Ndahet nga jeta kompozitori i njohur, Avni Mula
Shpërndaje

Kompozitori i shquar Avni Mula është ndarë nga jeta mbremjen e djeshme në moshën 92-vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga vajza e tij, sopranoja e famshme, Inva Mula, e cila përmes rreshtave të ndjerë në rrjetet sociale njofton edhe se homazhet do të kryhen ditën e sotme në hollin e Universitetit të Arteve.
“Gjiganti jonë fluturoi në Valsin e Perjetësisë!”, shkroi Inva Mula.
Baritoni dhe kompozitori i njohur Avni Mula, është vlerësuar dhe nderuar për krijimtarinë që ka sjellë jo vetëm në skenën operistike, por dhe në atë të këngës në festivale të ndryshme.
Karrierën artistike Avni Mula e nisi menjëherë pas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike. Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës, etj.
Avni Mula zhvilloi një aktivitet të pasur koncertal brenda dhe jashtë Shqipërisë. Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”.
Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave “Valsi i lumturisë”.
Të shumta kanë qenë reagimet për ndarjen nga jeta të kompozitorit të njohur.
“Lamtumirë Avni Mula u prehsh në paqe!”, ishte dedikimi i Kryeministrit Edi Rama.
Edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha përcolli mesazh ngushëllimi, për ndarjen nga jeta të artistit të madh Avni Mula. “Arti dhe artdashësit shqiptarë humbën sot Avni Mulën artistin e madh dhe kompozitorin që ndriçoi me artin e tij kohët e errëta e na la pas një krijmtari të vyer. Mendimet e mia sot janë për Invën dhe familjen Mula, miqtë dhe kolegët e artistit të madh Avni Mula”, u shpreh Basha.
“Avni Mula ishte një artist i kalibrit të lartë, kompozitor i madh dhe këngëtar i shquar. Disa breza shqiptarësh u rritën dhe u frymëzuan nga këngët e tij. Avni Mula i këndoi Shqipërisë si rrallëkush. Këngët e tij u bënë një “kolonë zanore” e jetës së shqiptarëve. Ai krijoi një art të madh, por edhe një familje të madhe artistësh.”, tha Ruçi.