DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Art & Culture

Grace Kelly, Princesha e bukur e Monakos

Shpërndaje

Çdo epokë ka pasur aktoren e saj ikonë, një grua që mishëronte jo vetëm bukurinë, por aftësinë e aktrimit dhe empatisë me publikun. Ka shume yje të tilla ndërkombëtare, por mes tyre, aktorja amerikane që do të mbahet mend për bukurinë, por edhe elegancën e rrallë të saj është padyshim Grace Kelly.

Grace Kelly ishte jo vetëm një ndër femrat më të bukura të shekullit të kaluar, por edhe të të gjitha kohërave. Nga modele u bë aktore dhe fitoi çmimin Oscar si aktorja më e mirë për filmin “Vajza nga fshati” të George Seaton në vitin 1955.

Grace la gjurmë në historinë e njerëzimit, si ikonë e modës , kinematografisë, por dhe e bukurisë; madje fytyra e saj konsiderohet edhe sot si një prej fytyrave më të përkryera femërore. Gjatë ditëve të festivalit të filmit në Kanë më 1955, ajo u njoh me princin Ranier III të Monakos dhe një vit më vonë, Princi i propozoi të martoheshin.

Aktorja Kelly, e cila sapo kishte marrë një ofertë kontrate prej 28 milionë dollarësh për filma nga Hollywood-i, heq dorë nga karriera  kinematografike dhe martohet me princin.

 Për 25 vjet  me radhë ajo u njoh si Princesha Grace e Monakos. Tragjikisht Grace humbi jetën në vitin 1982 në një aksident edhe sot të dyshimtë. 

Princesha Grace, e cila ishte e njohur në të gjithë botën si yll kinemaje, në fakt, nuk ishte një nuse tipike mbretërore. Dhe as aksesorët e saj të dasmës nuk ishin aspak të tillë. Në vend të kurorës tipike, Princesha Grace ka përdorur një kurorë me rruaza ngjitur pas vellos në dasmën madhështore me Princin Rainier të Monakos më 18 prill, 1956.

Mbi kurorë ishte vendosur një shtresë dantelle me perla, zbukuruar me lule. Ndërkaq, ajo nuk ishte një kurorë tipike mbretërore me diamantë, edhe pse përpjekja ishte për t’i ngjarë një të tille.

Në galerinë e  këtij artikulli do të mund të shikoni fotot më të bukura të divës së përjetshme, si një homazh për një nga femrat më të bukura të kinematografisë, modës dhe oborreve mbretërorë.

Kelly la një trashëgimi të pasur si një modele, artiste e teatrit, aktore e filmave, televizionit (duke numëruar pjesëmarrje në rreth 100 shfaqje televizive) dhe një yll ikonik i filmit në Hollywood. Kelly është cituar si një nga “biondet klasike “, dhe si një nga gratë më elegante në historinë kinematografike dhe botërore nga rrethi i artistëve dhe kritikëve. Grace Kelly u shfaq në kopertinën e botimit të 31 janarit 1955 të revistës javore ‘’Time’’. Revista e cilësoi atë si ylli i filmave cilësorë dhe të mëdhenj e cila solli një ndryshim befasues në imazhin e femrës në kinematografi.

Në vitin 1954, ajo u shfaq në listën  e njerëzve më të veshur mirë, ndërsa në vitin 1955, u rendit si “Gruaja e Vitit”. 

Grace Kelly, Princesha e bukur e Monakos 1

Filantropia

Gjatë martesës së saj, Kelly nuk ishte në gjendje të vazhdonte karrierën e saj të aktrimit. Në vend të kësaj, ajo i kreu detyrat e saj të përditshme si princeshë dhe u përfshi në nisma dhe sipërmarrje filantropike.

Ajo themeloi ‘’AMADE Mondiale’’, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Monako që përfundimisht u njoh nga KB si një organizatë jo-qeveritare. Sipas UNESCO-s, AMADE promovon dhe mbron “integritetin moral dhe fizik” dhe “mirëqenien shpirtërore të fëmijëve në të gjithë botën, pa dallim race, kombësie ose feje dhe në një frymë të pavarësisë së plotë politike”. Vajza e saj, Princesha Caroline, është presidentja e organizatës sot.

Kelly ishte gjithashtu aktive dhe një zë i fuqishëm në përmirësimin e institucioneve të artit të Monakos, duke formuar fondacionin ‘’Princesha Grace’’ në vitin 1964 për të mbështetur artizanët vendas. 

Pas vdekjes së saj, fondacioni ‘’Princess Grace-USA (PGF-USA’’) u krijua për të vazhduar punën që ajo kishte bërë në mënyrë anonime gjatë jetës së saj, duke ndihmuar artistë të rinj të teatrit, kërcimit etj.

Në vitin 1965, Princesha Grace pranoi me kënaqësi ftesën për të qenë një anëtare nderi e ‘’La Leche League ‘’(një grup mbarëbotëror për mbështetjen e nënave dhe që promovon ushqyerjen me gji) dhe në 1971 ishte një folëse në konferencën e tyre në Çikago, duke iu drejtuar 1400 nënave, 800 baballarëve dhe 800 bebeve. Princesha Grace ishte një avokate e njohur e ushqyerjes me gji dhe i ushqeu me sukses 3 fëmijët e saj. 

Grace Kelly, Princesha e bukur e Monakos 2

Moda 

Ndërsa ishte shtatzënë me vajzën e saj Caroline në 1956, Kelly ishte fotografuar shpesh duke mbajtur një kuletë lëkure të veçantë të prodhuar nga Hermès, në mënyrë që barku i saj mos ekspozohej e binte shumë në sy të paparacëve. Fotografitë, megjithatë, popullarizuan çantën dhe u shoqëruan me ikonën e modës sa që më pas, ajo do të njihej si ‘’çanta Kelly’’.

Janë mbajtur ekspozita të shumta të jetës dhe veshjeve të Kelly-t. Muzeu i Artit në Filadelfia prezantoi veshjen e saj të dasmës në një ekspozitë të vitit 2006 për të shënuar 50 vjetorin e martesës së saj, dhe një retrospektivë e veshjeve të saja u mbajt në Muzeun Victoria dhe Albert në Londër në vitin 2010. Për këtë  veshje të famshme (fustani i nusërisë), të parë në të gjithë botën, u deshën tridhjetë e pesë rrobaqepës dhe gjashtë javë për t’a përfunduar. 

Pas vdekjes së saj, trashëgimia e Kelly si një ikonë e modës jetoi. Dizajnerët modernë, si Tommy Hilfiger dhe Zac Posen, e kanë cituar atë si një frymëzim të modës.  Trashëgimia e saj e modës u përkujtua madje në Muzeun Victoria dhe Albert të Londrës, ku një ekspozitë e titulluar, “Grace Kelly: Style Icon” i dha vëmendjen e duhur ndikimit dhe rolit  të saj në botën e modës. Ekspozita përfshiu 50 nga ansamblet e saj legjendare.

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *