DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Art & Culture

Emine Hoti, misionarja e shqiptarizmit nëpër botë!

Shpërndaje

Nga Agim Qoku

Duke qenë gjithmonë pranë librit kam pasur mundësinë të njoh e të shprehem për veprën letrare e artistike të disa personaliteteve  në fushën e letrave shqipe. Krijimtaria letrare e artistike e Emine Hotit te cilën rastësisht ma rekomandoi miku im i vjetër Viron Kona  më tundoi të shpreh konsiderata e vlerësime pasi lexova me shumë vëmendje tre librat e fundit të saj: ‘’Simfonitë e Jetës’’, ‘’Pyesni Zemrën’’ dhe ‘’Feniks’’.

Që në fillim kupton se ke të bësh me një personalitet krijues, interesant,  i dyzuar në dy realitete e botëkuptime thellësisht të ndryshme të jetuara. Realiteti i parë lidhet me rininë e hershme me vuajtje, nëpërkëmbjen ku ëndrrat vriten, liria mungon e detyrohesh me ikë i lënduar e pa shpresë. Realiteti i dytë përbën për poeten e shkrimtaren një hapësirë të pamatë mundësish, por që të realizohen duhet mosngutje, këmbëngulje e dashuri, cilësi të cilat në karakterin e fortë të poetes janë edukuar me kohë e ambienti i ri social e shoqëror i shpalos e i vë në lëvizje pa vështirësi.

E lindur dhe e rritur në një familje atdhetare nga më patriotet e më kontribueset për çështjen kombëtare në Kosovë, Emine Hoti kthehet në Norvegji, në një strehë atdhedashurie me krijimtarinë e saj për mërgimtarët.

Të shkruarit Emineja e ka kthyer në motiv të jetës se saj, kundra çdo lloj pabarazie e diskriminimi pasi dashuria për jetën, të vërtetën i falin lumturi, por jo aq sa buka e kripa e Arbërisë e 30 viteve më parë, në Atdheun e pazbrazur.

Vjeshta e vitit 1989, largimi pa faj prej okupimit, duke lënë pas trojet e atdheut, janë brenga e saj, prandaj poetja paraqitet me një botë te pasur shpirtërore, ku harmonizohen shumëllojshmëri idesh, detajesh e subjektesh që japin shumë thjeshtë e qartë mesazhe estetike, e që krijojnë emocione për këdo që i lexon.

Vepra e Emine Hotit, është përvoja e saj jetësore, rinia e shkollimi i hershëm në shoqërinë e Kosovës, si dhe mikpritja e angazhimi social e shoqëror në ambientin e ftohtë, por mbështetës norvegjez. Ky dyzim shoqërish, kushtesh e mentalitetesh lënë gjurmë tek poetja, e cila reagon me shumë qytetari nëpërmjet poezisë pavarësisht plagëve që kane lënë në kujtesë e shpirtin e saj genocidi serb në Kosovë.

Me lehtësi në çdo krijim të poetes nënkuptohet se ajo në çdo moment është e informuar, koherente me ngjarjet në vendlindje  dhe dielli i pakët në Norvegjinë e largët, e bën atë të meditojë e të shkruajë për më shumë rreze drite për të ardhmen e shtetit më të ri të Arbërisë, ku në mijëvjeçarë fjalët e para u bënë vepra.

Aq shumë gjurmë ka lënë në jetën e poetes  vendlindja, sa edhe kur shoqëron fëmijët, në çdo hap që hedh i duket se ka mbi supet e shpinën e saj Kosovën, Shkupin, Çamërinë, Preshevën, Arbëreshët e Arvanitasit, të gjitha trojet kur flitet shqip. Poetja shfaqet si metaforë e shpirtit të qëndresës , mbijetesës, si simbol i intelektualizmit atdhetar e angazhuar për zgjimin e ruajtjen tek diaspora të kulturës e traditës shqiptare.

Brezin e fundit të emigrantëve shqiptarë në botë, ajo i konsideron si ambasadorët më të mëdhenj të Shqipërisë e shqiptarëve, si dëshmitarë e avokatë aktivë, si ardhmërinë e shqiptarëve të bashkuar në një Atdhe të plotësuar. Poetja nuk ndihet e vetme në Norvegjinë e largët, pasi ka gjuhën e flamurin e Atdheut që e shoqërojnë dhe në mëndje Drenicën, djepin e lirisë së Kosovës që ngjalli themelin e kombit e cila nuk duhet harruar. Vepra e saj përbën dhe një himn për heronjtë e Kosovës, të kohërave të hershme e kohërave të reja.

Krijimtaria e Emine Hotit rrezaton vlera të larta artistike njerëzore, humane ku shfaqen motive e tablo shqiptare duke e kthyer atë në një pishtar të çështjes kombëtare.

Vullneti e dëshira e saj për të qenë prezente në çdo aspekt të jetës së re në komunitetin shqiptar në Norvegji, e bën atë të shfaqet interesante, si një emisare e kulturës shqiptare sidomos për të vegjlit, duke edukuar tek ata dashurinë për atdheun, Kosovën e rilindur nëpërmjet luftës e mbështetjes së shoqërive demokratike perëndimore.

Parë në këtë këndvështrim vepra e saj i bën homazh të gjithë përpjekjeve mbinjerëzore të popullit shqiptar të Kosovës që sakrifikuan gjithçka për lirinë e atdheut të tyre, duke përcjellë tek lexuesit mërgimtarë, mesazhin se çdo gjë është e mundur vetëm me përpjekje, sakrifica e përballje të një karakteri të fortë.

Sipas saj nuk mund të ketë lumturi vetjake kur atdheu vuan, duke frymëzuar këdo që lexon në vijimësi veprën. Portretizimi që Emineja u bën heronjve të Kosovës, të afërmve të saj, përcjellin jo vetëm respekt e dashuri për ta e veprën e tyre, por dhe një mesazh atdhedashurie, larg nacionalizmave pengues e dëmtues tek të rinjtë shqiptarë në Norvegji.

Ajo në çdo moment është e gatshme të flasë me këdo, mundësisht edhe me zogjtë, për të qetësuar sadopak shpirtin e trazuar të saj, e për tu thënë nipërve e mbesave se atdheu i tyre është atje tek zogjtë e shqipeve, duke rrëfyer estetikisht pse ky vend është më i bukur e më i miri në botë.

Pengu më i madh i jetës së saj mbetet largimi me dhimbje prej vendlindjes, Drenicës, Kosovës, prindërve të moshuar mbetur atje, shtëpisë së braktisur, të shpërngulurit e të mbeturit, bukuritë e natyrës dhe jeta në Kosovë, duke dhënë mesazhin prekës se kthimin ia kemi borxh Kosovës.

Rinia e trazuar nga  genocidi dhe mentaliteti veçues, pengues e paragjykues për gjininë femërore në Kosove, e kanë mbushur gjithë qenien e saj me një valë kundërshtie të heshtur që ka mundur ta shprehë vetëm nëpërmjet krijimtarisë në ambientin letrar norvegjez.

Në poezitë e saj autorja paraqet  imazhin e botës e të jetës ashtu siç e mendon ajo, të qetë, të begatë shpirtërisht, pa vese, pa përbuzje e diskriminim klasor, etnik, fetar e gjinor. 

Ky këndvështrim i të ardhmes e ka burimin tek realiteti shoqëror e social norvegjez, i cili ka lënë në botën shpirtërore të autores  mendimin nxitës , mbështetës, promovues, jo përbuzës, duke e hedhur në vargje si një testament për çdo shqiptar që jeton në këto hapësira demokratike.

Emine Hoti është një luftëtare feministe ku sipas saj, universi është nderi i gjinisë femërore, e femra shqiptare të mos presë t’ia falin liritë e të drejtat. Poetja i drejtohet botës mashkullor se në gjininë femërore janë: nëna, motra, gjyshja, vajza juaj dhe  mosrealizimi i tyre në jetë shprehin plagë të shoqërisë, se ndërtuar gabimisht prej meshkujve e që duhen shëruar. Për poeten Emine Hoti femrat janë xhevahire të kësaj bote.

Problemet e jetës sociale që shoqëritë moderne mendojnë se i kanë zgjidhur, Emine Hoti i trajton në një këndvështrim disi ndryshe, duke qortuar e këshilluar të rinjtë për të treguar më shumë kujdes ndaj fenomeneve e marrëdhënieve të reja në këto shoqëri  sidomos ndaj asaj që quhet dashuri e materializuar. 

Duke u shprehur lirshëm e thjeshtë me një gjuhë ku jeta, emocionet familjare pasqyrojnë çdo aspekt të së përditshmes  si dhe për sjellje që edukojnë dashuri, poetja qorton të shkuarën e saj. Ajo me fjalë të thjeshta, lehtësisht të kuptueshme krijon  tek lexuesi një ide të qartë për vështirësitë me të cilat mund të hasemi në jetë e si ti përballojmë ato.

Njohjen e thellë të natyrës njerëzore poetja arrin ta përdorë  në kontekstin kohor dhe e ekuilibruar ajo mundet e shpreh artistikisht tallazet e veta  duke na dhënë përfytyrimin e qartë e real të së pamundurës në Kosovë.

Si çdo femër tjetër, poetja shprehet për shumë ngjarje e ëndrra të parealizuara në jetë, për dëshira të paarrira në rininë e saj të hershme prej peshës së rëndë të mentalitetit. Ajo largohet lehtë, thjeshtë e pa u ndjerë prej tyre me premtimin se nuk do t’i harrojë, por dhe se çdo kush mund e duhet të nxjerrë mësime.

Në shumë vargje autorja  pasqyron plotësisht të ardhmen e zymtë të jetës në Kosovë duke i rrëfyer lexuesit, jo vetëm dashurinë e munguar e që mbeti larg, por dhe nevojën për të qenë vigjilentë. Poetja këmbëngul që brezat të përcjellin tek njëri-tjetri ndjenjën e dashurisë së çiltër.

Kjo grua e  emancipuar e larguar me kokën pas shkoi duke lënë nënën, dashurinë dhe lumturinë e paarrirë. Ajo lutet e mendjen e ka tek gjithçka që la pas . Poezitë e saj janë një oshtimë therëse për këdo që e lexon këtë dramë të jetës së saj e që do të kuptojë ndikimin e mentalitetit pengues e patriarkal mbi jetën e femrave në shoqëritë e mbyllura.

Ndjenja e reagimit stimulon çdo lexues të poezive e të krijimtarisë së saj duke përcjellë mesazhe krenarie për këdo që do të angazhohet në ketë sfidë të jetës së grave në Kosovë, ku elementët dogmatikë e kanunor pengojnë integrimin gjinor.

Ajo mishëron idealin e gruas shqiptare, por edhe të njeriut me formim te gjithanshëm duke u kthyer jo vetëm në një lëvruese të gjuhës shqipe, por dhe në një personalitet e feministe e letrave shqipe .

Poetja shfaqet si një figurë e shënuar e shprehet për larmi problemesh shoqërore, morale e filozofike , të drejtën e njeriut për të vendosur vetë, për fatin e tij, për kategoritë filozofike, të mirën ,të keqen e për të drejtën për të qenë i lumtur.

Jeta e Emine Hotit nuk është e zbrazët, por e ngarkuar me histori e ngjarje të ngjeshura dhe këtë përjetim të saj në jetë e paraqet shumë bukur në shumë elementë duke i dhënë veprës së saj dhe një përmbajte filozofike.

Krijimtarisë së Emine Hotit ia shtojnë më shumë vlerën mjetet e shumta letrare, përdorimi i të cilave bëhet me mjeshtëri në dimensione të gjëra poetike e ndjeja të larta atdhetare e përshkojnë atë fund e krye prandaj ajo do të ketë një vend nderi në historinë e letërsisë shqipe në Diasporë.

                                    

Emine Hoti, misionarja e shqiptarizmit nëpër botë! 1Rreth Autorit: Agim Qoku prej shumë vitesh punon si mësues dhe drejtues shkolle në disa institucione shkollore në Elbasan. Që nga viti 2000 është shfaqur në shtypin profesional me materiale të shumta  në fushën e pedagogjisë dhe psikologjisë. Është përfshirë në shumë projekte për problemet e gjithëpërfshirjes e integrimit në shkollat normale dhe është i certifikuar në këtë fushë. Botimet në fushën e aftësisë së kufizuar, shkaqeve të diversitetit e të ndryshueshmërisë në popullatat shkollore si dhe barazisë gjinore në shkolla e bëjnë  një personazh të njohur në fushën e mësuesisë në Elbasan e më gjerë. Investimi i tij në studime , shkrime e botime do të shoqërohet me produkte të reja interesante.

Ai ka qenë kontriubues në  librin “Marigoja shqiptare në Norvegji”, monografi e autorit Viron Kona, kushtuar poetes, shkrimtares, stilistes dhe veprimtares atdhetare, Emine Hoti, shqiptare nga Drenica e Kosovës.

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *