DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Art & Culture

INANE – Kur pritja e humbet kuptimin

Shpërndaje

Nga Fatima Gorezi

Filmi artistik “INANE” me skenar dhe regji nga Besnik Bisha është një projekt kinematografik që ka bërë bashkë emra të njohur të kinemasë në vend. Në rolet kryesore të  filmit janë aktorët Anila Bisha, dhe Neritan Liçaj, përkatësisht Sana dhe Gori në film. Filmi është xhiruar në Korçë, Durrës dhe Tiranë. Një histori e madhe dashurie, e cila papritur këputet në mes nga një realitet lufte. Një grua e cila zhytet në vitet e pritjes së gjatë, të një dashurie të pajetuar. Ajo zgjohet dhe fle duke menduar e pritur të dashurin e zemrës dhe kësisoj harron të jetojë, harron të shijojë, harron botën përreth dhe veten.

Bazuar në romanin e Besnik Mustafajt, “Vera pa kthim”, Besnik Bisha ka shkruar një skenar të jashtëzakonshëm i cili rreket të tregojë se jeta ka një cikël natyror dhe se ajo duhet jetuar sipas rregullsisë së saj. Ne, në ‘’Star People’’ kemi intervistuar regjizorin Besnik Bisha, por edhe dy nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë Sebastiano Celeste dhe Marco Werba, përkatësisht drejtori i fotografisë dhe kompozitori të cilët në  drejtimin e Bishës kanë sjell një film të shkëlqyer, sa emocional, aq edhe analitik, i cili padyshim të përfshin dhe të bën të mendosh gjatë. 

Cili është subjekti i filmit? Ku dhe si lindi ideja, ‘’ngacmimi’’  për të shkruar një skenar të tillë?

Filmi është bazuar në romanin e z.Besnik Mustafajt ‘’Vera pa kthim’’, një roman i  bërë në fund të viteve 80’’.  Ka qenë një vepër e cila pati jehonë shumë pozitive, sidomos në rrethet intelektuale dhe ishte një këndvështrim tjetër që bëhej nëpërmjet letërsisë i historisë, i raporteve njerëzore, raportit të njeriut   me vdekjen. Një roman dhe këndvështrim i veçantë edhe i trajtimit të Luftës së Dytë Botërore. Një roman, për të cilin  vitet padyshim kanë bërë të vetën dhe ishte lënë në sirtar. Në diskutimet tona gjithmonë përmendej kur hapeshin tema mbi artin, si ka ecur filan regjizor, filan shkrimtar, përmendeshin fillesat dhe arritjet që ka sot Besnik Mustafaj, vepra e të cilit sot është e përkthyer në shumë gjuhë të botës. Edhe ky roman vjen i përkthyer në disa gjuhë. Pra në një kuptim ky roman ishte në qendër të bisedave të artdashësve, edhe pse ishte i shkruar në vitet 80’’. Autori nuk ka kohë, ndonjëherë vepra e parë mund të jetë më e mirë se e fundit. E them këtë për të  evidentuar se kjo gjë nuk njeh kohë; edhe pse njerëzit kanë perceptimet dhe preferencat e veta. Ky është një roman shumë i mirë.

 Idenë për rikthimin tek kjo vepër ma ka dhënë bashkëshortja ime Anila Bisha, teksa një ditë më thotë:

’’ Pse nuk e sheh njëherë atë roman?’’. Mbase në subkoshiencën e saj mund të ishte ideja për të luajtur Sanën. Nuk e mohoj, se ndonjëherë njeriu bën veprime pa e ditur, edhe në dobi të vetes. Mbase edhe kjo mund të ketë qenë. Rekomandimi i saj nuk u anashkalua nga unë  dhe pasi e rilexova i thashë: ‘’Po , do e bëj film’’.   Bisedova edhe me Besnik Mustafajn dhe ai më tha po, por nuk donte të bënte skenarin. Ai më la dorë krejt të lirë. Besnikun e kam shumë mik, jemi miq të vjetër bashkë. Kjo liria e tij më dha hapësirën e duhur për mos ta ndjerë veten i kontraktuar brenda kornizave të  një romani…Edhe kinemaja narrative është, por aty aksioni është filmik, ndërsa në letërsi aksioni është tek fjala, tek përshkrimi. E shkrova  skenarin, variantin e parë në një kohë të shkurtër, 10 ditë apo ndoshta më pak. Pas këtij varianti të cilin e konsultova me drejtorin e fotografisë i cili fatkeqësisht u nda nga jeta, Leonard Qendro. Ai nuk jetonte në Shqipëri , jetonte në Greqi atë kohë dhe pasi e kishte lexuar  më thotë : ‘’Po më dhemb gjoksi.  Duhet ta bëjmë film. Besa bëje film.’’ Pastaj ua kam dhënë  edhe disa miqve, me të cilët diskutojmë  tema të kësaj natyre. Secili nga ne ka miq, që u “hapet”, për ‘’konsulta’’ për veprat e tyre artistike. Për tu konsultuar për mendimet artistike është pak më e vështirë se për tu konsultuar për problemet e familjes. Nëse ke nevojë për ndonjë gjë në shtëpi , më kollaj i kërkon borxh  një shoku:’’ Më duhet kjo për të blerë një frigorifer sesa i kërkon mendime për veprën artistike’’ ( Qesh).  Domethënë më bindën që është një vepër e mirë, edhe pse  do të ishte e vështirë. Pastaj ndoqa proçedurën, aplikova pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Gjatë kohës që kam shkruar skenarin kam pasur parasysh dy aktorë :  Anilën ( që natyrisht e njoh më shumë se çdo aktore tjetër në Shqipëri ) dhe Neritanin. Për hir të  së vërtetës Neritani është  figuruar në mendjen time si aktori i cili do ta luante personazhin e Gorit që gjatë rileximit të romanit. Dhe kështu skenari është shkruar duke pasur cilësitë e tij aktoreske, gjatë procesit të të shkruarit është pasur parasysh edhe interpretimi, kërkesa që do i bëj këtij aktori në transformimin e tij, kalimin e tij nga një personazh shumë realist në ekzekutimin e një personazhi surrealist, të vdekur praktikisht; sepse në film ai është një personazh i vdekur, por është një personazh që Sana e imagjinon të ishte gjallë. Këto ishin edhe kufijtë mes jetës dhe vdekjes. Kush ishte gjallë dhe kush i vdekur. Filmi është i gjithi një ëndërr, një ëndërr që vazhdon me seri, siç ndodh shpeshherë edhe në jetën tonë  ku në netë të shqetësuara shohim ëndrra pafund. Ndërkohë që ti mendon për ëndrrën që sapo ke parë  fillon dhe sheh ëndërr tjetër duke vazhduar aty ku e lë atë . Sana është një grua e shqetësuar që jeton me ëndrrat e saja.  Ajo ëndërron ta vazhdojë jetën nga aty ku është ndërprerë , nga dashuria në rininë e saj, e ndërprerë nga lufta, nga premtimi i dhënë nga Gori . Përjetësisht ajo pret dhe shpreson që ti mbahet premtimi. Unë në film nuk jam i këtij mendimi, pavarësisht se është një dashuri shekspiriane; unë jam i mendimit që çdo gjë ka një kufi , çdo gjë ka një kuptim, njeriu ka një cikël, femra ka një cikël jete, një cikël mëmësie. Të gjitha këto duhen respektuar, janë dhurata të Zotit. 

A ka filmi një mesazh të synuar? Çfarë rreket të tregojë ai?

Mesazhi është i hapur, edhe pse nuk mund të them se nuk ndihet mesazhi i autorit. Është e pamundur që autori të bëjë një vepër krejt neutrale. Mendimet, dëshira  apo qëndrimi i tij ndaj veprës janë absolutisht te lexueshëm. Unë jam i kënaqur që nga opinionet që kam marr nga premiera dhe sot, shoh analiza e qendrime që tregojnë se perceptimet janë të ndryshme. Më vjen mirë që kam marr disa lloj qëndrimesh që edhe nuk i kisha menduar, nuk i kisha parashikuar. Njerëzit edhe ngjyrat nuk i shohin njëlloj, jo më nuancat që vinë nga një marrëdhënie dashurie e pamundur. Jam ndjerë mirë sepse brenda filmit tim  njerëzit kanë gjetur vetveten, ka pasur një emërues të përbashkët . Qëllimi kryesor i filmit është të thotë se jeta duhet respektuar me ligjet e saj dhe ne njerëzit nuk mund të vendosim ligjet njerëzore mbi ato natyrore. Pritja është e pakuptimtë, sado me qëllime pozitive mund të jetë ajo.

Fakti që në këtë film si aktore vinin jo vetëm bashkëshortja juaj Anila, por edhe vajza juaj Rea, si ju bëri të ndiheni gjatë xhirimeve apo edhe më tej ?

Nuk është hera  e parë. Sigurisht  Anila, jo se është im shoqe, por është vërtetë një nga aktoret më të mira në tregun shqiptar dhe më tej, e vlerësuar me çmime edhe brenda, por edhe jashtë vendit. Jo se unë dyshoja në aftësitë e saj, absolutisht.  Në fakt ajo pati  një lloj frike të brendshme, normale, siç e kanë të gjithë artistët dhe krijuesit, e bej apo nuk e bej dhe se mos ishte një sakrificë që unë po e bëja për të, por në fakt ajo bëri një sakrificë për mua, sepse ky ishte një film që kishte si domosdoshmëri edhe një lloj ‘’dhune ‘’ regjizoriale për ta çuar aty ku kam dashur sepse kishte momente që personazhi kërkonte  të kishte një gjendje të caktuar psikologjike. Ishe e vështirë të kaloje nga ky realitet fizik në atë realitet artistik. Transformimi  i Anilës ishte rrënjësor, shpeshherë shumë i lodhshëm. Unë e ndiej që e kam të kollajt të bashkëpunoj me të, kam marrëdhënie të mira edhe me të gjithë stafin e filmit  sepse di ta ndaj shumë mirë  momentin e xhirimit me momentin e pasxhirimit. Të gjitha gjërat që bëhen në xhirim , mbesin në sheshin e xhirimit dhe miqësia dhe  gjithë marrëdhëniet e tjera nuk ngatërrohen. 

Cila është perspektiva dhe pritshmëria për filmin? Do të merrni pjesë në festivale?

 Ky është një film i mirëfilltë autor dhe nuk besoj shumë se do jetë një film tek i cili do të shkojnë një numër  të madhe spektatorësh për ta parë. Është pak i vështirë në perceptim. Ka një ritëm i cili të bën të meditosh më tepër sesa të emocionohesh. Filmi do të ketë jetën e vetë, fatin e vetë. Ai do e bëj padiskutim qarkullimin edhe nëpër festivale. Kinemaja sot ka problemet që tashmë dihen, dhe të marrësh pjesë në një festival të një niveli të mirë, sot është fati i madh, por edhe çudi e madhe, sepse  jo për faktin se janë filma shumë të mirë që konkurojnë, por janë ato, produksionet e mëdha që kanë interesa  financiare. Një film që kalon në një festival të madh e ka të sigurt tregun, kinematë. Por kënaqësinë e merr edhe në festivalet tona. Kjo është kinemaja jonë. Ne nuk mund të pretendojmë që kinemaja jonë të konkurojë kinematë e mëdha , me traditë etj. I gjithë postproduksioni është bërë në Itali , edhe absolutisht mendoj se cilësia e  figurës dhe e audios janë në nivele cilësisht shumë të mira sepse kanë ardhur nga specialistë të mirëfilltë , jo nga njerëz që jetojnë me punë tjetër dhe merren edhe me kinema. Ata jetojnë dhe merren me kinema, e pranojnë kinemanë në qelizën e vetë dhe e ndiejnë në thellësi të shpirtit.  Ky ishte një fat edhe për mua. Edhe ata ma kanë shprehur, ishin të kënaqur sepse po merreshin me një film që nuk kishte qëllime komerciale, por një film ku autori dëshiron të thotë diçka.

Personazhi kryesor mbart një ngarkesë të fortë emocionale, psikologjike dhe gjatë filmit luhet gjatë gjithë kohës  me konceptet e jetës dhe vdekjes. Për Besnikun cilat janë konceptet bazë për jetën dhe vdekjen?

Koncepti bazë është që duhet të respektojmë jetën si një dhuratë, jo ta deformojmë atë  dhe duhet ta presim e pranojnë vdekjen si një normalitet, jo si një dramë  (kur ajo është natyrore normalisht).

Cilët ishin bashkëpunëtorët tuaj më të ngushtë në këtë film dhe ata që bënë të mundur realizmin?

Në film kam pasur shumë  bashkëpunëtorë, për fatin tim të mirë, por edhe po i jap vetes një meritë, për shkak të përzgjedhjes së tyre.  Duhet të vlerësoj edhe përmend edhe bashkëpunëtorët e huaj si Sebastiano (Nino) Celeste, i cili ka më shumë filma në karrierën e tij sa mund të ketë bërë e gjithë kinematografia shqiptare e marrë së bashku. Apo edhe  z.Marco  Weber i cili është një artist internacional, i nderuar edhe me Golden Globe. Pjesëmarrja e tyre padyshim ka ndihmuar dhe ndikuar në cilësinë e punës. Por nuk duhet të lë papërmendur edhe bashkëpunëtorët shqiptarë. Kam marr ata që kam menduar se janë më të mirët dhe vërtetë  janë ndër më të mirët. Dua të falënderoj edhe ata që nuk janë më : Leonard Qendron që ishte bashkëdrejtori i fotografisë dhe mik i padiskutueshëm, asistentin tim i cili edhe ai nuk jeton më , Andon Koja. Dua të falenderoj piktorin e filmit Ilir Martini i cili ka bërë një punë të shkëlqyer, piktoren e kostumeve  Blegina Hasko(Bezo),  grimieren Besa, të gjithë bashkëpunëtorët, se mund të harroj ndonjë dhe kërkoj ndjesë. Veçoj bashkëpunëtorët italianë : montazhieren Erika Manoni, Gianfranco Tortora  që u kujdes për audion,  Marco Streccioni  i cili u kujdes për miksazhin e muzikës; studiot me të cilat kam punuar,  Luciano Vitori që ishte color corection  dhe miksazhi përfundimtar. Dua t’i falënderoj të gjithë  këta që më kanë ndihmuar dhe kanë kontriubuar gati-gati vullnetarisht në raport me pagesën që marrin në Itali për këtë lloj filmi. Ky film nuk më përket mua, por i përket kinemasë shqiptare. Kudo që do të shkoj do të thonë : Filmi  shqiptar me regjizor Besnik Bishën, jo filmi i Besnik Bishës nga Shqipëria. Kjo është absolute. Dua te falënderoj Qendrën Kombëtare të Kinematografisë e cila ka financuar,  Agjencinë e Filmit të Maqedonisë Veriore si dhe bashkëprodhuesit ARBEFIL (BGA NAQEDONIA)  si dhe kompaninë AAFilm e cila edhe ajo është bashkëprodhuese. 

Sebastiano Celeste – Drejtori i fotografisë

 

Si ndjeheni për këtë bashkëpunim dhe a i përmbushi filmi pritshmëritë tuaja?

Nuk është herë e parë që bashkëpunoj me Bishën. Mesa mbaj mend hera e parë që kemi bashkëpunuar ka qenë në vitin 2004 për filmin ‘’Mao Ce Dun’’ .  Për 15-vjet ne kemi qëndruar gjithmonë në komunikim me njëri-tjetrin dhe pasi kishte bërë këtë film më telefonoi, më shpjegoi  historinë e këtij filmi dhe tha se donte të bënte diçka ‘’vintage’’, një film që do të ishte një fotografi e viteve 70’’ dhe unë  kam bërë shumë filma për ato vite. Në ato vite xhirohej gjithmonë me ngjyra dhe  pastaj bëheshin kujtimet në bardh e zi. Ndërsa në filmin e Bishës kemi të  tashmen në film bardh e zi dhe kujtimet me ngjyra, pra e kundërta me filmat e bërë ne ato vite. Kjo ishte kërkesë e regjisorit.  Filmi besoj se pati shumë sukses, pashë në premier që të gjithë ishin të kënaqur dhe ndanë me ne përshtypje nga më të mirat. Një regji një muzikë, një aktrim i mirë dhe sigurisht shpresoj te këtë qenë edhe një fotografi e mirë . (Qesh).

Cilat ishin sfidat që hasët këtu , dua të them gjatë xhirimeve , por edhe në punën tuaj për të sjellë një film cilësisht të arrirë?

Në Shqipëri unë kam ardhur shpesh dhe kam bërë afro 10 filma.  Kam punuar me disa regjizorë si: Besnikun, Kumbaron, Gashin etj. Kur më marrin për të punuar këtu jam vërtetë shumë i lumtur . E  gjitha kjo për një arsye shumë të thjeshtë. Këtu e duan artin. Në  Itali nuk e duan më. Këtu duan kualitet, atje duan vetëm sasi, para.  Këtu edhe pse bën një punë që do të paguhesh më pak, është shumë bukur dhe e shijon sepse ke bërë diçka cilësisht të mirë. Ndër të tjera gruaja ime është gjysmë-shqiptare, pasi është kushërira e Artan Minarollit, i cili u nda nga jeta para pak kohësh. Në fakt unë e kam njohur Shqipërinë nëpërmjet tij. Kam vite që vij këtu për filma dhe kur më marrin në telefon për një film në Shqipëri jam i lumtur sepse këtu gjej njerëz  që duan të mësojnë, ta mësojnë këtë zanat, janë të edukuar, të respektojnë  dhe krijohet një ambient familjar. Kjo është për mua e rëndësishme. Ndaj e kam për kënaqësi të punoj këtu. 

Folëm për sfidat dhe momente e vështira, por cilat ishin ato më të bukurat dhe që ju dhanë kënaqësi?

Më e rëndësishmja është që realizuan diçka ashtu sikundër ishte në mendjen dhe perceptimin e regjizorit. I dhamë një lloj kualiteti filmit, një lloj bardh e zi  të shkëlqyer që më ktheu pak edhe tek neurorealizmi italian, ku kam punuar për shumë vite me Damianin etj. Duke bërë këtë film mu duk sikur u ktheva mbrapa në kohë 50 vjet dhe sikur po rinohesha . Filmi për mua është i shkëlqyer, aktorët shqiptarë janë shumë me të mirë edhe sesa ata italianë. E them i bindur këtë sepse kam punuar me shumë aktorë me emër edhe atje.

 

Marco Werba- Kompozitori

 

1.Werba ju vini nga një eksperiencë e gjatë në projekte filmi të suksesshëm ndërkombëtarisht. Si erdhi ftesa për tu bërë pjesë e ‘’Inane’’?

E fillova këtë punë  rreth 30 vjet më parë, në 1988 me një film italian të quajtur ‘’ Zoo’’ nga Cristina Comencini dhe gjatë gjithë këtyre viteve kam punuar  me filma dramatikë, historikë, autobiografikë dhe kam bërë vetëm një komedi.  Për mua është shumë e rëndësishme që të balancoj se sa muzikë duhet të vendos në film. Zakonisht regjizorët kanë frikë nga zhurma dhe duan të kenë shumë muzikë. Është  shumë e rëndësishme të gjendet balanca, të ketë një harmoni mes efekteve, muzikës dhe dialogut. Kam pasur mundësinë që të punoj me emra të mëdhenj dhe kam fituar disa çmime.

Sebastiano Celeste i cili po punonte ndërkohë për filmin më tha që Bisha ndoshta e ka  kompozuar kolonën e filmit, por megjithatë ai i tregoi atij diçka nga muzikat e mia.  Besniku e pëlqeu dhe kështu ne nisëm të bashkëpunonim së bashku. 

Ky është filmi juaj i parë shqiptar. Si u ndjetë në këtë bashkëpunim dhe a do të riktheheshit në Shqipëri përsëri?

Po është filmi im i parë. Bashkëpunimi  me Besnikun ishte i suksesshëm, i frytshëm dhe po e shohim mundësinë që të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen. Ky film ishte vërtetë  një film dramatik i fortë; historia e dy njerëzve që kanë vuajtur për shumë vite dhe kanë humbur shpirtin e tyre. Gruaja që pret më shumë se 30 vite për burrin e jetës së saj, i arrestuar nga nazistët. Ajo nuk e dinte nëse ai ishte ende gjallë, por ende e priste.  Pas disa viteve ai “kthehet”, por nuk është më i njëjti njeri që ajo po priste. Lufta e kishte shkatërruar, ishte si një i vdekur që ecte, ndërkohë që shpirtërisht ishte i copëtuar. Mes tyre nuk kishte më komunikim. Kështu që më duhej të jepja atë idenë e dramës, mungesës së komunikimit, ftohtësisë, një lidhjeje të këputur e cila nuk ka më dashuri. Ajo ndoshta vazhdon e ndjen ende dashuri për atë, por ai i ka humbur të gjithë ndjesitë. Muzika duhet të ishte dramatike dhe e ftohtë. Ne përdorëm shumë muzikë klasike në film po ashtu, repertor të Chopin, e riorkestruar që e shoqëron filmin deri në fund. Është një kompozim prekës . Pra sikundër ju thashë, ka goxha muzikë në film, por sigurisht që ne respektuam heshtjen.  Muzika është e balancuar dhe për mendimin tim një pjesë e saj shkon edhe përtej fabulës së filmit dhe të zhyt në abiset e dramës e historisë. Jam shumë i lumtur për muzikën e filmit. 

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *