DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Art & Culture

Miti i pavdekshëm Lady Diana , gruaja që frymëzoi botën mbarë! 

Shpërndaje

Princesha Diana është cilësuar gjithmonë një nga gratë më me influencë të të gjitha kohërave, një frymëzim për shumë breza, ikonë e modës dhe stilit, gruaja ‘’rebele’’ e rrethuar nga një madhështi, mister dhe admirim global. 

Diana lindi  në një familje aristokrate angleze me prejardhje mbretërore dhe u bë një figure publike me shpalljen e fejesës së saj me Princin Charles. Dasma e saj me Charles u mbajt ne katedralen e Shën Palit dhe u ndoq nga një audience televizive botërore prej mbi 750 milionë teleshikuesish. Pas martesës së saj iu dha titulli Princesha e Uellsit, Dukesha e Kornvellit, Dukesha e Rothesay, Kontesha e Çester dhe Baronesha e Renfru. Ajo mbeti objekt i vështrimit të mediave botërore gjatë edhe pas martesës së saj, e cila përfundoj me divorc me 28 gusht 1996. 

Humaniteti i Princeshës Diana 

Diana ishte e njohur për mbledhjen e fondeve për çështje bamirësie dhe një zë i fuqishëm në kauza të ndryshme sociale. Në prill të 1987, Princesha e Uellsit ishte personalitet i parë i famshëm që preku një person të infektuar me virusin HIV.  Ngjarja e cila do të rriste dhe mediatizonte figurën e Dianës sa i takon çështjeve të bamirësisë ishte vizita e saj në Angola në janar të 1997-ës, teksa ajo shërbeu si një vullnetare e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Ajo vizitoi të mbijetuarit e minave tokësore në spitale. Në gusht të atij viti ajo vizitoi Bosnjën me organizatën “Të mbijetuarit e minave tokësore”. Diana është vlerësuar se pati ndikim në nënshkrimin nga ana e qeverisë së Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera të Traktatit të Otavës; një traktat ku vendet zotoheshin në ndalimin e përdorimit të minave kundër njeriut. Diana gjithashtu mori njohje për punën e saj bamirëse dhe për mbështetjen ndaj fushatës ndërkombëtare për ndalimin e minave tokësore. Prej 1989 , ajo ishte presidente e spitalit për fëmijë “Great Ormond Street Hospital”.

Miti i pavdekshëm Lady Diana , gruaja që frymëzoi botën mbarë!  1Stili dhe moda

Që nga dalja e parë në publik çdo look e veshje që ajo ka mbajtur ka pasur një kuptim të vërtetë në ndërtimin e imazhit të saj. Çdo veshje jo vetëm komunikonte e diktonte stilin e kohës, por edhe tregonte vetbesimin, hijeshinë dhe madhështinë e kësaj gruaje të rrallë.

Ajo ktheu shumëçka në trend; stile flokësh dhe veshjesh të cilat praktikohen nga femrat anë e kënd botës edhe sot e kësaj dite.

Diana kishte thyer tabutë e asaj kohe, duke u veshur me geta dhe duke përdorur lapsin blu për makijazh.

Ajo kishte një pasion të madh për bizhuteritë, ndërsa shpeshherë do të thyente edhe rregullat e veshjes në Pallatin Mbretëror. 

Ndryshimi i stilit të Princeshës Diana fillon në periudhën më të vështirë të jetës së saj,  momentet pasi u divorcua nga Charles. Stili i saj menjëherë pas ndarjes u bë më i vendosur, më modern, më evropian. 

Fustanet me supe jashtë, kostumet me dy ngjyra, veshjet me motive ushtarake, xhinset dhe këmishat e bardha ishin ndër tendencat e reja që ajo provoi. 

“Dua të jem princeshë e popullit”, – tha Diana në 20 nëntor 1995, kur 15 milionë britanikë ishin me sy nga televizioni. Përpos ndarjes së saj nga jeta në mënyrë tragjike dhe gjithë misterin dhe famën që veshën jetën e saj , Lady Diana do të arrinte që të konsiderohej jo vetëm ‘’princesha e popullit’’, por një nga gratë më të fuqishme e influencuese në shoqëri të të gjitha kohërave. 

 

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *