DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Art & Culture On the Cover

Ermira Kola: Një jetë mes këngës

Shpërndaje

Me zërin e ngrohtë dhe të thellë, emri i këngëtares së njohur Ermira Kola na sjell gjithmonë ndërmend serenatat e bukura korçare të cilave u ka qëndruar gjithnjë besnike. prej disa vitesh ajo ka patur një tërheqje nga daljet mediatike dhe publike pasi është bërë nënë për herë të parë dhe Xhoni ka rrëmbyer gjithë vëmendjen e muzikantes së dashur.
Në këtë intervistë ekskluzive për ‘’ Star people’’ Ermira flet për marrëdhënien me muzikën, rikthimin e fuqishëm, por edhe për familjen dhe lidhjen e ngushtë me Xhonin e vogël. Një rrëfim i sinqertë dhe emocional mbi mëmësinë dhe pasionin e pakushtëzuar për muzikën.

Ermira Kola: Një jetë mes këngës 1

Prej pak kohësh e tërhequr nga muzika aktive, por serish e pranishme në koncerte e dalje televizive. sa ju mungon muzika?

Fillimisht ju falënderoj për ftesën për të qenë në ‘’Star People’’. Është kënaqësi dhe privilegj për mua në të njëtën kohë. Sigurisht kam disa vite që jam larguar nga skena, jam shkëputur nga puna intensive për artin, por
jo përgjithmonë dhe jo në mënyrë afatgjatë, por me koncerte të përzgjedhura dhe aktivitete të rëndësishme, por sigurisht mëmësia është një përgjegjësi e impenjim shumë i madh që më mbush pothuajse gjithë ditën, një dashuri e madhe për tim bir, krijesën time më të bukur. Dihet që puna jonë është në orare të vona dhe ndaj edhe jam shkëputur për pak kohë që t’i përkushtohem tim biri Xhonit. Gjatë këtyre viteve të fundit kam marrë pjesë vetëm në pak aktivitete për të plotësuar dëshirën dhe pasionin tim për artin.
Sigurisht që më mungon shumë dalja në skenë, sepse për mua është si një oksigjen pa të cilin nuk mund të jetoj. Une sigurisht jetoj në një familje të madhe dhe ndonjeherë nuk arrij të dëgjoj shumë muzikë, me interes ndjek spektaklet  televizive, me aq sa mund të me jepet  koha, të dëgjoj hitet e këngëtarëve dhe të marr vesh se çfarë po ndodh në treg, por sigurisht ëndërroj të jem dhe marr pjesë në shumë evenimente që bëhen në televizione, por në këtë moment e ndiej për detyrim shpirtëror, moral për të qenë afër fëmijës tim

Cila është rutina juaj pas lindjes se djalit ?

Sigurisht që është vetëm Xhoni. angazhimi im kryesor është të jem pranë në rritjen e tij, pastaj është familja, gatimi, jam një amvisë e mirë, nikoqire (qesh) që pres e përcjell të gjitha detyrimet familjare për të gjithë njerëzit tanë, si nga ana e bashkëshortit dhe ajo imja. jam një mami shembullore.

Sa e ka ndryshuar ai jetën tuaj ?

Xhoni e ka ndryshuar tërësisht jetën time, më ka sjellë një humor dhe energji të paparë, me qeshen sytë në çdo orë që unë e shikoj dhe e shijoj djalin tim. i këndoj gjatë gjithë kohës nëpër shpi, këngë , fjalët e të cilave rrjedhin vetë nga shpirti. Qeshim e lodrojmë nëpër shtëpi, jemi dy shokë shumë të mirë, sigurisht edhe me babain, por ai është më pak në shtëpi sepse është i larguar edhe për punë, ndërsa unë dhe Xhoni jemi gjithmonë bashkë dhe kjo gjë më kënaq,ma mbush ditën në mënyrën më perfekte.

Ju jeni një nënë e butë, e vëmendshme apo e rreptë?

Unë jam një nënë me të treja ato cilësi, edhe e butë, edhe e vëmendshme apo edhe e rreptë në momente të caktuara, përpiqem mos ta llastoj shumë, edhe pse është një djalë
i vetëm në familje, një djalë i vogël i vetëm në të gjithë farefisin. Fëmijët janë të vështirë sot e duan të llastohen, por gjithmonë përpiqem mos e kaloj cakun.

Ermira Kola: Një jetë mes këngës 2

Ju keni shumë vite karrierë, cilat janë momentet që kanë lenë më shumë shenjë tek ju ? Cila është kënga më e bukur, më e kërkuar kur shkoni të këndoni para një auditori?

Une kam kënduar çdo ditë të jetës sime, si në aktivitete, ‘’Shtëpinë e pionerit’’ në atë kohë, koncerte, festivale kombëtare, ato që më kanë lënë mbresa kanë qenë festivalet e fëmijëve sidomos që janë shoqëruar me çmimet e para dhe dhurata të vogla. Kam pasur një jetë artistike të mbushur me plot aktivitete gjatë gjithë kohës, dhe veç aty unë mbushem me frymë, me jetë. Në çdo ambient sidomos në këto kohë, këngët që më shoqërojnë dhe auditori që më ndjek dhe i do janë këngët :’’ Natën nëna’’ me Genën dhe kënga ‘’CimiCimiCa’’ që ka pasur jashtëzakonisht sukses dhe të gjithë e kanë pëlqyer.

A e keni marrë kënaqësinë maksimale nga muzika?

Gjithmonë kam marrë kënaqësi nga muzika dhe gjatë kësaj kohe që kam bërë pauza, njerëzit më ndalin dhe në rrugë dhe më thonë ‘’pse nuk del, ku je’’ , më japin kurajo, forcë dhe duan të më shohin në skenë, kjo gjë më entuziazmon. Sigurisht që do vij koha dhe do të kthehem fuqishëm, sepse tani jam më e pjekur, e njoh shumë mirë tregun, dua të dal, të jap më të mirën dhe pse jo të kem hite të reja në karrierën dhe gjurmën time artistike.

A keni ndonjë peng?

Jo pengje nuk kam, sepse siç e thashë dhe theksova më parë, kam bërë një jetë të mbushur me shumë aktivitete, e privilegjuar dhe e shoqëruar me njerëz shumë të mirë , dashamirës, artistë dhe të them të drejtën më mungojnë.

Cilat janë planet tuaja të afërta në muzikë? Si e mendoni rikthimin?

Pasi Xhoni të rritet edhe pak, dëshiroj të bëhem sërish nënë, do kisha dëshirë shumë të kisha edhe një vajzë.Të mbaroja planifikimin tim familjar dhe pastaj të kërkoja dhe mendoja se çfarë dua të bëj për të sjell më të mirën time në art , do përpiqem që rruga ime e artit të vazhdojë dhe shoku im i jetës më shtyn dhe inkurajon që të vazhdoj me artin se edhe ne artistët kemi momente kur duam mbështetje shpirtërore dhe morale. Do rikthehem fuqishëm dhe pse jo me hite të bukura dhe të suksesshme.

Si e sheh Ermira muzikën dhe tregun muzikor ne ditët e sotme?

Muzika është shije, muzika është preferencë, por në treg ka vend për të gjithë dhe gjithkush mund të fokusohet në atë që do. unë do bëj atë që më përfshin mua, që është në stilin dhe karakterin tim si vokal dhe profesional.

Jemi në prag të festave, si është atmosfera juaj familjare në prag festash? Si i pret Xhoni festat?

Me një gëzim të madh, Xhoni do pothuajse përditë festa në shtëpi, do njerëz, është një fëmijë social që afrohet më këdo e do të luajë. Në momente të caktuara , kur na ftojnë për festa, lëvizim dhe shijojmë momentet aty ku jemi të ftuar. Sivjet kemi ftesa, por ende nuk kemi vendosur ku do t’i kalojmë festat.

Si e kujtoni fëmijërinë tuaj, i pëlqenit festat?

Në fëmijërinë tonë ishin shumë më të rralla festat. ishte Viti i ri, 7-8 marsi, 1 maji dhe ditëlindjet. Fëmijëria ime ka qenë shumë e bukur, thjesht pasioni që kisha për këngën më bënin që unë të këndoja gjatë gjithë kohës në shtëpi apo edhe ambiente festive ku prindërit ishin të ftuar. kam qenë një fëmijë i privilegjuar, por jo i llastuar. ka qenë një fëmijëri e mbushur me aktivitete, çmime, konkurse. dhe të gjithë njerëzit që kanë investuar për mua dua t’i falënderoj shumë në këtë intervistë, që nga prindërit e familja dhe deri tek shokët e shoqet që më kanë mbështetur.

Ermira Kola: Një jetë mes këngës 3

Cili është mesazhi juaj për lexuesit tanë ne ketë prag fundviti ?

I falënderoj të gjithë ata që zgjodhën ta lexonin intervistën time dhe i uroj secilit pre tyre shëndet në radhë të parë dhe të këmbëngulin të investojnë për kohën për të arritur qëllimin e tyre në jetë, sepse jeta është shumë e bukur nëse do të dinë ta jetojnë. Të bëjnë më të mirën për gjithçka të bukur që na rrethon në jetë,  ju falenderoj edhe ju për ftesën dhe uroj gjithë të mirat që dëshiron zemra juaj.

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *