DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Kendi i Filmit dhe Letërsisë On the Cover

Maklena Nika – OKSIMORON – Në kërkim të kuptimit të jetës dhe lumturisë…

Shpërndaje

Nga Fatima Gorezi   Fotografia : Fatjon Repishti   Hair and Make Up : Artur Muça & Doni Hairstyle

 

Prej më shumë se 16 vitesh, Maklena Nika është pedagoge e letërsisë greke në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Interesat akademikë dhe pasioni për poezinë janë të ndërthuara kaq fuqishëm dhe guximshëm tek ajo. Vëllimi i saj i dytë poetik “Oksimoron” është botuar pak kohë më parë, rreth 20 viteve nga botimi i përmbledhjes së parë poetike në dy gjuhë, shqip dhe frëngjisht “Unë, ti, ne”.

Brenda poezisë së saj ka ndjenjë, filozofi, heshtje, klithmë,kujtesë, harresë…një reflektim në të shkuarën dhe të ardhmen aq sa ndonjëherë duket si e pakohë. ‘’Nga e kaluara, asgjë nuk humbet, veçse ngjarjeve shumë tangente që nuk arritën të linin asnjë gjurmë tek ty.’’ – thotë ajo në këtë intervistës për ‘STAR People.’

E gjithë poezia i dedikohet jetës dhe shumëkuptimësisë së saj, imazheve që vetë Maklena ruan në kujtesë.

Maklena Nika – OKSIMORON - Në kërkim të kuptimit të jetës dhe lumturisë... 1OKSIMORON është botimi juaj i fundit. Cili është boshti i subjektit të librit? A ka një subjekt poezia juaj? Si erdhët deri tek ky botim? 

“Oksimoron” është vëllimi im i dytë poetik pas rreth 20 viteve nga botimi i përmbledhjes së parë poetike në dy gjuhë, shqip dhe frëngjisht “Unë, ti, ne”. Ishte një vendim i marrë gjatë periudhës së karantinës, ndoshta sepse përballja me vetveten gjatë atyre ditëve disi surreale ishte shumë e drejtëpërdrejtë, e guximshme dhe sfiduese. Ky vëllim përmbledh poezi të shkruara në rreth njëzet vite, me të njëjtin bosht subjekti shumëdimensional që është themeli i shpirtit femëror, i cili është i destinuar të provojë ekstreme ndjenjash apo antiteza përjetimesh, duke krijuar dashur pa dashur oksimorone. Ky shpirt femëror shndërrohet në poetik dhe filozofik nga mungesa dhe prania, nga kujtesa dhe harresa, nga nata dhe dita, nga drita dhe errësira, nga magjia dhe hiçi, nga fjala dhe heshtja…ka ditë kur dielli flakëron aq shumë, sa edhe gjaku djeg…/me këtë diell janë shkruar këto poezi/ka net kur ujqërit janë të heshtur dhe vetëm hëna gulçon…/me këtë hënë janë shkruar këto poezi… I mblodha të gjitha këto ditë dhe net të këtyre viteve dhe i konvertova në poezi. Një zgjidhje apo zgjedhje për t’i bërë monumente poetike, prej të cilave nuk kam më frikë, sepse i kam materializuar jashtë vetes. Fundja, për t’u ndjerë më e lehtë…

Maklena Nika – OKSIMORON - Në kërkim të kuptimit të jetës dhe lumturisë... 2Poezia juaj ka një ndjeshmëri të thellë, jep një perceptim mbi kuptimin e botës, jetës, dashurisë. Çfarë ju frymëzoi? A është ky vëllim një ndjesi personale ? 

E gjithë poezia i dedikohet jetës dhe shumëkuptimësisë së saj, imazheve që ruaj në kujtesë. Bota ime është me shumë ngjyra, të pakta janë herët kur e shoh bardh e zi, si një oksimoron totalitar që nuk të lë hapësira zgjedhjeje. Energjia që më jep apo më merr vetë jeta, herë në botën reale dhe herë në atë imagjinare ushqen shpirtin tim. Më frymëzon gjithçka që elektrizon shpirtin, që krijon muzikalitete ndjenjash, që e lumturon apo e trishton, që e lartëson drejt poetikes apo e ul në të përditshmen e rëndomtë. Më frymëzojnë mitet që çmitizohen kur humbet magjia. I gjithë frymëzimi im lind nga dashuria, nga dashuria për gjithçka që shoh, që prek, që ndiej pranë meje.

Duket sikur vëllimi trajton jo thjesht një ngjarje të vetme, jo veç fatin e një personazhi, por fatin e disa personazheve përnjëherësh, nje tërësi dukurish që kanë qënë apo janë realitet i jetës së një njeriu që mban gjallë në zemër të pafikur një dashuri. Për kë është ky libër? Cili ështe lexuesi ideal? 

Më kujtohet Balzaku kur shprehej “Ema Bovari jam unë”. Kështu mund të them edhe unë “Oksimoroni jam unë”, por në një këndvështrim tjetër. Në thelb, njeriu mbetet i njëjtë, po ai fëmijë çapkën që kërkon të ketë gjithçka për vete. Me kalimin e viteve, ky fëmijë zbulon se mund të jetë shumë gjëra përnjëherësh, dhe për më tepër një femër në kërkimin të poetikes dhe të bukurës në çdo ngjarje të jetës. Ky personazh është herë dionisiak e herë apollonian, Afërditë, Helenë, Meduzë, Muzë, Nimfë… Nga e kaluara, asgjë nuk humbet, veçse ngjarjeve shumë tangente që nuk arritën të linin asnjë gjurmë tek ty. Nuk bëhet fjalë vetëm për dashuri të humbura, por për luftën e brendshme që përjeton në kërkim të kuptimit të jetës dhe lumturisë. Ky libër është për të gjitha objektet dhe subjektet e poezisë sime, për njerëzit që më dhanë dhe më japin kaq shumë dashuri. Lexuesi ideal? Ai që dashuron jetën dhe kërkon të mrekullueshmen në poezi.Maklena Nika – OKSIMORON - Në kërkim të kuptimit të jetës dhe lumturisë... 3

Çfarë është “morali” në librin tuaj? Po “dashuria”? Cili është “kuptimi i jetës”?

Morali i të gjitha poezive përmblidhet në poezinë e fundit “oksimorone”, ku arrij në përfundimin se oksimoronet vazhdojnë/sa të ekzistojë dashuria/…oksimoronet e mia janë vetë Jeta/Jeta ime Jeta juaj Jeta që jetohet në carpe diem… Në fund të fundit, “carpe diem” është mesazhi që transmetoj për këdo që ka kurajën të jetojë jetën dhe të krijojë historinë e tij unike. Ndërsa për dashurinë, mund të them se është gjithçka për mua. Do të doja vetëm të dashuroja, pastaj të jetoja, me perceptimin e dimensioneve transhendente të kohës dhe hapësirës që të dhuron dashuria… Për mua dashuria përputhet me konceptin e André Breton, surrealistit francez, i cili shprehej se dashuria ekziston kur zbulon diçka të re të vetja, domethënë nivele të reja mendimi, artikulimi, përjetimi, frike, guximi, sakrifice, filozofike apo psikologjike. Në lidhje me kuptimin e jetës, mund të them se përherë kam qënë e shqetësuar për konceptin e lirisë, në kuptimin që të mundem të jem e lirë për të qënë e lumtur. Sepse liria absolute nuk ekziston, por të paktën të jem e lirë të zgjedh robërinë time.

Na tregoni diçka për jetën tuaj? Kush është Maklena në jetën e përditshme?

Në aspektin profesional, jam pedagoge e letërsisë greke në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, prej 16 viteve dhe interesat e mi akademikë janë të fokusuar në studime shkencore përqasëse dhe krahasuese të surrealizmit francez, grek dhe shqiptar. Gjithashtu, jam përkthyese e disa veprave të rëndësishme të letërsisë greke, ku do të veçoja Nikos Kazantzakis, pasi mbetet një ndër shkrimtarët e mi të preferuar. Më pëlqen arti, leximi, muzika, sporti, por mbi të gjitha eksplorimi i natyrës dhe shpirtit njerëzor nëpërmjet “enëve komunikuese” me të tjerët. Një ditë e zakonshme për mua është si oksimoroni me dy skajet e kundërta, që ndërthur botën ekstroverte në marrëdhënie me punën, shoqërinë, familjen dhe botën introverte të izolimit kur shkruaj ose përkthej.

Maklena Nika – OKSIMORON - Në kërkim të kuptimit të jetës dhe lumturisë... 4Duke parë zhvillimin dhe procesin nëpër të cilin ka kaluar poezia në këto vitet e fundit, a jeni ju sot një intelektuale e shqetësuar? 

Poezia është arti si të ndrysh detin në një gotë ujë. Sikurse thotë edhe Eliot, ajo nuk është shprehje e personalitetit, por arratisje nga vetë personaliteti, në shumë pak fjalë. Më pëlqen të lexoj dhe të përkthej poezi. Por, sikurse e dimë, poezia është për lexuesin elitar, për lexuesin e shqetësuar që kërkon estetiken në gjithçka. Këto vitet e fundit, shkruhet poezi shumë e bukur, në Shqipëri dhe në mbarë botën, por më vjen keq që nuk lexohet, sidomos nga brezi i ri dhe nuk përkthehet po aq shumë. Si intelektuale, do të doja të tërhiqja vëmendjen e lexuesit dhe botuesit për t’i dhënë më shumë hapësirë poezisë dhe në veçanti, do të doja shumë të inkurajoja çdo poet të ri të mos ketë drojë të flasë me veten apo me të tjerët nëpërmjet poezisë së tij…

 

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *