DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Art & Culture

Nevila Nika sjell ‘’Në shtëpinë e Zotit’’

Shpërndaje

Nga Fatima Gorezi

Arkiviste dhe studiuese, e cila ka ndjekur gjithmonë me pasion kërkimin e fakteve historike, Nevila Nika sapo ka botuar për të dytën herë librin e saj ‘’Në shtëpinë e Zotit’’. Libri është  fryt i një pune gati 20-vjeçare me dokumentat e klerit katolik shqiptar; një panorame e jetës shoqërore, fetare, kulturore, politike e historike të shekullit të 18 mbështetur mbi dokumentet origjinale, të cilat gjenden në Arkivin Qendror Shtetëror, ku ajo ka punuar gjatë.

Aktualisht ajo është rektore në Universitetin Europian të Tiranës. Në këtë intervistë ajo rrefen detaje të çmuara mbi librin, por edhe mbi historinë e Shqipërisë së shekujve të fundit.

Historia fetare në Shqipëri është sa e komplikuar, po aq edhe e pasur. Çfarë është ky libër për ju dhe çfarë është ky libër  në histori-grafinë e feve në Shqipëri? Çfarë kontributi sjell?

Ky libër nuk është një libër që realisht flet për historinë fetare në kuptimin e  ideologjisë fetare, të dogmës fetare. Unë nuk jam marr me këtë. Mua më ka ngjallur kërshëri dokumentacioni i tyre  sa u takon aspekteve të ndryshme, kulturore, shoqërore, ekonomike, gjendjes së përgjithshme. Dihet që komunitetet fetare, sidomos ato katolike kishin në gjirin e tyre klerikë të shkolluar. Duke konsideruar veten si barinj të grigjës, ata kanë shënuar gjithçka që ka pasur të bëj me organizimin e jetës së këtij komuniteti, e banorëve  që praktikonin këtë besim. Në fund të fundit feja është një zgjedhje, nuk është një ADN që na transmetohet nga të parët tanë. Nuk është përkatësi kombëtare. Duke punuar për klasifikimin e këtyre dokumenteve që mbanin një mori të pafundme e tejet interesante të dhënash gjykova se do të ishte jashtëzakonisht e vlefshme t’ja bëja të ditur jo vetëm studiuesve, por edhe publikut të gjerë. Vendosa të merrja në shqyrtim dokumentet e shekullit të 18, aty ku edhe nisin arkivat e klerit katolik, të cilat kanë qenë shumë më të hershme. Fatkeqësisht një pjesë e mirë e këtij thesari është shkatërruar. Është shumë e hidhur, por ka qenë dora e njeriut, ajo që ka kryer këtë krim. Edhe pse kushtet e ruajtjes nuk kanë qenë gjithnjë ato të duhurat për arsye nga më të ndryshmet, falë cilësisë së suportit (pergamenë e letër) mbi të cilat është shkruar ne sot kemi fatin të kemi ende një thesar dokumentar për tu vlerësuar. Këtë trashëgimi dokumentare që na vjen nga Shkodra e shekullit të 18, kur atje sundonte  familja shqiptare Bushati, me kontribute të mëdha në historinë tonë kombëtare, e quajta me vend ta analizoja nëpërmjet fondit arkivor të Ipeshkvisë së Shkodrës. Duke shqyrtuar dokumentet e komunitetit të krishterë, automatikisht kam dhënë diçka edhe për banorët që praktikonin besime të tjera. Një pjesë jo e vogël sidomos në familjet malësore në veri kanë qenë laramanë ose kripto-kristianë siç i thonë. Kanë qenë familje që praktikonin besimin e krishterë në shtëpi dhe kur dilnin jashtë, vetëm burri mund të thoshte që ishte mysliman për të pasur një marrëdhënie korrekte me autoritetet vendore që në ato kohë ishin ato osmane. Duke dhënë çfarë kishte ky komunitet, automatikisht jep një panoramë të asaj çfarë ndodhte. Shekulli i 18 është një shekull i rëndësishëm në historinë e Shqipërisë sepse në këtë shekull në Shkodër do të merrte jetë Pashallëku i Bushatllinjve, për të cilin në histori nuk është folur me tonet e duhura, pasi vlera e atij pashallëku ka qenë e jashtëzakonshme. Ai pati jetëgjatësi shumë të madhe, ka qenë në një territor të banuar prej shqiptarësh dhe kontributi i familjes Bushati është shumë i madh,  sidomos po të kthehemi tek feja, përmes tolerancës dhe mirëkuptimit fetar. Mehmet Pasha Bushatlliu, ai që e mori kryesinë e këtij sanxhaku ishte ai që dha leje të rifutej komuniteti katolik në qytetin e Shkodrës, pas largimit të banorëve vendas kur Shkodra ra në duart e pushtuesit osman. Është një trajtim shumë i mirë dhe kontributi i këtij komuniteti është shumë i madh për qytetin, pasi sipas dokumenteve ata janë gjithmonë krah kësaj familjeje. Fillon lulëzon edhe tregtia dhe kësisoj edhe qytetërimi, sepse qyteti i Shkodrës është një urë lidhëse mes Kosovës e Dibrës me Europën. Shkodra është vetë port, ka Obotin, Ulqinin dhe Tivarin. Jetoi gjatë deri në vitin 1831 si pashallëk. Dhe la gjurmë. Shkodra ka bibliotekën, ka arkivin e vetë kjo familje. Dalngadalë kishin filluar shkëputjen nga Stambolli, pothuaj ishin bërë autonomë. E gjithë kjo pasuri e vogël që na ka mbetur unë mendova se do të ishte një pikënisje shumë e mirë për të dhënë një imazh tjetër të vilajeteve shqiptare në shekullin e XVIII. Shekulli i 19 sjell një qasje tjetër. Fillon lëvizja kombëtare, flitet shqip, shkruhet shqip, por me gërma latine. Edhe trojet që kanë mbetur  jashtë Shqipërisë përmenden atje. Ka gjëra përtej fesë. Nuk kam analizuar dogmën, por atë që kleri katolik normalisht bazuar në dogmën fetare, bënte për të vendosur rregulla në jetën e përditshme të komunitetit. Mbi të gjitha duhet të theksoj se vështirësia për t’i lexuar ato dokumenta ka qenë shumë e madhe.

Si ka qenë raporti i shqiptarëve me fenë ndër shekuj? Ju e nisni studimin tuaj duke sjell fakte dhe një pasqyrë të shekullit të 18 

Shumë japin përkufizime  nga më të ndryshmet. Dikush thotë që shqiptarët janë kripto-kristianë, dikush thotë që janë kripto-paganë. Për hir të së vërtetës të parët tanë qenë ndër të parët popuj që përqafuan fenë e krishterë. Mjaftojmë të kujtojmë Kepin e Palit dhe Shën Pjetërit, Kepi i Rodonit.  Sot i themi Bishti i Pallës , më parë quhej Kepi i Palit, kjo sipas një dokumenti që gjendet në fondin arkivor të familjes Bushati. Durrësi për shkak të tërmeteve ishte i rrënuar, ishte porti i Shën Pjetrit, që kryente funksionin e një porti për qëllime tregtare. Sot përdoret rëndom  toponimi Gjiri i Lalzit. Besimi i krishterë është i pari besim monoteist, të cilin e përqafuan të parët tanë. Trevat shqiptare qëlluan në kufi, kur u nda Perandoria Romake, në atë të Lindjes dhe atë të Perëndimit. Ky pozicion gjeografik gjithnjë na ka dëmtuar sepse duke qenë në kufi të ndarjes së kishave, në kufi të perandorisë osmane. Ishim shumë larg qendrës, të qenit afër detit dhe afërt mbretit thonë është shumë mirë.  Ne kemi qenë afër detit, por larg mbretit dhe sigurisht ky është problem shumë i madh. Dhe ardhja e fesë islame në trojet shqiptare nuk është me pushtimin, ka ardhur më përpara. Nuk u erdhi vetëm shqiptarëve, por edhe popujve të tjerë. Kemi një lloj ndarje : katolikë dhe ortodoksë. Veriu i Shqipërisë ka besimin katolik , ritin e Romës, për shkak se është lidhja me Venedikun që kishte domenet e veta në trojet shqiptare, gjithë bregdetin dalmat deri në Tiranë. Pasi zbret më poshtë mbizotëron besimi ortodoks. Nuk ka pasur konflikte mes tyre sepse shqiptarët  më mendjehapur nga të gjithë kanë menduar siç duket se besimi është zgjedhje, nuk është trashëgimi. Unë në doktoraturën time kanë dhënë një ide, se kthimi masivisht i shqiptarëve në fenë islame ka qenë një gjetje apo një zgjidhje për t’i dhënë fund problemit të madh të asimilimit, trysnisë së madhe që vinte nga popujt sllavë për t’i asimiluar edhe nëpërmjet besimit. Në dokumente gjenden të dhëna se priftërinjtë katolikë shqetësohen për shkak se kishat e vjetra katolike frekuentohen nga banorët ortodoksë, që janë sllavë. Sipas tyre ekziston mundësia e asimilimit të banorëve shqiptarë të besimit katolik. Krahina të tëra vazhdojnë gjatë të jenë  laramane, i praktikojnë të dyja besimet, katolike e myslimane, por natyrisht për oportunitet. Në shtëpi janë të krishterë, në publik janë mysliman. Por dalëngadalë ky lloj raporti edhe u shua. Mjafton të shkojmë në një vend ku i falemi Zotit. Kjo ka qenë liria fetare tek shqiptarët. Është e çuditshme sa i takon kohës, por ka ekzistuar. Unë kam mendimin se përveç taksave, dhunës për tu konvertuar, është edhe ky element. Kam sjellë në gjuhën shqipe edhe një pjesë të mirë të dokumenteve, jo vetëm për të treguar vështirësitë e hasura në leximin tyre, por edhe për t’ja mundësuar të interesuarve kënaqësinë e leximit të dokumentit origjinal.

Ky është ribotimi i dytë i librit. Çfarë vjen në ndryshim nga i pari?

Po është i dyti, por nuk vjen me ndonjë ndryshim, veç korrigjime ortografike kam bërë, se edhe këtij libri po ta kontrollojmë sërish mbase edhe i gjejmë. (Qesh).  Ka ndryshuar vetëm titulli. Botim i parë ka qenë në titull ashtu siç kisha edhe tezën : ‘’Dioqeza e Shkodrës në shekullin e XVIII sipas dokumentave të veta.’’ Domethënë është përdorur vetëm dokumentacioni i klerit. Kam cituar edhe historianë: si Stavri Naçi, Zija Shkodra etj, që kanë bërë punime që mua më janë dashur për të shpjeguar ndodhi e fenomene të kohës.

Ju jeni pjesë e elitës historike të Shqipërisë dhe një akademike me shumë kontribute.  Në këtë kohë në nxitim dhe me sytë nga e ardhmja, historia duket e harruar apo hera herës e  keqinterpretuar, e keqmësuar. A jeni ju sot një intelektuale e shqetësuar? 

Natyrisht që jam e shqetësuar, në mënyrën time. Gjithsecili ka mënyrën e vet.  Historia duhet mësuar. Historia nis të mësohet në shtëpi. Fëmija mëson duke dëgjuar nga prindërit një histori, që ka ndodhur me gjyshin, me gjyshen, që ka ndodhur në fshat, në qytet, në lagje. Rrëfimi në shtëpi është i domosdoshëm. Përpara ishin të moçmit e familjes që rrëfenin, ata ishin libra historie të gjallë, gjithçka transmetohej tek brezi, herë me këngë dhe herë me rrëfim. Ishte një gjë shumë e bukur, sepse fëmija ushqehej me njëfarë të kaluare, një farë ideali, patriotizmi, pak ndryshe nga ajo që është sot.  Sot është një botë më globale, por çuditërisht vende të mëdha po rikthehen tek besimet e vjetra për tu identifikuar si kombe. Flas për kombe të mëdha si: kinezët, indianët. Globalizmi ka të mirat e veta, por edhe të këqijat e veta sepse ti humbet, humbet si komb. Kështu që mësimi i historisë është i domosdoshëm. Unë i takoj dy familjeve që janë pjesë e historisë së Shqipërisë, janë në tekste, shumë apo pak përmenden në tekste të dyja familjet e prindërve të mi. Për mua, kjo është barrë , më vjen mirë që jam, por nga ana tjetër ke gjithë kohës përgjegjësinë e të qënurit pasardhëse e personaliteteve që shënjuan kohën e tyre. 

Kujtesa jonë është shumë e dëmtuar, sepse edhe librat e historisë më përpara nuk kanë thënë të vërtetat dhe kur nuk thua të vërtetat ato pastaj bëhen mal, bëhet një mal me të pavërteta. Nuk po them gënjeshtra, por të pavërteta.  Janë të ndryshme. Duke mos thënë të vërtetën kupton se ti ke një devijim në atë çfarë t’i mendon apo e percepton çfarë ka ndodhur, kështu që është punë shumë e madhe. Faktikisht e shohim se nuk ka interes, se sot interesi është të mësojnë një kompjuter, një program sepse është më fitimprurës. Por gjykoj se shteti, Ministria e Arsimit, e Kulturës, Akademitë  duhet të punojnë fort. Nuk mund ta lësh këtë në dorë të disa organizatave e fondacioneve, që bëjnë shumë punë, por nuk mund tu ngarkosh atyre gjithçka. Nëse shikojmë fqinjët tanë e kanë shumë mirë të ideuar përpunimin e historisë së tyre në dobi të çështjes kombëtare. Mjafton t’ju kujtoj se Banka Kombëtare e Greqisë ka një institut kulture të madh, që e financon dhe e mban. Është një lloj investimi që duhet bërë se përndryshe ke rrezik të humbasësh shumë. Duke nisur që nga emrat e fëmijëve, emrat e lokaleve. Megjithatë këtë luftë për ta pastruar gjuhën shqipe nga fjalët e huaja, duhet ta bëjmë pa u ndalur pasi ato janë të pranishme kudo, në media, në shkolla, në institucione në rrugë . Nuk thashë ‘’prezente’’ , por thashë ‘’të pranishme’’. Pse duhet të them ‘’prezente’’ , kur mund të them ‘’e pranishme’’. Kemi një histori sa të bukur, aq edhe tragjike. Nuk kemi pse vetëm të krenohemi me ata që kanë bërë emër jashtë. Edhe ata që kanë ndenjur këtu dhe kanë bërë emër këtu, me shumë më tepër vështirësi,  duhet t’i kujtojmë e ti nderojmë. Nëse Tiranën e kemi në 100-vjetorin e të bërit kryeqytet të përkohshëm, nuk mund të ngremë në Tiranë monumente pa asnjë lidhje me këtë ngjarje apo edhe me vetë qytetin. Është qeveria që vjen nga Lushnja, e parlamenti i parë që mblidhet këtu. Që këtu fillon e ne kemi një devijim të asaj që ka qenë e kaluara dhe lindin më pas debate që janë të panevojshme. Tirana është e mbushur me emrat e gjeneralëve të Luftës Antifashiste, të cilët gjatë luftës nuk ishin gjeneralë, por edhe pas luftës kanë bërë veprime jo shumë të këndshme. Se i kanë bërë vetë , se i urdhëruan, kjo nuk më duhet. Tirana nuk mund të jetë e mbushur veç me emra gjeneralësh. Ne pas vitit 44 nuk bëmë më luftë. Por fëmija kur e lexon thotë : ‘’Çfarë është ky babi?’’. Dhe as prindi vetë nuk e di, nuk e njeh.

Sa më e zbrazët është kujtesa aq më problematik është  kombi. Unë kam punuar në arkivë dhe kam ndjerë shumë dhimbje ku bashkëqytetarët nuk dinin emrin e ndonjë gjyshi që kishte vdekur shumë vite më përpara, mbiemrin  e përpiktë. Nuk u është rrëfyer historia e familjes. Gjithë ky përshtjellim në kokën e një fëmije shkon vetëm në një drejtim dhe i harron të gjitha të tjerat. 

 

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *