DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Lifestyle

Horoskopi mujor – Dhjetor 2019

Shpërndaje

Nga Lorena Cavani- Astrologe

 

Dashi-Ky muaj do ju gjej më ekstrovert se kurrë. Do të ndjeni dëshirën të kaloni kohë me shoqërinë tuaj dhe të nisni aventura të reja.  Do të ndjeni dëshirën për të mësuar diçka të re ose fokusi juaj do të jetë veçanërisht tek edukimi ose besimet tuaja. Ndoshta muajin e kaluar keni ndjerë pengesa lidhur me financat ose pamundësinë për të gjykuar saktë çështjet që lidhen me jetën tuaj intime, por më në fund mund ta lini pas këtë periudhë të mundimshme për ju dhe të gjeni qetësi ose eksperienca të reja që ju mbajnë të stimuluar mendërisht. Do të ishte koha e duhur për një udhëtim drejt një vendi me një kulturë të re. Në 12 Dhjetor Hëna e plotë në shenjën e Binjakëve do sjell tek ju fjalët ose mundësinë për të shprehur edhe mendimet tuaja më komplekse dhe ndoshta një udhëtim të shkurtër. Ndërkohë data 26 Dhjetor shënon një fillim të ri në karrierën dhe reputacionin tuaj. Mund të keni mundësi punësimi ose dëshirën për të përmirësuar diçka në karrierën dhe imazhin tuaj publik.

Demi-Këtë muaj do të lini pas keqkuptimet dhe të shkuarën që ju ka përndjekur gjithë muajin Nëntor në marrëdhëniet tuaja. Ky muaj nuk do të jetë më pak intensiv për ju, por do e keni më të qartë se çfarë doni . Gjykimi juaj do të jetë më analitik këtë muaj. Do preferoni t’i mbani idetë tuaja më të thella për vete. Nëse ka diçka së cilës duhet t’i besoni këtë muaj ajo është intuita juaj. Ndiqeni atë dhe nuk do të zhgënjeheni. Hëna e plotë në datën 12 Dhjetor do të sjell finalizim në çështjet financiare dhe në qoftë se keni qenë duke punuar për të përmirësuar vetëbesimin tuaj do të shihni rezultat. Hëna do të iluminojë sektorin që ju do drejtoni në Astrologji, i cili lidhet me vetëbesimin, botën materiale, financat dhe kjo ngjarje qiellore do të sjell përmbushje për ju duke ditur se gjithçka e përmendur më sipër lidhet ngushtë me nevojat tuaja për t’iu dhënë sigurinë që dëshironi.

Binjakët-Dritat e shfaqjes do të jenë mbi ju këtë muaj, kjo për shkak se Hëna e plotë do të jetë në shenjën e Binjakëve duke ju dhënë mundësinë të ekspozoheni më shumë përballë publikut e si rrjedhojë do të rrëmbeni pak nga vëmendja që i takon shenjës së Shigjetarit këtë muaj. Dhjetori do të ketë si fokus marrëdhëniet tuaja dhe negociatat. Nëse keni një biznes dhe po prisni kohën e duhur për të bërë një marrëveshje, koha është pikërisht tani duke ditur se edhe Mërkuri, planeti juaj drejtues tashmë ka përfunduar periudhën e zmbrapsjes duke kthjelluar gjykimin tuaj dhe duke ju rikthyer aftësitë tuaja të shkëlqyera në komunikim pa frikën e keqkuptimeve. Fundi i muajit do të shënoj hyrjen në një periudhë intensive për ju që lidhet me jetën intime ose çështjet e pronësisë.

Gaforrja-Do të ndjeni një rritje të ndjeshme të niveleve tuaja të kreativitetit dhe një dëshirë për veprim që do ju shtyjë të ktheni në realitet idetë tuaja. Nëse ndjeni tërheqje ndaj dikujt ka më shumë shanse se kurrë që të hidhni një hap tani megjithëse kjo gjë nuk është tipike për ju, por edhe ju do e ndjeni se jeni lodhur duke u mbyllur në guaskën tuaj përgjatë muajit të kaluar duke mbimenduar për çdo gjë. Data 12 Dhjetor do të shënoj një periudhë me rritje nga ana shpirtërore për ju. Ëndrrat tuaja do të jenë edhe më të gjalla ose kuptimplota. Shëndeti do të jetë fokusi juaj kryesor. Në fund të muajit një fillim i ri do të vij në marrëdhëniet tuaja ose partnerët që zgjidhni në biznes.

Luani –Romanca do të jetë në ajër këtë muaj për ju, por nuk do të mungojnë edhe çështjet familjare për të cilat do të duhet iniciativa juaj për të vepruar shpejt në çdo moment. Kjo nuk do të thotë se diçka e keqe do të ndodhë, por Urani, planeti i së papriturës paralajmëron se ju duhet të tregoheni fleksibël këtë muaj. Data 12 Dhjetor do sjell vëmendjen tek rrethi juaj shoqëror ose tek kauzat që lidhen me të mirën e përgjithshme. Një mik mund të drejtohet tek ju për t’iu takuar ose për ndihmë. Do e ndjeni veten të rrethuar nga shumë njerëz këtë muaj. Në fund të muajit mund të merrni iniciativën të ndryshoni diçka në rutinën tuaj.

Virgjëresha-Këtë muaj do të prireni të mbroni mendimet tuaja me fanatizëm, por bëni kujdes mos të dukeni agresiv ose të impononi idetë tuaja tek të tjerët. Nëse keni një profesion që lidhet ngushtë me komunikimin ky pozicionim do të jetë në favorin tuaj për aq kohë sa nuk lini pas diplomacinë. Ka lajme të mira për ju pasi data 12 Dhjetor mund të shënojë arritje në karrierën tuaj ose vlerësim nga eprorët tuaj për punën tuaj të palodhur dhe duke ditur sa shenjë perfeksioniste dhe punëtore që jeni pa dyshim që e meritoni. Romanca të reja mund të nisin për ju në fund të muajit.

Peshorja-Do e shpenzoni energjinë tuaj përgjatë gjithë muajit me financat tuaja. Dëshira për të zotëruar më shumë do të rritet ndjeshëm tek ju dhe tashmë mendoni se ka ardhur koha që të veproni nëse doni ta arrini synimin tuaj. Duhet të bëni kujdes me shpenzimin e parave në mënyrë impulsive për të blerë gjëra që kënaqin egon tuaj pa ju nevojitur me të vërtetë. Bëni kujdes me mënyrën se si menaxhoni paratë ose mendohuni mirë para se të bëni një investim duke llogaritur çdo rrezik, pasi mund të keni fitim ose humbje të papritur të parave tuaja. Mund të shkoni në një udhëtim ose mund të shpërnguleni përfundimisht jashtë vendit qoftë se keni qenë duke pritur për këtë gjë. Finalizime të rëndësishme në edukimin tuaj do të ketë rreth datës 12 Dhjetor dhe në fund të muajit mund të keni surpriza në jetën familjare. Ndoshta një anëtar i ri i shtohet familjes ose mund të bëni një ndryshim në shtëpinë tuaj.

Akrepi-Muaji Nëntor ka qenë mjaft stresues për ju dhe mund të keni ndjerë shumë trysni mbi veten, por këtë muaj do të jeni më energjik dhe megjithëse mund të jeni shumë të zënë do të dini si ta menaxhoni situatën. Dhjetori do të jetë një muaj shumë intensiv për ju dhe do të keni çështje vendimtare që lidhen me jetën tuaj private ose zotërimet që lidhen me të tjerët. Data 12 Dhjetor mund të finalizojë një investim tuajin  ose një periudhë ndryshimesh rrënjësore. Nëse ktheni kokën pas do të shihni se në jetën tuaj ka pasur shumë transformime. Nëse jeni marr me një çështje pronësie ajo mund të mbyllet së shpejti. Edhe nëse keni qenë pjesë e një situate toksike, ku bëhet fjalë për manipulim ose sekrete edhe ajo do të zgjidhet dhe do të hidhet dritë mbi gjithçka. Në fund të muajit do jeni më të hapur ndaj bisedave me ata që ju rrethojnë dhe për ata nga ju që kanë hasur pengesa në marrëdhënien me motrat/vëllezërit mund të ketë një fillim të ri.

Shigjetari-Tashmë është sezoni juaj dhe jeni të favorizuar përgjatë këtij muaji më shumë se zakonisht megjithëse fati ju ndjek përherë në përgjithësi. Ngjarje vendimtare do të ketë në marrëdhëniet tuaja. Për ata që janë në një lidhje do e ndjejnë të forcohet më shumë nëse jeni me personin e duhur. Pra, do të merrni vendimin se kush do të vazhdoj t’iu shoqëroj në aventurat tuaja dhe kush jo. Këtë ndikim do e ndjeni rreth datës 12 Dhjetor. Mund të veproni pas skenave më shumë se zakonisht. Në fund të muajit mund të hidhni një hap drejt përmirësimit të financave tuaja ose mund të filloni të ndjeheni më të sigurt në vetvete.

Bricjapi-Në fillim të këtij muaji mund të jeni të rezervuar dhe në një moment reflektimi me veten. Rreth javës së dytë të Dhjetorit do të shihni më qartë gjendjen në të cilën ndodheni momentalisht nga ana shëndetësore dhe për ata nga ju që kanë pasur probleme shëndetësore dhe kanë pritur për një rezultat përfundimtar mund ta marrin përgjigjen tani. Fatmirësisht këtë muaj mund të keni një ide më të qartë mbi rrethin tuaj shoqëror. Data 26 Dhjetor do të jetë mjaft e rëndësishme për ju dhe do të startoj më së miri sezonin tuaj. Do të ketë ndryshime në mënyrën se si ju shohin të tjerët dhe mbi mënyrën se si ju shihni botën. Këtu mund të përfshihen edhe ndryshime fizike që kanë si qëllim përmirësimin e imazhit tuaj. Edhe vëmendja që ju merrni do të rritet dhe mund të keni një shtim të popullaritetit tuaj.

Ujori-Energjia juaj përgjatë këtij muaji do të fokusohet tek karriera juaj. Do të keni dëshirë për sukses dhe arritje të reja ose edhe për ngritje në detyrë. Edhe kolegët tuaj mund ta pikasin këtë energji që buron nga ju këtë muaj. Nëse keni qenë të përfshirë në një romancë mund të merrni një vendim për më tej. Për ata që merren me art ose punë që kanë nevojë për kreativitet mund të shohin manifestimin e ideve të tyre në fillim të muajit. Në pjesën e dytë të muajit Hëna e Re në shenjën e Bricjapit do të startoj një periudhë izolimi në vetvete për të kërkuar përmbushje shpirtërore ose për të reflektuar mbi jetën tuaj.

Peshqit-Këtë muaj duhet të vendosni balancën mes karrierës dhe familjes. Do të ndjeni dëshirën për të qenë më pranë familjarëve tuaj, sidomos nëse i keni kushtuar shumë rëndësi karrierës së fundmi. Shmangni rutinën tuaj dhe provoni diçka të re. Mund të takoni njerëz nga kultura të ndryshme ose të mësoni diçka të re që tërheq vëmendjen tuaj. Rreth datës 26 Dhjetor mund të njihni miq të rinj ose të bëheni pjesë e një organizate jofitimprurëse duke kontribuar për një kauzë të caktuar ose thjesht për të qenë pjesë e njerëzve që ndajnë të njëjtat ide me ju. Mund të shprehni një anë tjetër tuajën e cila do të jetë më rebele dhe humane duke menduar jo vetëm për argëtimin tuaj këtë herë, por për të mirën e përgjithshme.

 

   Shigjetari, Alkimisti i Zodiakut (22 Nëntor-21 Dhjetor)

 

Shenja e Shigjetarit është një shenjë zjarri që drejtohet nga Jupiteri, planeti që përfaqëson fatin dhe bollëkun. Prandaj mund të them se Shigjetari cilësohet si një ndër shenjat me më shumë fat në Zodiak pasi kanë lindur nën planetin më bujar që sjell shanse për të cilat shumica e njerëzve ëndërrojnë. I quaj “Alkimistët e Zodiakut” sepse Shigjetari na mëson të mos e humbasim kurrë besimin. Fati i ndjek në çdo hap të lindurit e kësaj shenje dhe të tjerët mund të habiten me mënyrën se si një Shigjetar i arrin synimet që ka edhe kur askush nuk sheh dritë në horizont. Optimizmi i tyre është shumë i madh dhe kjo gjë i bën shumë të guximshëm. Rrallë herë do të njohësh një Shigjetar që nuk hedh një hap drejt gjërave që do dhe ata thuajse gjithmonë ia dalin. Kjo sepse nuk kane frikë të shkojnë drejt së panjohurës, përkundrazi ata ndjekin të panjohurën. 

Shigjetari është shenja më aventuriere në Zodiak. Ata kanë lindur për të eksploruar dhe për të hedhur veten mes aventurave më të çmendura. Për ta humbja nuk ekziston pavarësisht sa e pakëndshme mund të duket një eksperiencë  sepse rëndësi ka që provuan diçka të re. Nëse ka diçka që koha nuk mund ta vras kurrë ai është shpirti i lirë i një Shigjetari. Gjithmonë janë të gatshëm për të udhëtuar dhe për të eksploruar vende të reja dhe për të njohur kultura të ndryshme. Shumë persona të kësaj shenje mund t’i shohësh të jetojnë në një vend tjetër për një periudhë kohe ose të rriten me dëshirën për të shkuar diku tjetër. Ata nuk i përkasin asnjë vendi në veçanti, gjithë bota është shtëpia ë tyre. Pavarësia është shumë e rëndësishme për ta dhe kjo cilësi i bën që shpesh herë të ecin vetëm drejt rrugëve të pashkelura më parë nga të tjerët sepse kurrë nuk do të bënin kompromis për lirinë e tyre.

Zakonisht personat e lindur në shenjën e Shigjetarit kanë sy të shndritshëm që reflektojnë entuziazëm dhe pozitivitet. Ata nuk besojnë tek gjërat e pamundura dhe janë personat e duhur për të pasur rreth vetes nëse ke nevojë për kurajo dhe besim. Studimet janë shumë të rëndësishme për këta persona pasi përherë synojnë të zgjerojnë horizontin dhe zakonisht janë të hapur ndaj ideve të reja. Një nga pikat e tyre të forta që shpesh merret si dobësi është fakti se janë shumë të drejtpërdrejtë dhe jo rrallë herë mund të ndihen të ofenduar nga fjalët e tyre duke i akuzuar se nuk kanë takt, prandaj sugjerohet që të bëni më shumë kujdes me fjalët tuaja edhe pse ato që thoni janë kryesisht të vërteta megjithëse ju thjesht vlerësoni sinqeritetin dhe drejtësinë. Diçka tjetër me të cilën duhet të tregojnë kujdes personat e lindur nën shenjën e Shigjetarit janë lojërat e fatit ose lënia në dorë të fatit e disa gjërave ose situatave që kërkojnë përgjegjshmëri dhe punë nga ana juaj. Zakonisht ju pëlqen të arrini sukses shpejt dhe duhet të tregoheni të duruar në rastet e rralla kur fati nuk është në anën tuaj. Bota ka nevojë për Shigjetarin për të provuar se kur dikush dëshiron diçka i gjithë universi konspirohet për ta manifestuar atë.

 

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *