DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Star Tourism

Kryeqyteti i dritave dhe i ngjyrave! #We love TIRANA

Shpërndaje

Tirana është një qytet plot ndërtesa të pikturuara me shumë ngjyra, ku lulëzon jeta e gëzuar dhe plot ritëm. Bulevardet kryesore janë të veshura me relike të veçanta, po aq edhe interesante. Ka nga të gjitha stilet: osmane, italiane dhe ballkanase.

Historia e një kryeqendre urbane

Qyteti u themelua në vitin 1614 nga Sulejman Pashë Bargjini, me origjinë nga fshati Mullet dhe për herë të parë emri i Tiranës përmendet në vitin 1418 në një dokument të Venedikut. Ajo u shpall kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë në 9 shkurt 1920 nga Kongresi i Lushnjës dhe pjesëtarët e Këshillit Kombëtar hynë në qytet në 11 shkurt 1920. Përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925 nga Asambleja Kushtetuese.
Tirana është qyteti më i madh i Shqipërisë dhe qendra më e madhe ekonomike, administrative, politike, industriale, mediale, akademike, sociale dhe kulturore e vendit.
Mozaiku i Tiranës është i vetmi monument arkeologjik brenda territorit të qytetit të Tiranës. Në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani” në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës, u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik. Sipas autorëve, kemi të bëjmë me një qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit që në fillim të shek. III u zëvendësua me një vilë fshatare (rustica). Autorët mendojnë edhe që në shek. V-VI vendin e vilës e zuri një bazilikë paleokristiane. Pjesa e gërmuar e monumentit u rrethua dhe u vu në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës .

Ura e  Tabakëve dallohet për arkitekturën e saj harmonike si dhe për shpërndarjen proporcionale të elementëve të saj. Ajo përbëhet nga një hark kryesor mbi të cilin ngrihet ura në formë kurrizi. Ky hark e ka hapësirën e dritës 8 metra dhe është ndërtuar me 2 rreshta harqesh anësore me trashësi 1 metër. Lartësia nga niveli i ujit ishte 3,5 metra. Kalldrëmi i urës me gjerësi 2,5 metra është i ndërtuar me gurë lumi të vendosur pa ndonjë rregull. Në të dy anët e harkut kryesor janë ndërtuar 2 harqe në formë segmentesh rrethore me hapësirë të vogël. Ura e Tabakëve e luajti funksionin e saj për kalimin nga një breg i Lanës në tjetrin deri nga vitet 30’’. Më pas Lana mori drejtim tjetër duke devijuar nga rruga e saj e përhershme. Ajo sot mbart vlerat historike të dikurshme, por shërben edhe si një objekt që të nxit kureshtje dhe admirim për ta parë dhe për të ditur më shumë mbi të. Ajo është dëshmi e zhvillimit të qytetit dhe shtimit të komunikimit me zonat e brendshme.
Kalaja e Tiranës ishte një stacion rrugor i vijës Egnatia. Ajo përbënte qendrën e një vendbanimi, të emërtuar me një variacion emrash që në shekujt e parë të erës sonë. Në të, sipas shkrimtarit tonë Barletit, kanë qenë vendosur kancelaria e sundimtarit të saj Karli I Anzhu. Kalaja, dëshmia më e lashtë e këtij qyteti, ndodhet pikërisht në vendin ku derdheshin e kryqëzoheshin rrugët e vjetra e të reja që e lidhnin kryeqytetin dhe pastaj krejt Shqipërinë – veriun me jugun, lindjen me perëndimin. Në ambientet e Kalasë së Tiranës ka disa shtëpi tradicionale të cilat kanë krijuar stilin e ndërtesës qytetare tiranase. Në ndërtesat brenda Kalasë së Tiranës kanë banuar pjesëtarë të familjeve sunduese të qytetit dhe për këtë arsye ato konsiderohen edhe si godina të administratës së parë lokale. Kalaja e Tiranës është dhe duhet trajtuar në epokën tonë si bërthama historike e kulturore e kryeqytetit.
Muzeu Historik Kombëtar ndodhet në qendër të Tiranës dhe është ndërtuar më 28 tetor 1981. Muzeu kombëtar është muzeu më i madh në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit. Afresku në ballë të tij titullohet “ Shqipëria “ dhe është një kryevepër e vërtetë. Muzeu Historik Kombëtar ka në fondin e tij 3600 objekte të trashëgimisë kulturore shqiptare, pjesa më interesante e të cilave u përkasin periudhave që nga Paleolititi deri në Antikitetin e vonë.
Xhamia e Et`hem Beut ka filluar të ndërtohet në vitin 1794 nga Mulla Beu. Ndërtimi i saj zgjati 27 vjet deri në vitin 1821 dhe u përfundua nga djali i Mulla Beut, Et´hem Beu. Ambientet e brendshme të Xhamisë përbëhen nga Salla e Lutjeve, e cila është e mbuluar me kupole, Portiku dhe Minarja. Për vlerat që ka, Xhamia është shpallur Monument Kulture.
Kulla e Sahatit u përfundua në vitin 1830 me ndihmën e familjeve të pasura të Tiranës, rreth 8 vjet pas fillimit të ndërtimit te saj nga Haxhi Et`hem Beu. Montimi i Sahatit u bë nga Familja Tufina, familje e njohur në Tiranë me traditë orëndreqësish. Një sahat modern u ble në vitin 1928 në Gjermani nga shteti shqiptar dhe kulla u ngrit në lartësinë 35 m. Sahati u dëmtua gjatë Luftës së Dytë Botërore, por u rivu përsëri në punë në korrik të vitit 1946.

Përveç pjesës shumë të rëndësishme kulturore , që rrëfen të shkuarën dhe të tashmen bashkë, kryeqendra shqiptare, Tirana është një atraksion i madh edhe në aspekte të tjera. Nuk mund të vish në Tiranë dhe të lësh pa vizituar e vozitur sikur sadopak “Parkun e Tiranës’’ pranë ‘’Liqenit Artificial”. Parku është ndërtuar mbi të ashtuquajturin” Stani i Grogeve”, një hapësirë e gjelbëruar ku kullosnin dikur kafshët e familjeve tiranëse. Parku quhet ndryshe edhe ‘’mushkëria e qytetit’’ për shkak të shumëllojshmërisë së pemëve dhe shkurreve në brendësi të tij. Në brendësi të parkut të madh ndodhet edhe një amfiteatër ku zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore, kryesisht gjatë periudhës së verës. Liqeni artificial është i përshtatshëm për peshkim me raste. Liqeni është ndërtuar në vitin 1955 me punë vullnetare duke shfrytëzuar disa prurje ujore të zonës.
Mali i Dajtit me shërbimin teleferik ofron mundësinë për të vizituar gjithë parkun e Dajtit . Lartësia e madhe të ofron relaksin e nevojshëm, së bashku me kthjelltësinë dhe ajrin e freskët. Aty ka shërbim shumë të mirë të bareve dhe restoranteve të zonës, që ju mirëpresin me gatimet tradicionale shqiptare , të cilat janë bio dhe të freskëta. Parku i Dajtit dallohet për vlera të larta të biodiversitetit (florë, bimësi dhe faunë), për veçoritë natyrore dhe të peizazhit.

Kalaja e Petrelës nga zbulimet e bëra, është kala mesjetare e ndërtuar në kohën e sundimit të Perandorit Bizantin Justianit të I, në shekullin e VI pas Krishtit. Kjo qe një prej kalave të ngritura prej tij në sistemin mbrojtës së Perandorisë. Është kala e ngritur mbi një terren me shpate mjaft të pjerrëta, madje nga ana jugore dhe juglindore të thepisura, të cilat e kanë bërë kalanë shumë të mbrojtur. Ajo u ngrit në momentin kur Kalaja e Vilës, kala antike, e cila ndodhet përballë Kalasë së Petrelës, e humbi rëndësinë e saj. Ajo u ngrit kryesisht për qëllime ushtarake. Ndryshe nga e dikurshmja e largët, sot kalaja e Petrelës është një atraksion i turizmit të gjelbër. Kush dëshiron që të gjejë qetësi dhe komoditet, të ushqehet shijshëm dhe shëndetshëm, të pijë një gotë vere vendi apo një gotë rakie, të provojë tavat tradicionale të Tiranës, fërgesën me gjizë, mishin e pjekur etj, restorantet dhe hotelet afër Petrelës janë më të mirat se kudo.

Gastronomia
Sa i takon gastronomisë dhe ushqimit, Tirana është një lider i bashkëjetesës së ushqimit tradicional me atë të kuzhinave simotra europiane. Nëse ju akomodoheni në pjesët periferike të Petrelës apo të Dajtit do shihni një lulëzim të traditës vendase. Restorantet e vendosura në qytet tentojnë pak më shumë kuzhinë të huaj. Në Tiranë i gjen të gjitha, që nga ushqimi Italian dhe deri tek ai Indian, kinez, afrikan, spanjoll dhe jo vetëm.

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *