DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Art & Culture On the Cover

Myfarete Laze – Dashnia asht thelbi i jetës

Shpërndaje

Nga Fatima Gorezi

Sa herë interviston personalitete me një karrierë të gjatë mbi supe, më shumë sesa përgjigjet e pyetjeve të tua, të duket se merr mbrapsht edhe mesazhe të jashtëzakonshme mbi jetën dhe njeriun, mbi gjërat e rëndësishme, ato që në vetvete janë thelbi i ekzistencës sonë. Këtë ndjesi pata edhe në këtë intervistë me Myfarete Lazen, ndër ikonat e muzikës shqiptare, me një dimension artistik e njerëzor për tu admiruar, e duartrokitur dhe e dashur nga publiku shqiptar për më shumë se  katër dekada. Më shumë sesa një rrëfim mbi karrierën, kujtimet më të bukura dhe ato çka lënë shenjë domethënëse në jetën e artistit, kjo intervistë përmban një mori mesazhesh të mençura që do ju ngrohin zemrën.

Vitet e fundit disi më e tërhequr nga ekrani dhe festivalet. Si është sot përditshmëria e Myfarete Lazes?

Jeta ime që kur mbaj mend ka qenë e vrullshme e plot emocione. E rrethuar me ngrohtësi, dashuri, përkushtim e mbi të gjitha unë vazhdoj ta dua Myfaretin. Me dasht vedin asht respekti që po nuk ja dhe vedit nuk ta dhurojnë as të  tjerët. Kur dua vedin,mbroj tanë familjen.  Aktiviteti im është në nivele si më parë. Së fundmi kam realizuar tre bashkëpunime të reja, me Edmond Zhulalin, Lambert Jorgangjin dhe Roland Gulin. Mësimet private në kanto,angazhimi tek studioja, e ftuar në koncerte, angazhimi në punën shtetërore dhe familja, këto janë përditshmëria ime.

Në valën e këtyre angazhimeve po përgatis CD-në e pestë. Po ashtu kam pasur ftesa për aktivitete brenda e jashtë vendit.

Myfarete Laze – Dashnia asht thelbi i jetës 1Në të gjitha daljet publike kam parë e lexuar se sa fort e lartësoni ju familjen. Kujt ia dedikoni suksesin tuaj?

Pas një gruaje të suksesshme qëndron një burrë i dashurum,mbështetës,bashkëpunëtor që vlerëson gruan e familjen. Familja dihet vjen mbi gjithçka. Asht ma e dashura,ma e sinqerta,ma  kritikja,ma e besueshmja, ajo ku mbështet kokën dhe gjen mbështetje në çdo rast.

Shumë vite karrierë, shumë çmime, vlerësime dhe një repertor shumë i  pasur. Si i  kujtoni fillimet e hershme? Kush e spikati i pari talentin tuaj?

Babai im shumë i kujdesshëm më dëgjonte duke kënduar në shtëpi dhe vendosi të më çojë në konkursin e këngës te ” Shtëpia e Pionierit”; kështu quhej Qendra Artistike e Fëmijëve në Shkodër. Mësues Leonard Deda, Enrik Baba, Lec Balca, pjesëtarë të jurisë më pranuan me shumë entuziazëm dhe menjëherë më vendosën në Kompleksin e Fatosave. Atë kohë isha vetëm 9 vjeç, në klasën e 3-të. Pas një viti u zgjodha soliste e kështu filloi jeta ime e artit. Një jetë shumë e bukur dhe e mbushur me sakrifica e përkushtim. Gjatë udhëtimit artistik e mbusha me çmime, konkurrime, vlerësime, përballje me më të mirët e këngës së asaj kohe. Kam pasur bashkëpunime me kompozitorët më të mëdhenj shqiptarë si : Agim Prodani, Kujtim Laro, Limoz Dizdari, Tish Daija, Flamur Shehu, Spartak Tili, Enver Shëngjergji, Pjeter Gaci,Tonin Harapi, Edmond Zhulali,Ardit Gjebrea, Alfred Kaçinari, Luan Barova, Adrian Hila ,Xhavit Ujkani, Zydi Barbullushi,Gazmend Mullai etj; me poetët më të mirë si: Zhuljana Jorgangji,  Betim Muço,Xhevahir Spahiu po Xhevahir ama; Gjok Beci, Jorgo Papingji i kudo gjendur e kritik në zgjedhjen e mesazhit që duhet të sjellë kënga; Agim Doçi, Agim i poezisë, dhe të gjitha këto bashkëpunime më sollën vlerësime të larta e shumë e shumë çmime. Ndaj sot s’kam asnjë peng për artin tim. Ndjehem e realizuar dhe e vlerësuar. Të këndosh me këta këngëtarë , këngëtarët më të mirë si:  Gaqo Qako, Vaçe Zela, Ema Qazimi, Tonin Tërshana, Francesk Radi, Irma Libohova, Alida Hisku, Aleksandër Gjoka, Frederik Ndoci, Bashkim Alibali , Luan Zhegu, Liljana Kondakçi, Aferdita Zonja, Bik Ndoja,etj ka qenë nder e privilegj, them se ishte koha e zërave shumë të bukur. Zëra të personalizuar që dhuruam shume këngë, morëm shumë  duartrokitje, vlerësime e mbi te gjitha këngët e mia ,këngët e brezit tim këndohen edhe pas 60 – 40 viteve , jemi nder nga brezat plot sukses sepse populli i ruan në memorie . U ndërtuan koncerte me nga 100+100+1000 këngë të viteve 60’’-90’’. I jam shume mirënjohëse publikut tonë të mrekullueshëm jo vetëm për mbështetjen me duartrokitje ,por edhe sot më ndalin në rrugë, më përgëzojnë, përqafojnë, më puthin duart e shumë e shumë komente e fjalë plot respekt.

Prindërit,Zoti më dhuruan një talent që me përkushtimin tim,punën e mësuesit të kantos Ferit Bala dhe gjithë kjo armate e mrekullueshme krijuesish  më bën kjo që jam; e mbushur me vlerësime, e realizuar dhe kudo e mirëpritur brenda dhe jashtë vendit kudo ku ka shqiptarë.

Në epokën e globalizmit dhe teknologjisë a kanë ndryshuar ‘’rregullat e muzikës’’?

Muzika pëson ndryshime nga viti në vit dhe jo vetëm muzika, por të gjitha format e artit. Sepse arti i prin zhvillimit të shoqërisë, mendimit njerëzor e sjell  ndryshime me gjithë kërkesat e qenien e tij në jetën personale e shoqërore.

Jam vlerësuar në natën gala të Festivalit të 45-të në RTSH në pesëshen e këngëtarëve më të mirë  të viteve 60’’-80’’ krahas Vaçe Zelës, Ema Qazimit,Tonin Tershanës,Luan Zhegut . Ishte edhe Myfarete Laze. Pse?  Për veçantinë e zërit tim, me dedikimin ‘’Kompleks Vlerash Artistike e Njerëzore.’’ Pastaj shumë çmime si: Çesk Zadeja, Çmimi i Karrierës, “”Naim Frashëri” , ‘’Mjeshtër i madh” etj me motivacionin” Për talentin , vokalin e veçantë. Për ruajtje të pastër të natyrës së këngës shqiptare, asnjë kompromis me kërkesat e biznesin e tregut etj.

Më pëlqen të përkrahw talentet e reja e kam realizuar mes të tjerash, ideuar shumë emisione artistike si “Shaine” 16 javë spektakël me të rinjtë. Ndjek rrymat e ndryshme muzikore sepse dëgjoj shumë muzikë dhe sepse  kur erdha në skenë solla një mënyrë të re të të kënduarit, pra vizionare e si mos t’i përkrahësh format e reja? E reja të krijohet me frymëzim, krijimtari, jo kopjim,jo prishje te melodisë shqiptare , jo zhveshje të vlerave të krijuara, jo ‘play back’,jo këngëtarë pasqyrash, kompozitor kopjacë,poet pa poezi. Kundër antivlerave artistike asht e drejta jeme të mbaj qendrim.

Sot kemi zëra të mrekullueshëm,krijimtari, poetë, formacione orkestrale të mrekullueshëm bashkëkohorë. Të kujtojmë 11 përfaqësimet në Fest Europian, çmimet,fitues në natën finale etj,por janë shumë antivlera që po i mbysin.

Njerëzit ju duan, ju pëlqejnë dhe duan ta dëgjojnë muzikën tuaj. E keni menduar një koncert të madh, që të përmbajë të gjithë repertorin tuaj?

Në jetën time artistike kam realizuar 4 koncerte recitale . Po koncertet që mbaj në qytete tw ndryshme si e ftuar a nuk janë recitale? Nuk jam larguar nga skena, por jam shumë e kujdesshme në daljet e mia. Nuk më falet me gjithë jetën, aktivitetin të gaboj, përkundrazi, artisti e di vet se kur duhet të tërhiqet apo kur duhet të sjell krijimin e tij me vlerë artistike e mesazh mbresëlënës. Po daljet e ftuar herë pas here, a nuk janë recital? Sa e sa artikuj, 5 CD me krijimtarinë time në vite, a s’janë recital?

Më pëlqen pyetja sepse së bashku me Alda Bida, Rezartin e RTSH jemi duke projektuar një përballje me publikun tim. Sepse unë kam publikun tim. Ata që më mbështetën, mbajtën me duartrokitjet e tyre në skenë. Unë kam qenë këngëtare elite, jo turme, kjo shpjegon shumë gjera. Mua s’më merr turma përpara,turma s’më imponon shijet. Unë kam një mision, të shpërndaj me zërin tim vlerat e vërteta të artit të të kënduarit. Të përkrahë vlerat e vërteta , talentet e reja, në kohë e me shijet bashkëkohore.

Myfarete Laze – Dashnia asht thelbi i jetës 2Ju jeni shumë e lidhur me familjen dhe veçanërisht me mbesën tuaj të vogël. Si është të jesh gjyshe? Si do e përshkruanit si ndjesi?

Mbesa apo nipi,sapo lindin të shtojnë dhe një emër ‘’GJYSHE’’. Gjatë gjithë jetës kur ke kaluar etapat e feminisë, vajzërisë, e dashuruar, bashkëshorte, nanë e pastaj  vjen gjyshja. Pra mblodha gjithë dashuritë e mia gjatë jetës,pjekurinë si grua, të qenurit nenë .

Si gjyshe …je plot përvoja, e rrethuar me lulet që ke krijuar në jetën tënde dhe ia dhuron asaj që vjen…MBESËS. Dashuria e madhe, për të cilën ke më shumë kohë me i kushtu,pjekurin nder vite, do me i dhanë gjithçka, që s’ke mundur tua jepje fëmijëve të tu. Ishim të reja, jeta plot vrull, paragjykimet e kohës, dëgjo njërën ,dëgjo tjetrën,të gjithë të jepnin mendime sa të vinin dhe emrat e fëmijëve e ti…tani  mbledh gjithë të mirat që di e ja dhuron me shumë dashni kësaj princeshe për të gjithë familjarët.

Myfarete Laze – Dashnia asht thelbi i jetës 3Cili është mesazhi juaj për gratë shqiptare? Cilat janë këshillat tuaja për të gjithë të rinjtë që aspirojnë botën e muzikës dhe televizionit?

Gruaja shqiptare ndër vite ka luftuar e punuar për emancipimin e saj. E them me bindje këtë, pasi kur u ngjita për here të parë në skenën për të rritur dhe isha vetëm 16 vjeçare ,e gjeta rrugën më të hapur, me më pak fanatizëm sepse artistet si : Tinka Kurti, Margarira Xhepa, Drita Pelingu, Marije Kraja,Tefta Tashko Koqo, Anida Take,Vaçe Zela, Fitnete Rexha, Naile Hoxha, Fatmira Puka e Zhuliana Jorganxhi etj, etj ishin pioneret e para të luftës për emancipim e dolën mbi fanatizmin e kohës. Brezi im eci më përpara e kështu vazhdon rrugëtimi ynë deri në këto dite që jemi sot. Mirënjohje të gjithë brezave për lirinë e emancipimin që gëzojmë.

Mesazhi për gratë shqiptare prevalon mbi çdo grua të një vendi tjetër. Ne jemi ato krijesa që vërtetë kemi forcën dhe përballojmë çdo gjë! Kur jemi në punë, jemi të afta 100% dhe punojmë sikur nuk jemi nëna në shtëpi, pa menduar që jemi pa gjumë nga fëmija. E kur kthehemi në shtëpi përkushtohemi e kthehemi 100% nëna duke fshirë gjithë stresin e punës. Ne kemi forcë të shndërrojmë çdo situatë në të mirë të familjes , fëmijëve. Rrallë kam njohur femra kaq të forta sa gratë shqiptare anë e mbanë. Janë anije të pathyeshme nga dallgët e forta të jetës. Vazhdoni të jeni të forta e të mrekullueshme si gjithmonë.

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *