DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Sport & Fitness

Futbolli për femra. Ja pse të huajat preferojnë të luajnë në kampionatin shqiptar 

Shpërndaje

Futbolli për femra çdo ditë e më tepër po merr vëmendje publike dhe mediatike, edhe pse beteja për ta nxitur dhe ushqyer atë tek brezat e rinj është ende një çështje që kërkon angazhimin e të gjithëve. Edhe pse me një traditë ende modeste, futbolli për femra në Shqipëri ka bërë hapat e vetë drejt suksesit. Tregues i kësaj është edhe numri i futbollisteve të huaja të cilat luajnë me skuadrat shqiptare. ‘’STAR People’’ ka biseduar me tre lojtaret e huaja të cilat luajnë për Vllazninë për të treguar më tej rreth asaj se si e shohin ato gjendjen e futbollit për femra sot dhe perspektivën për të ardhmen. Amanda Doyle, Hannah Dauzat dhe Aleksandra Popović ndajnë me ne detaje interesante dhe tregojnë momentet me Vllazninë që i kanë bërë të ndihen krenare. 

Amanda Doyle

Amanda Doyle prej vitesh luan me skuadrën e Vllaznisë për femra. Një futbolliste e talentuar e cila ka treguar se është një pikë shumë e fortë mbështetëse edhe për skuadrën gjatë ndeshjeve të rëndësishme. Asaj i pëlqen Shqipëria dhe është shumë e lumtur që luan këtu: ‘’Vendosa të luaja në ligën shqiptare sepse doja të shihja se çfarë mund të mësoja nga futbolli shqiptar. Dhe situata për gratë në futboll këtu po ndryshon, por gjithmonë ka vend për përmirësime. Unë mendoj se diçka që do të ndihmonte në përmirësimin e futbollit të grave këtu do të ishte të filloni të nxisni futbollin të gjeneratat e reja, të stërviteni më shumë dhe të jeni më të vetëdijshëm për formacionin.’’ 

Ajo është shumë e lumtur e krenare që luan me Vllazninë: ‘’Momenti im krenar me Vllazninë ishte t’i ndihmoja ata në synimin e tyre për t’u kualifikuar në Champions League dhe për të qenë pjesë e historisë.’’ – shprehet ajo ekskluzivisht për ‘’STAR People’’. 

Hannah Dauzat

Hannah ka lindur në Amerikë, por dëshira e saj ka qenë që të luante futboll në nivel profesional jashtë vendit. Ajo është shumë e lumtur që luan me Vllazninë dhe fakti se i pëlqejnë dhe ndihet komode me koleget e skuadrës është një shtysë më shumë për të për të vazhduar.

Teksa bisedojmë me të dhe e pyesim sesi e sheh situatën e futbollit për femra në Shqipëri ajo shprehet : ‘’Futbolli i femrave në Shqipëri ka shumë hapësirë ​​për tu rritur, por është në rrugën e duhur. Natyrisht të kesh një ekip të kualifikohet nga Shqipëria për në UEFA Champions është e rëndësishme. Pjesëmarrja në Champions League është një marrëveshje e madhe dhe një vlefshmëri që futbolli për femra po ecën në drejtimin e duhur. Në tërësi, shpresoj që futbolli shqiptar për femra të mund të njohë një rritje të pjesëmarrëseve, investimeve dhe zhvillim të përgjithshëm në mënyrë që të jetë më konkurrues dhe të vazhdojë të shtyjë skuadrën më të mirë për të performuar edhe më mirë në Ligën e Kampionëve çdo vit.’’

Për të loja me Vllazninë është padyshim një hap i rëndësishëm në karrierë, gjatë të cilit janë shënuar edhe shumë momente krenarie. ‘’ Momenti im më krenar ndërsa kam luajtur me Vllazninë është padyshim fakti që është skuadra e parë shqiptare që kualifikohet në Champions League. Pasi fituam me ndeshjen në Lituani, festimi me ekipin ishte vërtet i veçantë për mua, pasi unë mund të shihja gëzimin e mrekullueshëm në fytyrën e të gjithëve, përfshirë stafit. Unë e kisha nënvlerësuar ndikimin që do të kishte kualifikimi te skuadra, tek futbolli shqiptar dhe Shqipëria në tërësi. Ndihesha aq e nderuar që isha pjesë e bërjes së komunitetit dhe sportdashësve kaq krenar. ‘’- shprehet ajo. 

Aleksandra Popović

Aleksandra është malazeze, por eksperienca me Vllazninë është një gur i rëndësishëm në karrierën e saj. Përvoja e saj me Vllazninë i vlen së shumti dhe e ka bërë krenare.

‘’ Momenti im më krenar ndërsa luaja për Vllaznia është kur u kualifikuam në Ligën e Kampionëve dhe ishim në 32 ekipet më të mira të Evropës. Dhe momenti im i dytë krenar është kur shënova golin tim të parë në kampionat.’’ – shprehet ajo me buzëqeshje në sy. 

 Si një vajzë nga Ballkani, e cila e njeh mirë mendësinë dhe traditën në futbollin për femra në këtë rajon ajo është optimiste kur vjen fjala për të ardhmen. 

‘’ Jam vërtet e lumtur me situatën deri tani, sepse njerëzit nga Shqipëria po e shohin dhe mbështesin futbollin për femra dhe kjo nuk është një gjë e zakonshme këtu në Ballkan. Uroj që ne të jemi të barabartë me ekipin e meshkujve. ‘’ – shprehet ajo. 

 

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *