DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

On the Cover

‘’Magic 4’’, një rrugëtim i suksesshëm nga lokalet e natës në zemër të muzikës shqiptare

Shpërndaje

Nga Fatima Gorezi

‘’Magic 4’’ do ta niste rrugëtimin e tyre si një grup i ri muzikor rreth 14 vite më parë. 4 të rinj me profesione larg muzikës, por që brenda vetes mbanin ndezur një pasion për të kënduar live dhe për të nxjerrë shpirtin në skenë , atë dellin artistik të ngjizur aty- këtu që nga fëmijëria.

Vanina, Entela, Frensis dhe Marseli janë të lumtur se edhe pse në një vit të vështirë pandemik projekti i tyre i afro 6 muajve më parë ‘’Hape telefonin’’ vazhdon të jetë një hit i vërtetë.

Ndërkohë që mezi presin ‘’të ndezin’’ jetën e natës të kryeqytetit me mbarimin e pandemisë , katërshja simpatike na rrëfen në një intervistë ekskluzive se si ka qenë kjo periudhë për ta, por edhe sesi ia arritën të jenë sot pjesë e showbizit shqiptar duke pasur pas vetes një publik që i ndjek dhe i do.

Si ka nisur ky vit për ‘Magic 4’?

Entela: Ky vit, ashtu sikundër ai që lamë pas, kanë qenë jo të zakontë për ne. Ashtu si në të gjithë botën pandemia i ktheu përmbys planet tona dhe koncertet e gjithçka që kishim planifikuar u anuluan.

Megjithatë  ky pushim po themi, na shërbeu në njëfarë mënyre për t’i sjellë publikut një produkt të mirë muzikor siç mendojmë se është kënga “Hape telefonin” që po dëgjohet dhe po pëlqehet në mase nga publiku.

Megjithëse në një vit të vështirë pandemik, ju vazhduat përpara me projektin tuaj.Si lindi ky bashkëpunim me autorët dhe cila është fabula e këngës që vazhdon ende të jetë një hit?

Vanina: Ky është bashkëpunimi i tretë me Pirro Çakon dhe Edlir Begollin. Përpara këngës “Hape telefonin” , ne punuam së bashku projektet “Aisha dashnia” dhe “Koka ty ta boni” respektivisht të kënduara nga ‘Magic 4’ bashkë me legjendat Sabri Fejzullahu dhe Artjola Toska dhe duke qenë se këto dy produksione ecën shumë mirë, ne vendosëm të mos ta ndërrojmë këtë “skuadër fituese” dhe t’i japim jetë bashkëpunimit të radhës. Një ditë të bukur u ulëm me Pirron në piano dhe atje mes tingujsh, notash, idesh, bisedash, mendimesh, debatesh e rrëzimesh lindi bulza e kësaj këngë. Tek ndërtohej, hidheshin tek-tuk fjalët, madje që në momentin e parë kur doli fjala “Hape telefonin” vendosëm në unanimitet ta titullonim kështu dhe të qëndronim tek kjo tematikë. Kush nuk ka në telefonin e vet një mesazh nga personi i zemrës që i thotë “hape telefonin”… pastaj kënga shkoi tek Edlir Begolli për arranxhim (ose ne laborator) siç e quajmë ne. Dhe atje provohet gjithçka duke filluar nga mënyra e të kënduarit, tonalitet e deri tek instrumentat që i rrinë këngës apo ato që e dëmtojnë dhe që duhen hequr. Atje ndodh dhe magjia, ku klasicizmi i Pirros ndërthuret me ritmofolkun e Edlirit dhe kjo është pjesa më e bukur në realizimin e këngës. Me pas erdhi momenti i koreografisë ku falë primabalerinës se TOB Adela Muçollari u ndërtua një koreografi e thjeshtë në pamje, alla tik-tok që i rri në mënyrë perfekte fabulës së këngës. Momenti i fundit ishte klipi të cilin e realizuam në dy vende “të shenjta” për ne: në Tiranë, atje ku filluam këtë aktivitet, dhe në Dhermi, atje ku për herë të parë para 13 vitesh u quajtëm ‘’Magic 4’’.

‘’Magic 4’’, një rrugëtim i suksesshëm nga lokalet e natës në zemër të muzikës shqiptare 1Sa vite u bënë karrierë, qëkurse ‘Magic 4’ nuk i ndahet skenës dhe muzikës?

Marseli: Jemi në skenë që prej vitit 2007. Në një lokal të vogël që quhej ‘Chardonney’ filloi rrugëtimi ynë i gjatë mes argëtimit, muzikës dhe natës. Fillimisht e nisëm me karaoke dhe kishim shumë pak këngë shqiptare, për hir të vërtetës numëroheshin me gishta, por i vumë detyrë vetes që nëse do ta vazhdonim këtë punë duhet ta plotësonim repertorin dhe ta ngrinim vetëm me muzikën e bukur të vendit tonë. Sot që flasim repertori ynë numëron mbi 1200 këngë shqiptare; pjesën më të madhe të të cilave e këndojmë ne të katërt. Gjithashtu aktiviteti ynë është kthyer nga karaoke në liveshow entertainment. Publiku ynë nga 100 vetë në natë, sot është një ndër më të kërkuarit në kryeqytet dhe ‘Magic 4’ është zgjedhje e parë për frekuentuesit e jetës së natës. Përtej kësaj morëm në dorë dhe promovuam në atë mënyrë muzikën shqiptare, dhe sot që flasim ne çdo klub kryesor të vendit luhet vetëm muzikë shqiptare. Kur filluam ishim vetëm ne dhe shikoheshim me shumë skepticizëm për këtë nisëm që sot është modë.

Në gjithë këto vite karrierë cilën njihni si këngën më të bukur, momentin më të bukur në karrierë, por edhe atë më pak të bukur?

Frensis: Ka shumë momente të bukura, aq sa nuk i numërojmë dot. Janë rreth 2000 festa në këto vite të organizuara nga ne dhe mund t’i shtojmë një 0 për të numëruar momentet e bukura. Megjithatë kujtojmë me shumë mallëngjim deputimin me këngën ‘’Aisha dashnia’’ në vitin 2018… ishte për ne të katërt si një ‘fëmijë’ i shumëpritur i ardhur me vonesë. Kishim shumë vite që këndonim, i kishim dhënë një kontribiut të vyer promovimit të muzikës shqiptare, por nuk kishim një këngë tonën. Pastaj ka momente të magjishme pafund pasi kemi kënduar live dhe kemi ndarë momente fantastike thuajse me gjithë këngëtarët shqiptare të cilët kanë qenë të ftuar special të fundjavave tona festive. Moment më pak të bukur nuk ka. (Qesh)

Nëse nuk do ishit bërë këngëtarë, çfarë profesioni tjetër do kishit synuar?

Vanina: Marseli do ishte bërë skenograf, Entela farmaciste, Frensis filozof dhe unë ekonomiste. Bëjmë shaka; këto janë profesionet tona dhe të kënduarit është një hobi që na është kthyer tashmë në profesion. Ne ushtrojmë profesionet tona gjatë javës dhe në fundjavë veshim petkun tjetër dhe mundohemi që së bashku të bëjmë shumë mirë aktivitetin për të cilin na njeh pjesa më e madhe e njerëzve.

 

Ky pasion dhe talent për muzikën ka qenë i lindur tek ju? A është dikush tjetër në familje që këndon?

Marseli: Kur filluam të këndonim për koecidencë ishim që të katërt adultë. Por besojmë që tek secili nga ne fshihej dikush që këndonte. Një lokal karaoke në ish- Bllok u bë katalizator dhe zbuloi një pasion të përbashkët tek ne. Nëpër familjet tona patjetër që kemi njerëz që këndojnë, por si ballkanas mendonim qe s’ka shtëpi pa këngëtarë. Gjithsesi ende nuk dimë të themi nëse ky talent ka qenë i lindur me ne apo i zhvilluar gjatë jetës, por një gjë është e sigurt, ky pasion do vdesë me ne.

Kur dëgjoni muzikë, çfarë muzike dëgjoni, të huaj apo shqiptare?

Entela: Dëgjojmë dhe shijojmë të gjitha zhanret e muzikës. Mjafton që 7 notat të lidhen bukur me njëra -tjetrën.

Cila do ishin fjalët ideale që ‘Magic 4 ‘do ia thoshte një këngëtari të ri të talentuar?

Frensis: Asnjeri nga ne para 15 vitesh nuk do ta çonte nëpër mend se do jetonte duke kënduar, ndaj fjala jonë për çdo këngëtar të ri është “ki besim tek vetja dhe ndiq pasionin tënd”.

 

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *