallën e studimit për studime dhe botime sepse më shumë se të rinjve nuk i shërben askujt më tepër, studimi i të kaluarës, i njohjes së qasjeve të ndryshme historike politike etj.

Elsa Saka - Rrugëtimi im në Arkivën e Shtetit Shqiptar 4Cilat janë projektet më të fundit të Arkivës?

Viti 2019-të ka qenë një vit i suksesshëm në inventarin e projekteve të DPA-së, por që do të vijojnë edhe në 2020-ën. Një nga projektet me rëndësi do të jetë vazhdimi i digjitalizimit të dokumenteve ku do skanohen 11701 dokumente çdo ditë. Projekte shumë të rëndësishme janë finalizimi i bibliotekës dhe fototekës, qasjes së tyre online nga gjithë studiuesit e interesuar. Do të përfundojë rrënjësisht infrastruktura mjedisore e vend-ruajtjes së dokumenteve  me sisteme të larta sigurie, kushte garantuese mikroklime dhe vendosja e kutive speciale për këtë qëllim. Projektet kanë synuar përfundimin e digjitalizimit të fototekës dhe prezantimin e saj online, gjithashtu ngritjen e një komunikimi aktiv me studiuesit, studentët dhe publikun për të sugjeruar informacion mbi përshkrimin e fototekës dhe bibliotekës së Arkivit. Do të vazhdojnë ekspozitat e shumta dhe në qytete të ndryshme të vendit për ta bërë sa më të afërt përmbajtjen e historisë me publikun, median, shoqërinë civile dhe prezantimin mediatik periodik, për të afruar sa më shumë arkivin me të rinjtë.  Një nga ngjarjet më të rëndësishme është edhe stenda e DPA-së në Panairin e Librit, ku këtë vit ishim për të dytin vit radhazi, ku në 2018 u rikthyem pas 6 vjetësh, me premtimin për të mos munguar më. Një projekt mjaft i rëndësishëm gjatë vitit 2020 do të jetë përfundimi i përpunimit të dokumenteve arkivore para vitit 1944 dhe të dokumenteve të PPSH-së si dhe një orientim drejt një strategjie 5-vjeçare për të gjitha dokumentet e tjera. Do të vazhdojnë botimet e përbashkëta arkivore me institucionet që kemi marrëveshje bashkëpunimi si edhe hartimi i revistës arkivore direkt pas konferencës ndërkombëtare të Arkivistikës e kthyer në traditë pas tre të parave në Tiranë, Kosovë dhe Shkup. Këtë vit do të mbahet në Sarandë nën kujdesin e bashkisë së qytetit. Po e mbyll me këto që janë vazhdim dhe risi sepse nëse do të vazhdoj nuk do më dalin faqet e revistës … (Buzëqesh)

 

Fotografia : Edvina Meta

Make Up & Hair : Artur Muça & Doni Hairstyle

Veshjet : Ani’s Boutique

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *