DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Star Talent

Ergi Hoxha-  Një talent shqiptar në Havard

Shpërndaje

Ergi Hoxha është studente pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Tiranë.  Fituese në Olimpiadën Kombëtare për tre vite radhazi nga 2014-2017 dhe atë Ballkanike në vitin 2017 ku ka marr edhe medalje të artë në fushën e kimisë së përgjithshme. 

Ergi është një talent që premton shumë, në fushën e kimisë dhe shkencës së gjenetikës. Në maj të 2019 ajo u shpall fituese në një kompeticion mbi gjenetikën në ‘’Havard Medical School’’, ku fitoi 97 pikë, nga 100 të mundshme. Më poshtë do të lexoni materialin në origjinal, që e nxori këtë vajzë të re fituese mes pjesëmarrësve nga e gjithë bota. 

Përse funksionon redaktimi i gjeneve dhe pse pritshmëritë për këtë qasje janë kaq të larta?

Të ndryshosh njeriun do të thotë të ndryshosh botën, ta përmirësosh atë do të thotë të ndriçosh këtë të fundit. Kjo është pikërisht ajo se çfarë teknologjia e redaktimit të gjeneve ka tentuar prej vitesh të realizojë. Njeriu, qenia më e zhvilluar intelektualisht në planet, ka arritur në përfundimin se perfeksioni nuk ka pse të ngelet thjesht një ëndërr e dështuar e rastësisë, por tashmë ka marrë në dorë frerët e situatës, duke pretenduar të kthejë të pamundurën në të mundur. 

Redaktimi i gjeneve nuk është asgjë tjetër veçse ndryshimi i ADN-së me qëllim përmirësimin e jetës së individëve në aspektin shëndetësor. Prej vitesh qenia njerëzore ka pyetur veten, nëse do të mund të superonte sëmundjen, duke e konsideruar si të keqen më të madhe ekzistenciale. Epo, përgjigjen sot e kemi në duar. Po, ne mundemi! Ne mundemi, të ndërhyjmë në ADN, të heqim prej saj si me gërshërë gjenin e dëmtuar e më pas ta zëvendësojmë këtë të fundit duke triumfuar mbi vetë problemin ekzistues. 

Rasti tipik vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një grup studiuesish mundën të zhvendosin gjenin MYBPC3, shkaktues të kardiomiopatisë hipertrofike, sëmundje kjo e cila prek një në pesëqind persona, nga disa embrione të testuara.1 ”Ne nuk kemi ndryshuar asgjë. Madje as nuk kemi modifikuar asgjë”.[Shoukhrat Mitalipov, The Washington Post, 2017] 

Pikërisht kjo deklaratë e drejtuesit të grupit të kërkuesve mbi këtë eksperiment “frikëson”, por edhe njëkohësisht paralajmëron botën për atë se çfarë shkenca do të jetë e aftë të bëjë në një të ardhme të afërt, nëse ritmet janë kaq optimiste. Është vetë natyra njerëzore ajo, e cila sfidon limitet, por duhet të jetë po kjo natyrë kaq dinamike, që gjithashtu të respektojë limitet, për të cilat investohet e punon. Duhet të kuptojmë sesi çdo gjë tjetër, edhe redaktimi i gjeneve mund të keqkuptohet duke u përdorur për nevoja periferike të plotësimit të egos humane. Njeriu si një qenie plotësisht e vetëdijshme për pasojat e veprimeve të veta, duhet të dijë të përdorë këtë armë kaq të fuqishme në duar që nuk dridhen vetëm e vetëm që njerëzit të jenë më të shëndetshëm e t’i thonë “mirupafshim” sëmundjeve, të cilat kërcënojnë ekzistencën e tyre. 

Ergi Hoxha-  Një talent shqiptar në Havard 1Ditëve të sotme ekzistojnë një numër i madh sëmundjesh, të cilat mund të kurohen nga redaktimi i gjeneve. Lista përfshin sëmundje të llojeve të ndryshme, duke nisur nga kanceri, çrregullime të gjakut, HIV/AIDS etj.2 Por, pavarësisht optimizmit mbi një zhvillim kaq të rëndësishëm shkencor, një ndër shkencëtarët më aktivë në fushën e CRISPR, shprehet: “ Të duhet të targetosh alelin e dëmtuar, pa u përzier me alelin e shëndoshë”[ Linzhao Cheng, Stat News, 2018]3, duke vënë në dukje rrezikun dhe përgjegjësinë që gjithë ky proçes mbart në tërësi. 

Për të përdorur fuqinë që ke, fillimisht duhet të dish se çfarë je i aftë të bësh me të. E kështu, pavarësisht gjithë proçeseve të rëndësishme shkencore, të cilat janë të nevojshme për t’u realizuar, gjithmonë duhet paramenduar edhe aspekti etik i çështjes. Realisht, jemi të vetëdijshëm se një teknologji e tillë gjen një gamë të gjerë përdorimi, ku jo gjithmonë shërimi i sëmundjeve mbetet prioritet. Duke qenë se spektri i përdorimit është i gjerë, duhet bërë gjithmonë kujdes në aplikimin e kësaj arritjeje shkencore, duke mos shkelur kurrë në dërrasë të kalbur. 

Personalisht mendoj se përdorimi i redaktimit të gjeneve në situata jokritike mbetet një tabu, e cila nuk mund të thyhet nëse nuk jepet siguri e plotë mbi shëndetin e individëve të testuar. Padyshim që shkenca është gjithmonë e hapur për aplikim, por jo kur ky aplikim rrezikon jetët njerëzore e tregon mungesë të theksuar etike profesionale. Në këtë aspekt dakordësohem plotësisht me qëndrimin e filozofit australian e bioeticistit Julian Savulescu, teksa ky i fundit shprehet mbi rastin e modifikimit të gjeneve të dy embrioneve binjake femërore nga shkencëtari kinez He Jiankui, për t’i bërë këto të fundit imune ndaj HIV: “ Në këndvështrimin tonë, redaktimi i gjeneve në embrionin njerëzor duke përdorur teknikat aktuale mund të ketë efekte të paparashikueshme në brezat e ardhshëm. Kjo e bën këtë proçes të rrezikshëm dhe etikisht të papranueshëm.” [Julian Savulescu, University of Oxford, 2015]4 

Vitet kanë kaluar e duket sikur ëndrra e çdo filozofi iluminist, po realizohet pikërisht nga këta shkencëtarë futuristë. Pavarësisht çdo aspekti etik, shkenca vazhdon të avancojë e të vërtetojë se asgjë nuk mund ta ndalë. Mbinjeriu i Niçes shumë shpejt do të jetë thjesht njeri! 

Referenca 

  1. https://www.washingtonpost.com/news/to-your-health
  2. https://labiotech.eu/tops/crispr-technology-cure-disease/ 
  3. https://www.statnews.com/2018/02/02/crispr-blindness-retinitis-pigmentosa/ 
  4. http://blog.practicalethics.ox.ac.uk/2018/11/press-statement-monstrous-gene-editing- experiment/

 

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *