DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Business & Career Star Inspiration

Një nga shqiptarët më të suksesshëm të Diasporës, Prof. Dr. Fadil Çitaku rrëfen rrugëtimin e tij drejt suksesit

Shpërndaje

Nga Fatima Gorezi

Një nga shqiptarët më të suksesshëm të Diasporës sonë, në këtë intervistë Prof. Dr. Fadil Çitaku, tregon për ‘’Star People’’ rrugëtimin e tij nga Kosova drejt Zvicrës, si arriti të gjente suksesin në emigrim dhe të bëhet pjesë e elitës prestigjioze zvicerane. Prej 22 vitesh Çitaku jep mësim në universitetet zvicerane, por është edhe një ambasador i emrit shqiptar kudo në botë ku merr pjesë në konferenca. Lidershpi dhe inteligjenca emocionale janë dy disiplinat shkencore që ai i mëshon më shumë; disiplina për të cilat do të organizohej një trajnim në gjuhën angleze më datën 25 maj.

‘’Suksesi nuk është rastësi askund dhe as këtu në Zvicër, duhet të punosh dhe ta sfidosh vetën tënde çdo ditë të jesh konkurrent më elitën zviceranë, ndaj jam krenar që e kam arritur këtë shkallë në karrierën time profesionale. ‘’ – thotë Çitaku ndërsa ndan me ne disa nga detajet që kanë shënjuar më së tepërmi jetën dhe karrierën e tij.

Na tregoni pak për jetën e hershme dhe karrierën? Si arritët të gjenit suksesin në Zvicër?

Unë jam i lindur në Drenicën e Shqiptarisë. Në Drenicë mora edukimin për dashuri ndaj Shqipërisë tonë me të gjitha trojet e saja. Si fëmijë, 14 vjeç në vitin 1981 shkrova në një hartim se vendi im është Shqipëria, për ketë u ndëshkova nga drejtori i shkollës fillore dhe sigurimi shtetëror Serbosllav UDB si nacinalist dhe seperatist dhe si shkatërrues i Jugosllavisë dhe ma thyen notën e sjelljes në 1. Edhe pse i kisha të gjitha notat tjera të shkëlqyeshme, nota e sjelljes 1 nënkuptonte që mua nuk më lejohej shkollimi i mëtejshëm. Më intervenimin e babait tim të dashur Tafil Tahir Çitaku dhe më ndihmën e një profesori atdhedashës, Prof. Avdyl Miftari, ia dola të regjistrohem në gjimnazin e Runikut të Drenicës, të cilin e përfundova më sukses të shkëlqyeshëm për të vazhduar më tej në shkollën e Mjekësisë në Mitrovicë, të cilën po ashtu e përfundova me sukses shembullor.  Pra, shkollimin e fillores, atë të mesëm dhe një pjesë të atij universitar e kam kryer në Dardani. Pjesën tjetër të shkollimit tim dhe ngritjes time profesionale e kam bërë në Zvicër, Angli, USA, Kanada dhe Itali. Kam specializuar Anestezinë në Spitalin Universitar të Zvicrës, kam iniciuar, themeluar dhe udhëhequr qendrën për trajnim në Anastezi dhe Emergjencë. Kam përfunduar studimet për Pedagogji të Shëndetësisë në WW’G Aarau, Zvicër. Më pas kam studiuar Master of Medical Education në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Bernit në Zvicër dhe në Universitetin e Illinois Chicago, USA dhe University of California in Los Angeles. Më pas kam studiuar PhD (Doctor of Philosophy) në International Graduate in Medical Education, Calgary, Canada në bashkëpunim me University of Ambrosiana në Milano të Italisë, ku për temë diplome kam investiguar Kompetencat e Lidershipit në Mjekësi dhe Shëndetësi, liderët kyç nga Zvicra, Austria, Gjermania, USA, Kanada dhe UK. Ky investigim shkencor, me metodat shkencore më sofistikuara solli për herë të parë në historinë e Mjekësisë dhe Shëndetësisë një model të kompetencave të lidershipit për vendet Gjermano-dhe Anglofolëse, pra Modelin e Kompetencave të Lidershipit Çitaku, një pjesë e të cilit u publikua në revisten prestigjosze British Medical Journal . Prej një kohë të gjatë jam supervisor në Universitetin prestigjioz shtetëror Zviceran ETH dhe kam themeluar programin Doktorate në IGME Calgary dhe jap mësim edhe në programin PhD në IGME Calgary.

Një nga shqiptarët më të suksesshëm të Diasporës, Prof. Dr. Fadil Çitaku rrëfen rrugëtimin e tij drejt suksesit 1Suksesin në Zvicër nuk e gjeta, por më shumë mund dhe sakrificë e fitova edhe pse kisha sfida të mëdha kurrë nuk u dorëzova, por punoja dhe studioja me një motivim të hekurt që t’i arrija objektivat e mia. Në Zvicër kishte shumë paragjykime për ne shqiptarët dhe ende ka, por qëllimi im ishte të dëshmojë të kundërtën dhe pas gjashtë vitesh të qëndrimit dhe shkollimit tim permanet në Zvicër fillova të jap mësim në sistemin terciar të shkollimit të lartë zviceran. Vitet ikin shpejtë dhe unë tani që 22 vite jap mësim në shkollimin e lartë zviceran. Suksesi nuk është rastësi askund dhe as këtu në Zvicër, duhet të punosh dhe ta sfidosh vetën tënde çdo ditë të jesh konkurrent më elitën zviceranë, ndaj jam krenar që e kam arritur këtë shkallë në karrierën time profesionale.

Z.Çitaku ju jeni themelues i ‘’ Academy of Leadership Sciences Switzerland’’? Çfarë është ky institucion edukativ dhe kur është krijuar? Cili është misioni dhe vizioni?

Academy of Leadership Sciences Switzerland-ALSS (Akademia e Shkencave të Lidershipit në Zvicër) ishte ide dhe iniciativë e imja, që t’i kontribuojmë botës për të bërë lidere dhe lidër kompetent. Pasi isha njëri ndër shkencëtaret më të respektuar botëror të shkencës së lidershipit unë ndërmora këtë iniciativë dhe shpejtë mu bashkuan disa ish-profesorë të mi dhe shkencëtarë të tjerë nga vendet e ndryshme të botës. Ne së bashku ne të gjithë kemi një mision në ALSS që lidershipit t’i japim një themel të bazuar në shkencë, i cili kësaj fushe i mungonte deri në vitin 2014 kur themeluam akademinë tonë. ALSS u themelua si domosdoshmëri e kohës, sepse rreth lidershipit ishin të shkruara me mijëra libra por fatkeqësisht gati të gjitha nuk ishin të bazuara në të dhënat rigoroze shkencore.  Vizioni i ALSS është të bëjë zbulime shkencore në fushën e lidershipit, ku me sukses jemi duke bërë punë të madhe në këtë drejtim, ku kemi publikuar shumë punime shkencore dhe modele të lidershipit, ja edhe njëri nga modelet tona: “Leadership Competency Model-Drenica: Generalizability of Leadership” (Modeli i Kompetencave të Lidershipit Drenica) të cilin e kemi publikuar në vjeshtën e kaluar në Kanada.

Shërbimet në Akademinë e Shkencave të Lidershipit në Zvicër janë të ndara në tri kategori: 1) ne ofrojmë kurse dhe programe, duke filluar nga kurset e shkurtra 4 javësh, (disa nga to i ofrojmë edhe në gjuhën shqipe siç janë: ALSS-Neurolidershipi, ALSS-Inteligjenca Emocionale, ALSS-Mendimi Strategjik etj.) kurse në mësimin të avancuar, master të mësimit të avancuar, master shkencash dhe PhD (pragram doktorate) në bashkëpunim me ca universitete të vendeve të ndryshme. Shtylla e  dytë e shërbimeve tona përqendrohet në investigimet dhe zbulimet shkencore në fushën e lidershipit, kurse shtylla e tretë ka të bëjë më shërbimet konsultave, këshillave dhe trajnimeve (coaching) për individ dhe organizata të ndryshme. Të gjitha shërbimet e lartpërmendura i mbulojnë fashat e Lidershipit në Biznes, Lidershipit në Shëndetësi, Lidershipit në Shkollimin e Lartë, Lidershipin në Politkë, Lidershipin në Infromatikë, Lidershipin në Art dhe Lidershipin në Sport.

Derisa në kohën aktuale rreziku më i madh që i kanoset qenies njerëzore në tërë botën vjen posaçërisht nga liderët jo kompetent, Akademia e Shkencave të Lidershipit në Zvicër ka shumë punë për të bërë, pra ti trajnojmë dhe ti ndihmojmë të gjitha ato lidere dhe ata lidër të bëhen më kompetent, të cilat/cilët do jenë faktorët kyç për të ndërtuar një botë më të mirë, më të sigurtë dhe më me prosperitet për çdo qenie njerzore.

Ju gjithashtu jeni edhe iniciator i një nisme ose forumiShkencëtarët e Diasporës Shqiptare’ . Çfarë është kjo nisme? Ju jeni një shqiptar i ndërkombëtarizuar tashmë me shumë kontakte dhe njohje. Si është elita shqiptare sot nëpër botë?

Edhe kjo iniciativë e imja erdhi si një domosdoshmëri e kohës. Disapora Shqiptare, shikuar edhe historikisht i ka ndihmuar vendet amë në çdo periudhë. Unë jam i bindur se Shkencëtarët e Diasporës Shqiptare janë faktori numër një që mund të kontribuojnë në mëkëmbjen e vendeve amë. Ne kemi shkencëtare dhe shkencëtarë të diasporës tonë që kanë arritur majat e suksesit në arenën ndërkombëtare dhe janë të involvuar në institutet më prestigjioze të botës, por fatkeqësisht vendet amë deri më tani me dashje apo padashje i kanë injorauar këto koka, që unë i quaj ‘diamant i kombit.’

Qëllimet kyçe të konferencës të parë të Shkencëtarëve të Diasporës Shqiptare (e para në historinë e shqiptarëve), që u mbajtë më 26 dhe 27 Mars 2021 në Akademinë e Shkencave të Lidershipit në Zvicër ishin :

1)ne ‘ti njohim profilet shkencore të njëri-tjetrit;

2) të bashkëpunojmë mes vetit që t’i shtojmë vlerat punëve tona shkencore;

3) të përpilojmë një strategji se si mund t’i ndihmojmë vendet amë të mëkëmben në tërë sferat siç janë: demokracia, ekonomia, arsimi, shkenca, shëndetësia etj.;

4) të diskutojmë se si Shkencëtarët e Diasporës Shqiptare mund ta ndihmojë kombin shqiptar ta përpilojë një strategji kombëtare.

Kjo konferencë kishte një rezonancë shumë të madhe nga shkencëtarët e Diasporës Shqiptare, ku kishim 40 prezantuese dhe prezantues nga shumë vende të Evropës Perëndimore por edhe nga USA dhe Kanada, dhe po ashtu kishim me qindra shkencëtare dhe shkencëtarë që ndoqën punimet e kësaj konference.

Ne Shkencëtarët e Diasporës Shqiptare u dakorduam që të bëjmë konferenca dhe tubime të ngjashme edhe në të ardhmen qe të takohemi edhe më shumë sepse ne si individ kemi arritur majat e suksesit në konkurrencën më të lartë shkencore botërore, por na duhet një unifikim, sepse ne së bashku mundemi edhe më shumë. Si rezultat i kësaj konference shumë nga Shkencëtarët e Diasporës Shqiptare tani kanë filluar bashkëpunimin me njëri-tjetrin dhe Akademia e Shkencave të Lidershipit në Zvicër i ka hapur dyert për ta, qe përmes mjeteve virtuale nga vendi ku ato/ata jetojnë do ofrojnë kurse edhe në gjuhën shqipe, që dituritë dhe përvojat e tyre të marra në vendet më të zhvilluara të botës të bartën edhe në vendet amë.

Një nga shqiptarët më të suksesshëm të Diasporës, Prof. Dr. Fadil Çitaku rrëfen rrugëtimin e tij drejt suksesit 2Një nga disiplinat shkencore të cilës ju i mëshoni më shumë është edhe lidershipi dhe inteligjenca emocionale. Pse janë këto të rëndësishme në ditët e sotme? A janë përcaktuese për sukses?

Lidershipi dhe Inteligjenca Emocionale janë predikator qe e garantojnë suksesi në çdo lëm mbi 80%, ndaj ne duhet që patjetër të investojmë sa më shumë në ngritjen e kompetencave tona në këto dy lëme që ndërlidhën shumë më njëra tjetrën. Unë në artikullin tim “Shpresa e avancimit të kombit shqiptar është investimi në lidership dhe inteligjencën emocionale” që kam shkruar në gjuhën shqipe para ca kohësh e kam shpjeguar qartë se përse kombi shqiptar duhet të investojë në mësimin e lidershipit dhe inteligjencës emocionale.

Më 25 maj ju do të organizoni një simpozium shkencor me një grup specialistësh nga Amerika, Gjermania etj. Çfarë është ky sypozium dhe pse lexuesit e revistës ‘’Star People’’ duhet të bëhen pjesë e tij?

Po, edhe këtë simpozium e kam iniciuar si domosdoshmëri të kohës aktuale të shkaktuar nga Covid-19  dhe është mirëpritur nga koleget e mia të Institutit Malish nga Frankfurti i Gjermanisë si dhe nga Instituti Strategy Develpment Worldwide nga Toas dhe Las Vegas në USA, qe ne së bashku të ofrojmë një simpozium që inkorporon të dhënat më të reja nga Neuroshkenca, Psikologjia dhe Biznesi që mund të ndihmojmë individë dhe organizata që të dalin sa më lehtë nga kriza ekonomike qe ka kapluar botën shkaktuar nga kjo pandemi. Më 25 Maj 2021, Academy of Leadership Sciences Switzerland, Malish Frankfurt dhe Strategy Develpment Worldwide,USA, që së bashku inkorporojnë The International Leadership Initiative, do mbajnë simpoziumin Emotional Intelligence me temën: The skills for effective post-pandemic leadership. Në ketë simpozium mund të merr pjesë çdokush që dëshiron ti rris kompetencat e veta në lidership dhe inteligjencën emocionale. Parakusht është që pjesëmarrësit ta kuptojnë gjuhën angleze dhe të kenë qasje në internet. Simpoziumi do mbahet përmes aplikacionit virtual Zoom. Këtu gjeni të gjitha informacionet për tu regjistruar në këtë simpozium.

 

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *