DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Business & Career

Fatmir Memaj – Jeta ime mes studentëve

Shpërndaje

Nga Fatima Gorezi

Fatmir Memaj ka një karrierë të gjatë akademike me mbi 30 vjet në fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Që nga marsi 2007 ai është ka titullin profesor në departamentin e Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar.

Ai ka qenë asistent pedagog (1985-1991) dhe lektor që nga viti 1991 si dhe Zëvendës Dekan (2003-2016) dhe profesor i statistikës, demografisë dhe metodave e teknikave të kërkimit. Ai është drejtor ekzekutiv i Forumit Shqiptar Social Ekonomik – ASET .

Memaj është autor dhe bashkautor në 6 monografi, 5 përkthime librash, rreth 50 artikuj, rreth 90 kumtesa konferencash dhe shumë materiale të tjera kërkimore dhe projekte.

Në këtë intervistë për revistën ‘’Star People’’ ai tregon mbi disa momente kyçe që kanë shënuar jetën dhe karrierën e tij akademike, momentet e bukura, sfidat si edhe raportin special me studentët ndër vite.  

Prof. Memaj ju jeni një emër i njohur në fushën e ekonomisë si pedagog i statistikës. Si e kujtoni nisjen e karrierës?

Kjo pyetje me kthen gati 35 vjet më parë kur në qershor 1985 mbarova studimet me rezultate shumë të mira dhe u emërova asistent në fakultetin e Ekonomisë të universitetit të Tiranës. Punën e fillova mbasi bëra zborin 3 mujor për oficer rezervist (sistemi i mëparshëm kishte rregullat e veta), pra në 15 dhjetor 1985.

Më kujtohet që isha një pedagog pasionant që punoja shumë për të qenë sa më i përgatitur përpara auditorit dhe për tu përgatitur edhe vetë për të avancuar në kualifikim për grada shkencore. Në atë periudhë deri në vitin 1990 duhet të punonim shumë sepse nga njëra anë mungonte literatura e huaj sepse edhe ajo pak literaturë e huaj ishte disi e vjetëruar dhe në gjuhën ruse por shpesh gjendej me vështirësi sepse futej “në fondin rezervë” të Bibliotekës Kombëtare qoftë edhe vetëm për faktin se kishte në citat të ndonjë udhëheqësi sovjetik në faqet e para ose në parathënien e librit.

Gjithashtu, harxhonin edhe mjaft kohë në mënyrë joproduktive duke shkuar të detyruar me studentët 1 muaj në vit në aksione në ndihmë të bujqësisë dhe 2 javë të tjera me studentët në zbor ushtarak. Po të shtosh këtu edhe faktin që na duhej të punonim për vite me radhë 2-4 orë në ditë “me kontribut vullnetar” në ndërtim pallati që të përftonim një banesë modeste atëherë vetëkuptohet që lodhja ishte e madhe dhe bëhej për punë që nuk kishin lidhje fare me punën e një pedagogu të ri.

Por, mendoj sa brezi im ia doli shumë mirë fal ndihmës së pakursyer të pedagogëve më të vjetër dhe punës këmbëngulëse duke punuar orë pa fund në Bibliotekën Kombëtare sepse nuk kishim askund tjetër kushte për tu përgatitur.

Po ashtu unë isha pedagog i ri kur ne përballuam ndryshimet rrënjësore të programeve dhe të sistemit të shkollës pas ndryshimeve të vitit 1990. 

Cilat kanë qenë momentet që e kanë shënjuar më së shumti karrierën tuaj akademike?

Në një karrierë të gjatë akademike prej gati 35 vjetësh ka shumë “gurë kilometrikë” por po t’i rendisja në rendin kronologjik unë do të përmendja:

Së pari, fillimin e punës si pedagog i ri me shumë dëshirë dhe ambicie për të krijuar emrin e mirë si pedagog dhe si studiues. Në ato vite kisha marrëdhënie shumë të afërta me studentët jo vetëm fal ndryshimeve të vogla të moshës me ta por, edhe bazuar në faktin se për mendimin tim ata studentë ishin “shumë më të pjekur” për moshën që kishin (besoj se kjo vinte nga vështirësitë e kohës dhe të sistemit diktatorial). 

Së dyti, dua të përmend periudhën e mbas vitit 1990, kur duhej të përballonim punën e lodhshme të ndryshimit të programeve mësimore dhe të përpiqeshim të ishim aktiv në ndryshimet politiko-ekonomike të vendit. Kësaj periudhe i përket edhe shkëputja ime për 1 vit nga karriera akademike për të punuar në Ministrinë e Mbrojtjes si zëvendësministër, për të mbuluar problemet ekonomike. Karriera ime politiko-administrative u ndërpre shpejt sepse bindjet e mija nuk përputheshin (bile edhe sot nuk përputhen) me mënyrën e drejtimit të vendit nga klasa politike e cila për mua është fajtore se largoi shumë nga njerëzit që donin të kontribuonin për një Shqipëri më të mirë, por që kishin “një të metë të madhe” sepse nuk ishin vasalë të bindur të drejtuesve më të lartë dhe në veçanti të liderve politik. Fatkeqësia është edhe më e madhe sepse kjo frymë po mbisundon edhe sot në politikën shqiptare.

Së treti, një sfidë më vete ishte puna për tezën e doktoraturës, në kushtet e mungesës së literaturës, të ndryshimeve të vrullshme social ekonomike (shpesh ajo çfarë shkruanim mbas një viti ishte e vjetëruar) dhe duhet të punonim të sforcuar “për të kapur” ritmin e kohës.

Së katërti, një sfidë e vështirë ishte përballja me kolegët e huaj për të qenë dinjitozë dhe i barabartë me ta gjatë specializimeve në vende të ndryshme të Evropës.

Së pesti, për mua një sfidë e veçantë dhe e këndshme ishte dhe mbetet mbështetja e kolegëve më të rinj në avancimin e tyre shkencor, dhe këtu e kam fjalën për kolegë që kontribuojnë në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, pa harruar të përmend edhe kolegë të tjerë që punojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës. 

Së gjashti, sfida më e vështirë për mua është në ditët e sotme sepse nga njëra anë dua t’ju jap optimizëm studentëve të mi për të studiuar sa më shumë dhe për të punuar në Shqipëri dhe nga ana tjetër unë ndihem “i lodhur” dhe më kanë ”shteruar” argumentat për të qenë optimist. Në statistikë ne përdorim një thënie : “Me shifrat ia bëjmë si ia bëjmë, por me faktet si t’ja bëjmë” Pra, mund të japësh shifra pozitive por, faktet në realitet janë kokëfortë dhe shpesh krejt ndryshe nga shifrat zyrtare.

Fatmir Memaj – Jeta ime mes studentëve 1Cilat kanë qenë momentet më të bukura? Po ato më sfiduese?

Ndër më të bukurat do përmendja momentet kur kam marr gradat dhe titujt shkencor si një arritje dhe vlerësim për punën e bërë.

Por, jo, për mua nuk kanë qenë këto momentet më të bukura. Për mua momentet më të bukura kanë qenë dhe mbeten kur kam marr vlerësime simbolike në formë kartolinash nga kolegë sidomos të huaj, por veçanërisht nga studentët dhe ish studentët. Kanë qenë shumë raste dhe unë kam një koleksion të këndshëm me këto vlerësime ku gjithnjë ndihem nostalgjik për vlerësimet pozitive dhe shpesh të tepruara të marra nga ish studentët që gjej rastin t’i falenderoj nga zemra.

Më sfidueset kanë qenë vitet e para dhe vitet e tanishme të karrierës sime. Vitet e para sepse duhet të përballoja sfidat e përgatitjes dhe të përballjes me vështirësitë e viteve të fundit të diktaturës dhe viteve të para të sistemit të ri (shumë njerëz e quajnë demokratik). Vitet e tanishme janë një sfidë e llojit tjetër sepse mua më duhet të rigjej energji dhe t’i kthehem “jetës normale” të pedagogut pas goditjeve të pamëshirshme në jetën private. Studentët, kolegët dhe miqtë e mi më thonë se unë i kam gjetur këto energji dhe pavarësisht sa i saktë është vlerësimi i tyre, unë i falenderoj për mbështetjen e tyre.

 

Shumë vite mes studentëve dhe brezave të rinj. Sa kanë ndryshuar brezat ndër vite? Sa keni ndryshuar ju ndër vite?

Vërtetë shumë vite…

Studentët e viteve të para ishin “më të rrahur” me vështirësitë dhe kishin pak ndryshime midis tyre sepse në universitet vinin vetëm ata nxënës që kishin rezultate të mira në shkollat e mesme.

Studentët e sotëm janë shumë, shumë të ndryshëm. Mes tyre gjen studentë të shkëlqyer që të  motivojnë dhe “të detyrojnë” të përpiqesh për të mbajtur ritmin e tyre të punës dhe që duhet të jenë elita e ardhshme, gjen studentë mesatar që teorikisht në jetë duhet të jenë në mbështetje të studentëve elitë dhe studentë shumë të dobët jo vetëm sepse ka dobësi sistemi parauniversitar (edhe ai universitar), por mbi të gjitha sepse “janë shqyer” dyert e universiteteve, sidomos të universiteteve private, pa harruar edhe universitetet publike që kanë “kusuret” e tyre.

 

Si është gjendja e arsimit shqiptar sot në Shqipëri?

Para disa kohësh po diskutoja me një koleg gjerman për gjendjen e sistemit universitar në Shqipëri dhe për problemet dhe vështirësitë tona. Ai më tha: “Universiteti është pasqyrë e shtetit dhe vetëm kur të bëni shtetin do keni dhe universitete të mira. Të gjitha universitetet e mira në botë janë në ato vende ku ka shtete të zhvilluara dhe demokratike.”. Pra, nuk po komentoj më sepse të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për gjendjen ku jemi.

Gjithnjë e më tepër kohët e fundit ka një vëmendje të shtuar (mediatike e publike) ndaj të rinjve që duan të largohen nga vendi. Cila është situata dhe fryma që hasni ju në fakultete?

Fatkeqësisht kjo është edhe gjendja në fakultete. Në testime të shkurtra  iu kam bërë studentëve 2 pyetje. Së pari “Sa gjasa ka që ju të largoheni nga Shqipëria gjatë 2-3 viteve të ardhshme?” dhe së dyti “Sa dëshirë keni të largoheni nga Shqipëria gjatë 2-3 viteve të ardhshme?”

Fatkeqësisht përgjigjet për pyetjen e dytë janë shokuese, sepse shumica e tyre duan të largohen, por shpesh të përgjigjen “mbase nuk largohemi se nuk kemi ku të shkojmë”. E dhimbshme kjo dëshirë masive për të ikur. 

Ju jeni akademik, autor i disa librave, shumë artikujve dhe referues në shumë konferenca shkencore. Si arrini ta balanconi jetën mes punës dhe familjes?  

Kësaj pyetjeje do i përgjigjem duke përshtatur vargjet e poetit kombëtar skocez Robert Burns i cili shkruan “Shpesh vuaj dhe dhëmbët kërcas domosdo / Jeta është luftë, unë jam hero” 

Përshtatja dhe filozofia ime është “Shpesh vuaj dhe dhëmbët kërcas pa u qarë / Jeta është luftë, unë jam luftëtar”.

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *