DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Star Tourism

Magji korçare…! Arsyet pse Juglindja duhet të jetë destinacioni juaj dimëror

Shpërndaje

 

Qyteti i serenatave, qyteti i dashurisë, qyteti i artit, qyteti i birrës, vendi i kërnackave, Parisi i vogël dhe asnjëherë nuk janë ndalur të kërkojnë dhe gjejnë epitete  që cilësojnë vlerat e saj , por edhe karakteristikat se përse duhet vizituar një qytet si Korça. Korça është një qytet i qeshur e plot jetë, që të fton në çdo stinë të vizitosh rrugët e saj karakteristike, të mësosh për kulturën dhe historinë e saj, të kuptosh pse shumë atdhetarë që sot mbushin faqet e historisë së kombit, ishin pikërisht nga Korça. Madje , edhe për të pirrë një birrë me “kërnacka”, do të ndjesh po aq kënaqësi e mikpritje, sepse kudo që të shkosh nëpër qytet e në të gjitha fshatrat e tij, gjëja e parë me të cilën do të takohesh, është pikërisht mikpritja e korçarëve. Ajo që të bën përshtypje është arkitektura e veçantë, me shtëpitë-vila, rrethuar me kangjella dhe oborre të mbushura me lule të shumëllojshme. Veçanërisht mbresëlënëse do të jetë për ju zona midis bulevardit “Republika” dhe “Shën Gjergji”. Në këtë zonë ndodhet “Muzeu i Artit Mesjetar”. ”Muzeu Prehistorik” i vendosur në dy banesa karakteristike korçare do t’iu ofrojë 1200 objekte, të cilat përfaqësojnë gërmime arkeologjike nga periudha prehistorike, periudha helene, romake dhe bizantine e hershme. 

Disa nga monumentet më të rëndësishme për tu vizituar në Korçën e bukur dhe historike janë :

Xhamia e Iljaz Bej Mirahorit

Kjo xhami është monumenti më i vjetër i qytetit i vitit 1484, ka vlera historike, kulturore e fetare, por edhe arkitektonike. Gjendet në jugperëndim të bulevardit “Fan Noli” dhe atij “Kiço Greço”. ‘’Xhamia e Mirahorit’’ është xhamia e parë me kube e ndërtuar në Shqipëri.

Në brendësi është e lyer me të bardhë dhe i përket shekullit të XIX, me disa piktura të Mekës dhe Medinës në mur. Kjo xhami është ndërtuar në vend të një kishe bizantine. Është monumenti më i vjetër në Korçë dhe xhamia më e vjetër në Shqipëri.

Katedralja e Korçës

Katedralja është ndërtuar në vitin 1992, dhe i përket besimit ortodoks. Nga përmasat e saj cilësohet si më e rëndësishmja në Korçë dhe më e madhja në Shqipëri. Dikur në të njëjtën vend ekzistonte një tjetër katedrale e quajtur Katedralja e ‘’Shën Gjergjit’’. Katedralja “Ringjallja e Krishtit” karakterizohet nga një ndërtim prej betoni, përbëhet nga tre kate dhe zë një sipërfaqe prej 1800 metra katrorë. Ajo simbolizon rikthimin e praktikave fetare në një vend ku të gjitha fetë ishin ndaluar që nga viti 1967 deri në 1991.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar Korçë

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar Korçë është çelur në vitin 1980. Fondet e pasura të tij përbëhen nga objekte historike, kulturore e artistike të periudhës mesjetare, që lidhen kryesisht me trashëgiminë e krishterë bizantine dhe pasbizantine. Ikonat, objektet prej guri, koleksioni i objekteve prej metalesh të çmuara, druri të gdhendur, tekstili, letre etj., janë shembuj të një pasurie e larmie vlerash të paçmuara. Në veçanti, koleksioni ikonografik që ky muze posedon, është një nga më të mëdhenjtë në numër(rreth 6.500 ikona) dhe po aq i bukur e i krahasueshëm me gjithë artin tjetër bizantin e pasbizantin të krijuar në territoret fqinje të inkuadruara në ish- Perandorinë Bizantine.

Magji korçare...! Arsyet pse Juglindja duhet të jetë destinacioni juaj dimëror 1Shtëpia muze e piktorit Vangjush Mio

Vangjush Mio ishte piktori i parë impresionist në Shqipëri. Ai njihet më së shumti për peisazhet dhe konsiderohet si pesazhisti më i përkryer shqiptar  i shekullit të XX. Temat e tij të parapëlqyera i merrte nga Korça, Pogradeci dhe rrethinat, por ai përjetësoi në punimet e tij edhe qytete të tjera si: Tirana, Elbasani, Himara, Berati dhe Gjirokastra. Përveç peisazheve, Mio ishte brilant edhe në pikturimin e portreteve. Ai ishte njëkohësisht edhe skenograf i teatrit të qytetit të Korçës.

Shtëpia muze e piktorit Vangjush Mio është qendër e krijuar në vitin 1945 dhe rinovuar më 1995 dhe është pjesë e rëndësishme e qytetit të Korçës, ku zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore artistike: si koncerte lirike, ekspozita pikture, fotografike etj. Është shpallur monument kulture dhe përmban rreth 40 piktura në vaj, peisazhe, natyra të qeta, si dhe shumë vizatime të cilat janë të shquara për stilin e tyre tepër të veçantë. 

Kisha e Shën Athanasit

Kisha e Shën Athanasit është ndërtuar mbi kodrën me të njëjtin emër, e cila ka shërbyer edhe si varrezë e qytetit të Voskopojës. Kisha e Shën Athanasit është kisha e katërt e të njëjtit tip, bazilikë me mbulesa të kurbëzuara, e ndërtuar në Voskopojë. Kisha është ndërtuar gjatë viteve 1721-24, ku më 1721 ka përfunduar naosi dhe më 1724 ka përfunduar arkada. Narteksi është rrënuar nga tërmeti i vitit 1960.Pikturimi i naosit dhe arkadës ka përfunduar në qershor të vitit 1745 nga vëllezërit Konstantin dhe Athanas nga Korça.Pikturat e naosit dallohen për programin ikonografik tepër të veçantë, ku prezantohet një cikël tepër i zgjeruar me skena të shumta të martirizimit të shenjtorëve dhe ku trajtimi i hollësishëm deri diku makabër i torturimit të tyre tejkalojnë fantazitë e shikuesit. 

Manastiri i Shën Prodhromit

Manastiri i Shën Joan Pararendësit (Prodromios) është themeluar në shekullin XIV- të dhe gjatë periudhës së lulëzimit të Voskopojës, në shekujt XVII-të e XVIII- të, u bë një nga mbështetjet më të fuqishme ekonomike dhe eklesiastike të Arkipeshkopatës së Ohrit. Kisha e këtij manastiri është ndërtuar më 1632 sipas tipit Athonit, trekonkësh, me plan në formë kryqi mbuluar me një kupolë të vendosur mbi një tambur të lartë. Interieri i kishës u dekorua me piktura në vitin 1659. Narteksi i kishës është ndërtuar dhe pikturuar nga fundi i shek XVII- të, ose fillimi i shek XVIII-të. 

Kulinaria dhe hoteleria

Në tavernat e qytetit do të gjeni një shije gatimi që nuk e keni provuar më parë. Mund të provoni shumë gjëra, por mos lini pa shijuar lakrorin me qepë e domate. Arti kulinar në Rajonin e Korçës është një arsye më tepër për të qëndruar dhe pushuar aty. Ju duhet të keni parasysh të shijoni një vakt me gatime të peshkut shoqëruar me verë speciale , ose gatime të tjera, specialitete të rajonit nëpër restorantet e shumta me pamje nga liqeni dhe malet. Është për t`u përmendur edhe Korani i famshëm, peshk që gjendet vetëm në liqenin e Ohrit. Korani është i famshëm për mishin e tij të shijshëm, i cili gjatë dimrit ka ngjyrë rozë dhe në verë të bardhë. Gatimi i shpendëve dhe kafshëve të egra është gjithashtu një kënaqësi krahas kuzhinës orientale dhe europiane. Është një kënaqësi më vete të shijosh prodhimet e Liqenit të Prespës: peshkun krap dhe cironkat të gatuara nga kuzhinierët e aftë që kanë recetat e tyre të veçanta. Në kuzhinën e Prespës, karakteristikë janë edhe byreku i zonës (me peshk e gjizë dhe vezë, ose me qepë) si dhe turshitë e ndryshme.

Voskopoja

Voskopoja shtrihet në një pllajë të bukur të rrethuar nga kodra të larta dhe pyje me pisha e bredha. Nga Shën Prodhomi hapet para vizitorit një pamje e mahnitshme nga duken majat e Lenies dhe Ostrovica me një lartësi prej 2.246 m Vera e freskët dhe dimri i ftohtë, gjelbërimi, ajri i pastër malor, i pasur me oksigjen, peisazhet e bukura natyrore  ju ftojnë të kaloni momente mbresëlenëse me familjaret apo miqtë tuaj.Ajo është një vendbanim mesjetar i hershëm që nga viti 1330.Kishte 24 kisha me afreske nga më të bukurat, tani janë vetëm 7 prej tyre. Ka pasur Akademi, Bibliotekë, Shtypshkronjë (1720), artizanat të zhvilluar e tekstile dhe shërbeu si urë lidhëse jo vetëm brenda vendit, por edhe midis vendeve fqinje Greqi e Turqi. Voskopoja është fshati që ka traditë në pjekjen e mishit të qingjit, përpunimit të djathit, salcës, gjizës, turshive, petkave si dhe pjekjen e byrekëve në saç. Shërbimi i hoteleve të zonës është model dhe do ju bëj të ndiheni mjaft komod.

Dardha

Dardha është një fshat malor midis maleve e pyjeve, një bukuri e rrallë natyrore. 20 km në juglindje të Korçës, në një lartësi 1344m mbi nivelin e detit, Dardha ofron një klimë shumë të shëndetshme e ajër të pastër. Gjelbërimi dhe freskia e ditëve të verës, por dhe dimri me shumë dëborë e bëjnë një vend të preferuar në të gjitha stinët e vitit.  Turistët e apasionuar pas natyrës do të gjejnë kënaqësinë e dëshiruar. Shtëpitë e gurta karakteristike plotësojnë bukurinë e këtij fshati, por edhe njerëzit janë shumë mikpritës dhe gatuajnë specialitete karakteristike të fshatit. Në qoftë se ju shkoni në Dardhë nuk duhet të lini pa provuar lakrorin me dy petë të pjekur në saç. Është specialiteti i zonës dhe do të ngeleni mjaft të kënaqur.

Magji korçare...! Arsyet pse Juglindja duhet të jetë destinacioni juaj dimëror 2Vithkuqi

25 km nga Korça, në majë të një kodre shtrihet fshati i Vithkuqit. Pika më e lartë është maja e Rrungajës me lartësi 1750m. Një nga atraksionet e këtij rajoni është uji i ftohtë, i Bellovodës i pasur në minerale, i quajtur ndryshe dhe Uji i Bardhë. Vithkuqi ka florë e faunë të pasur sidomos me kafshë të egra  dhe pyje. Çaji i Malit dhe bimë të ndryshme mjekësore gjenden me shumicë në të gjithë zonën e Vithkuqit. Fshati i Vithkuqit do të lërë mbresa tek vizitorët e apasionuar pas ngjitjeve malore, ofron ajër të pastër dhe klimë të shëndetshme malore.

Boboshtica

Fshati Boboshticë është i famshëm jo vetëm për prodhimin e rakisë së Manit, por edhe për punimet e leshit si : velenca, qilima etj. Ky fshat ka dy kisha që paraqesin interes të veçantë me një numër afreskesh mjaft tërheqëse. Boboshtica ofron një kompleks restorantesh ku ju mund të provoni dhe mishin e pjekur që gatuhet në mënyrë të veçantë.

 

 

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *