DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Art & Culture

Kreativitet në kushtet e izolimit nga COVID-19, Bashkia e Kavajës hap konkursin online

Shpërndaje

Bashkia e Kavajës hapi konkursin online me temë: “Së bashku për familje të shëndetshme e pa dhunë, edhe në situata emergjence!”, duke synuar nxitjen e kreativitetit.

Bashkia e Kavajës ftoi qytetarët të jenë pjesë e konkursit, përmes të cilit mund të japin mesazhe se si mund të kontribuohet për familje të shëndetshme e pa dhunë, në situatën në të cilën ndodhemi.

“Konkursi është menduar të zhvillohet qëllimisht në kushtet e vetëizolimit dhe të kufizimit të lëvizjeve për shkak të masave të ndërmarra për t’u mbrojtur nga COVID-19. Përjetimet tuaja negative, tensionin dhe frikën ju ftojmë t’i transformoni në mjete artistike për të përcjellë mesazhe sa më pozitive dhe optimiste, të cilat të synojnë të mbajnë larg dhunën dhe të ndikojnë në marrdhëniet e shëndetshme familjare, modelet pozitive të përballimit të stresit dhe prindërimin pozitiv”,- njoftoi Bashkia e Kavajës ne faqen zyrtare te Facebook.

“Kalimi i kohës më fëmijët në mënyrë produktive, ndryshimi i mendësive patriarkale dhe steriotipeve gjinore mbi rolin e burrave/djemve dhe grave/vajzave në familje, nxitja e modeleve të përballjes me stresin dhe menaxhimin e frikës, forcimi i marrëdhënieve të shëndosha në familje, aplikimi i ndëshkimeve për këdo që dhunon pavarësisht kufizimeve të emergjencës, etj., – janë disa prej tematikave që mund të përzgjidhni të trajtoni në punimet dhe krijimtarinë tuaj artistike”,- bëhet me dije në njoftim.

“Ftojmë të gjithë individët mbi moshën 15 vjeç (banues në territorin e Bashkisë Kavajë), që të dërgojnë në adresën e e-mailit: [email protected], krijimet e tyre në fushat: prozë (ese), poezi, pikturë, art fotografik, spote/video të shkurtëra, deri në datën 30 Prill 2020 ora 17.00”,- theksohet në njoftim.

“Të gjitha krijimet e paraqitura deri në datën e caktuar, do të postohen më pas në faqen e internetit të Bashkisë ku nga data 1 Maj deri në datën 10 Maj do të hapet edhe votimi (on-line). Mënyra e votimit do të jetë nëpërmjet “Like”, “Koment” dhe “Share” vetëm nga dhe tek faqja zyrtare e Bashkisë Kavajë”, bën me dije Bashkia e Kavajës.

“Shpallja e fitueseve dhe fituesve do të bëhet në datën 15 Maj 2020.
Për secilën fushë të artit do të jepen tre çmime. Me përfundimin e periudhës së emergjencës, fituesit do të ftohen edhe në një takim ku do të marrin çmimet e caktuara për ta si dhe do të ndajnë me të gjithë ne eksperiencat e tyre”,- vijon njoftimi.

“Ky aktivitet organizohet nga Bashkia Kavajë në Bashkëpunim me UNDP Shqipëri, në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara, “Për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzve”, financuar nga Qeveria e Suedisë dhe që po zbatohet nga UNDP, UN Women dhe UNFPA, në bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë”,- përfundon njoftimi i Bashkisë së Kavajës.

 

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *