”Ishte dora e Zotit”, filmi që do të çojë Italinë në Oscar
Shpërndaje

‘’E’ stato la mano di Dio” (”Ishte dora e Zotit”) me regji nga Paolo Sorrentino do të përfaqësojë Italinë në përzgjedhjen për filmin më të mirë të huaj në Oscar.
‘’E’ stato la mano di Dio” u përzgjodh ndërmjet 18 regjisorëve italianë që paraqitën projektet e tyre kinematografike.
”E’ stato la mano di Dio’ është filmi im më i rëndësishëm dhe më emocional për mua. Jam i lumtur që e gjithë kjo dhimbje sot ka çuar në gëzim”, tha Paolo Sorrentino pas lajmit për zgjedhjen e filmit të tij për të përfaqësuar Italinë në çmimin Oscar.
Filmi portretizon historinë e një djali në Napolin e trazuar të viteve 1980. 17-vjeçari Fabietto Schisa është një djalë i ngathët që përpiqet të gjejë vendin e tij në botë, por që gjen gëzim në një familje të jashtëzakonshme, që e do jetën. Derisa disa ngjarje fillojnë të ndryshojnë gjithçka. Njëra është ardhja në Napoli e një legjende sportive të ngjashme me një perëndi: idhulli i futbollit Maradona, i cili ngjall tek Fabietto dhe në të gjithë qytetin, një krenari që dikur dukej e pamundur. Tjetri është një aksident dramatik që do ta bëjë Fabietton të prekë fundin. Me sa duket i shpëtuar nga Maradona, i prekur rastësisht ose nga dora e Zotit, Fabietto lufton me natyrën e fatit, konfuzionin e humbjes dhe lirinë dehëse për të jetuar. Në filmin e tij më emocionues dhe personal, Sorrentino shoqëron audiencën në një udhëtim plot kontraste midis tragjedisë dhe komedisë, dashurisë dhe dëshirës, absurdit dhe bukurisë, ndërsa Fabietto gjen të vetmen rrugëdalje nga katastrofa totale; atë përmes imagjinatës së tij.
Njoftimi zyrtar i të gjithë nominimeve do të jetë më 8 shkurt 2022 dhe ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar do të zhvillohet në Los Anxheles më 27 mars.