DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Business & Career Star Inspiration

Një rrëfim për Jetën, Shkencën dhe Shoqërinë Shqiptare

Shpërndaje

Nga FATIMA GOREZI

Zyhdi Dervishi është Profesor në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Tiranës prej shumë vitesh. Ka dhënë ndihmesë të shumanshme në studimet shkencore, në jetën akademike të Universiteteve Shqiptare. Në më shumë se 60 Konferenca Shkencore Kombëtare dhe Ndërkombëtare ka referuar për probleme të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë dhe veçanërisht të Kulturës Shqiptare. Ka botuar më Shumë se 70 artikuj studimore në revista shkencore të profiluara në fusha të sociologjisë dhe përgjithësisht të shkencave sociale e historike, të cilat botohen në hapësirën shqiptare dhe në vende të tjerë si: Italia, Turqia, Rumania, Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj.

Në vitet 1995-2006 në rolin e Kryeredaktorit ka themeluar dhe drejtuar revistën e përtremuajshme sociologjike, juridike e kulturologjike “Pajtimi”, e cila është njohur si periodik shkencor nga ministria e arsimit dhe e shkencës së Republikës të Shqipërisë. Në vitet 2011-2013 ka themeluar dhe ka kryer detyrën e Kryeredaktorit të revistës sociologjike të përgjashtëmuajshme “Lente Sociologjike”, botim i Departamentit të Sociologjisë të Universitetit të Tiranës. Tekstet dhe monografitë e tij janë studiuar dhe studiohen nga nxënës të shkollave të mesme nga studentë të disa degëve si pjesë e programeve të disa lëndëve sociologjike që zhvillohen në disa Universitete të hapësirës shqiptare. Në vitin 2014 shtëpia botuese “Lambert” ka botuar në Berlin të Gjermanisë, në gjuhën Angleze, librin e tij me titull “Vullnetarizmi – Ind Shumëfunksional i Shoqërisë”. Ndërkohë është në proces botimi Turqisht në Stamboll, libri i tij me titull “Nëpër Degëzime të Kulturës Shqiptare”. Zyhdi Dervishi ka shkruar edhe shumë poezi në rrjedhën e viteve, të cilat janë botuar në shtypin e kohës. Një pjesë e tyre janë përmbledhur në 4 vëllime. Shpirti dhe talenti i Poetit e ka ndihmuar Zyhdi Dervishin që edhe librat e tekstet Sociologjike t’i shkruajë me gjuhë të pasur, elegante e të figurshme, por pa cenuar saktësinë shkencore.

Një rrëfim për Jetën, Shkencën  dhe Shoqërinë Shqiptare 1

Profesor, ju jeni një emër i madh në fushën e Studimeve Sociologjike në vendin tonë me më shumë se 35 vjet karrierë akademike, shume publikime e punime shkencore dhe i përkisni dy kohëve, pasi e keni nisur punën në Universitetin e Tiranës kur Shqipëria ishte nën regjimin socialist totalitar. Kur ktheheni pas në kohë, si i kujtoni fillimet tuaja?

Prej  shumë vitesh unë merrem me studime Sociologjike. Kur kthehem pas në kohë, unë mendoj Se karriera ime në një farë mënyre është bazuar në Rastësi ose në shumatore rastësish, në kuptimin që unë  nuk e kam kërkuar këtë karrierë. Kanë ndodhur shumë rastësi në jetën time që më kanë cuar në këtë rrugëtim profesional, sa të vështirë aq edhe të bukur.  Është një fushë e lodhshme, Stresante, por  rastësitë që më kanë çuar në këtë rrugë kanë qenë aq të befasishme, herë-herë edhe sfiduese, por unë nuk jam dorëzuar. Unë kam mbaruar shkollën 8-vjeçare, në një kohë kur ishin të parapëlqyera shkollat profesionale, jo gjimnazet dhe mua më çuan të konkurroj për fizkulturë. Por në atë kohë, sipas planeve që formoheshin dhe shformoheshin, numri i atyre që do vazhdonin në këtë degë zbriti nga 21 në 5 dhe Këto të drejta studimi u dhanë për ata që ishin nga Tirana. Unë vija nga rrethi i Krujës. Natyrisht, kjo më zhgënjeu shumë, pasi sporti për atë moshë eshtë gjë shumë e bukur, është diçka e prekshme.

Pastaj më dërguan në gjimnaz, në Krujë. Aty shkova  me vonesë  15 ditë  për  arsye të këtyre ngatërresave që pata me shkollën e parë. Në atë  kohë, shkolla fillonte më 1 Shtator, edhe po të ishte ditë e Shtunë. Unë kam  shkuar në gjimnaz  më 15 Shtator, dy javë me vonesë dhe në orën e parë kishim matematikë, gjeometri. Unë isha i panjohur në atë shkollë, aty ishte një mjedis krejt i huaj për mua. Ndërkohë që ata ishin shokë e bënin me njëri-tjetrin biseda si të rinjtë gjimnazistë, unë lexova teoremat që kishin zhvilluar ata për dy javë dhe në orën e pare, unë zgjidha një ushtrim shumë të vështirë  për  një  kohë  record  dhe u  vlerësova me  notën 10. Në shkollë u përhap lajmi që ka ardhur një talent në matematikë. Natyrisht, në atë gjendje shpirtërore të rënduar që isha unë, kjo më ndihmoi të kapërceja situatën stresante që përjetoja prej faktit që mu mohua një shkollë që e doja dhe e meritoja.

Gjimnazi  “Skënderbeu”  i Krujës ka qenë një nga shkollat e mesme më të mira të Republikës së Shqipërisë. Në të kanë dhënë mësim edhe shkrimtarë të shquar si Gjergj Zhej etj., dhe pedagogë të Universitetit të Tiranës dhe të Institutit të Lartë Bujqësor të Ttiranës, që vinin në rrethin e Krujës për qarkullim. Pothuajse të gjithë mësuesit, me përvojë ose të rinj, ishin të aftë, të përkushtuar dhe shumë  korrektë. U shpreh mirënjohje pa fund për dijet që na transmetuan dhe edukatën e fortë të punës që na injektuan. Përfundova gjimnazin në Krujë me të gjitha 10-ta.

Natyrisht si gjimnazist kam fituar disa çmime, madje edhe në olimpiadën kombëtare të  matematikës. M’u dha e drejta të studioja në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike të Universitetit të Tiranës. Në ato vite të studioje në Universitetin e Tiranës, si shkolla e lartë më  prestigjioze në vend ishte ëndërr e shumicës dërrmuese të maturantëve, por që pak prej tyre kishin privilegjin ta arrinin atë.

Ndonëse në ato vite Fakulteti i Shkencave Politike e Juridike ishte mjaft  i parapëlqyer dhe i vlerësuar në opinionin e shoqërisë shqiptare, gjatë semestrit të parë të vitit të pare  jam përpjekur  për  t’u  larguar nga ky fakultet, me qëllim që të vazhdoja studimet  në fushën e mjekësisë. E pata të pamundur të ndryshoja degën. shpesh u them studentëve se pas vitit 1990 kanë praktikisht  një të drejtë jo pak të rëndësishme, atë të zgjedhjes së profilit të studimeve, brenda vendit ose në vende të tjera. Nuk shkova dot në Fakultetin e Mjekësisë dhe iu shtrova punës në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike.

Një rrëfim për Jetën, Shkencën  dhe Shoqërinë Shqiptare 2Rezultatet  maksimale në gjimnaz kanë ndikuar që të më caktonin anëtar të Këshillit Shkencor të Fakultetit të Shkencave Ppolitike e Juridike që në vitin e parë të studimeve deri në vitin e katërt. Në këtë këshillë kishte Profesorë shumë të ditur, shumë fisnikë dhe dinjitozë si: Bujar  Hoxha e Alfred Uçi, Kristaq Angjeli e Arben  Puto, Nazmi Peza e Grigor Gjika etj. Diskutimet shkencore, profesionale dhe dinjitoze në këtë këshillë kanë qenë një shkollë e madhe për mua, më kanë mësuar shumëçka që ka të bëjë me shkencën, me etikën e kërkimit shkencor. U  jam  mirënjohës  për gjithë jetën atyre burrave të shquar e fisnikë, sikurse gjithë pedagogëve të aftë e të përkushtuar që më kanë dhënë leksione. Në përfundim të studimeve fitova titullin profesional “Punonjës i  Shkencave Politike”. Duke qenë se i përfundova studimet me të gjithë arritjet maksimale Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e Republikës së Shqipërisë  më dekoroi me “Medaljen e Artë”. Ishte e para medalje e tillë që merrej në atë fakultet pas afro 30 vite funksionimi. Për  mua “Medalja e Artë” ka qenë arritje dhe sfidë  e rëndë. Më hapi rrugën e karrierës shkencore, por prapa krahëve të mi funksiononte si “mekanizëm” që nxiste ligësitë e goditjeve politike. Më emëruan Punonjës Shkencor dhe  Pedagog  në Universitetin e Tiranës. Në atë kohë Punonjësit Shkencorë ishin më të paktë,  shumica ishin Pedagogë. Punonjësit Shkencorë kishin më shumë ngarkesë shkencore sesa mësimore. Përgjithësisht  ishin më të kualifikuarit, në njëfarë mënyre ishin një Elitë e Elitës. Ne kishim detyrë për të avancuar më shpejt  në  kërkimet  shkencore.  Vitin e parë të punës zhvilloja seminare në lëndën “Histori Filozofie” me studentë të vitit të katërt, që ishin një vit më të vegjël se unë në moshë.  Ishte njëfarë sfide edhe kjo. Veçse një sfidë e bukur. Unë i trajtoja studentët si kolegë. U thosha se unë do të jem konsulenti juaj, me qëllim që ju të dilni sa më mirë në provim jo me mua, por me profesorin Kristaq Angjeli, që ishte titullar i lëndës. Studentët e atij brezi më respektonin si Pedagog. Kjo më motivonte të punoja më shumë. Më pas mbrojta edhe doktoratën me një studim mbi inteligjencën shqiptare në vitet 1930-1960’’. Pak kohë më vonë u botua si libër, si punim monografik. Në ato vite botoheshin shumë pak libra të tillë. Në fillim të viteve 1990 në shoqërinë shqiptare fillojnë proceset demokratike, shoqëria u hap ndaj ndikimeve të perëndimit. Shkencat politike që deri në atë kohë ishin kryesisht të bazuara në paradigmën e konflikteve sociale, paradigm marksiste-leniniste, filluan të hapen dhe të marrin një pamje më të gjerë. Në shoqërinë shqiptare filluan të përhapen dije sociologjike e të realizoheshin studime sociologjike. Unë jam në brezin e parë të Pedagogëve që kanë zhvilluar lëndë sociologjike në Universitetin e Tiranës. Njëherazi jam angazhuar në studime sociologjike në disa fusha.

Si kanë qenë këto studime? Si ka qenë shoqëria shqiptare

në vitet e para pas shpërbërjes së sistemit socialist totalitar dhe si është sot?

Ato kanë qenë vite shumë interesante në shumëçka, vite ëndrrash të mëdha dhe zhgënjimesh të rënda. Ato vite shumica e Shqiptarëve ishin shumë optimistë. Në vitet 1992-1994 kam qenë konsulent i anketimit të emërtuar “eurobarometër”, që zhvillohej nga instituti gallup, i mirënjohur ndërkombëtarisht për sondimin e opsioneve të njerëzve. Megjithëse shqiptarët kanë qenë më të varferit ndër popujt e vendeve ish socialiste të lindjes, ata kanë qenë më optimistët deri në vitet 1996-1997, kur shoqëria shqiptare u trondit nga kriza e firmave piramidale. Kriza e firmave piramidale është një krizë e rëndë e shoqërisë shqiptare, me pasoja sociale dhe psikologjike. Traumat që shkaktoi kjo krizë shoqëria shqiptare nuk i ka kapërcyer as sot. Nga pikëpamja e zhvillimit të mendimit shkencor ka pasur shumë liri, ka pasur hapësira të gjera, por edhe është abuzuar me lirinë. Jo pak Pedagogë,Punonjës Shkencorë filluan të përkthenin libra e artikuj nga autorë të vendeve të tjerë dhe kanë venë emrin e tyre, plagjiatura gati-gati u perhaps masivisht. Në aspektin e zhvillimit të mendimit sociologjik, në hapësirën shqiptare proceset e pas vitit 1990 kanë qenë mjaft pozitive. Fillimisht u themelua profili i sociologjisë (përbërëse e degës filozofi-sociologji) dhe më pas u zhvillua dega e sociologjisë në universitetin e tiranës. Unë jam që në fillimet e kësaj veprimtarie. Sot kemi një degë sociologjie e departament të konsoliduar, që është i vetëm në Republikën e Shqipërisë. Që nga viti 1991 unë kam shkruar 4 tekste Sociologjie për shkollat e mesme, që kanë zëvendësuar njëri-tjetrin, që kanë ndihmuar për të përhapur njohuri sociologjike tek të rinjtë adoleshente në Shqipëri. Të rinjtë shqiptarë kanë një prirje të natyrshme për të reflektuar në thellësinë e nevojshme rreth dukurive shoqërore, sado komplekse qofshin ato. Në rrjedhën e viteve unë kam shkruar 19 libra sociologjikë dhe 4 me poezi. Qëndrimi i opinionit shkencor botëror në lidhje me stilin e të shkruarit të sociologjisë është modifikuar me rrjedhën e kohës. Para 40- 50 vitesh po të përdorje figura letrare në tekstet sociologjike, kjo konsiderohej si mungesë serioziteti, sepse mendohej se kështu i ulej niveli shkencor teksteve sociologjike. Këto 3 dhjetëvjeçaret e fundit opinioni ka ndryshuar, pasi u pa se të shkruarit e librave me logjikë shkencore, pa figuracionin e nevojshëm i largonte lexuesit nga tekstet sociologjike.

Pra, ju po thoni se duhet të kishim libra Shkencorë, por që duhet të përcillnin edhe Emocione?

Libra shkencorë, por të shkruar me gjuhë të figurshme. Unë natyrisht, duke qenë se kisha shkruar poezi që në vitet e gjimnazit, isha ndër të parët që e përqafova këtë prirje. Unë jam përpjekur që aftësitë e mia si poet t’i shkrij me gjuhën shkencore të studimeve sociologjike. Shpesh herë studentët që studiojnë librat e mi vlerësojnë shumë jo vetëm saktësinë shkencore, por edhe elementet e gjuhës së figurshme. Gjuha artistike në masën e duhur, që nuk prek saktësinë e logjikës shkencore, i bën librat sociologjike jo vetëm më tërheqës, por edhe më të kuptueshëm. Punimet e mia monografike kanë dy tituj: një shkencor dhe një të figurshëm.për shembull libri që rilevon modelet kryesore të kulturës shqiptare nëpërmjet krahasimit me modelet analoge të kulturës italiane sipas përthyerjes së tyre në vetëdijen e emigrantëve shqiptar që punojnë e jetojnë në itali ka titullin e figurshëm “Vështrime të Kryqëzuara në Det”. Ky titull shpreh thelbin e reagimit të emigrantëve shqiptar: kur janë në Itali i kthejnë sytë drejt Shqipërisë, ngaqë përgjithësisht nuk ndjehen të realizuar në vendin pritës. Kur kthehen në Shqipëri përsëri nuk e gjejnë veten. Kësisoj emigrantët shqiptarë në Itali i kanë gjithnjë vështrimet të kryqëzuara në det. I kanë pasur kur është shkruar libri,i kanë përgjithësisht edhe sot. Ose një libër tjetër: “Adoleshentët, Bashkëjetesa me Demonët e Konflikteve”. Duket si titull romani, por në fakt është një punim shkencor. E rëndësishme nuk është t’u kundërvihesh konflikteve, por t’i menaxhosh ato, sepse demonët e konflikteve kanë fuqi jo vetëm shkatërruese, por edhe ndërtuese.

Si mund t’i menaxhojmë ne “Demonët e Konflikteve”?

Ne folëm pak më parë që pas vitin 1997 shoqëria shqiptare e ka humbur optimizmin? A mund të rikthehet ky optimizëm dhe si?

Me keqardhje mund të pohoj që edhe konfliktet shoqëria shqiptare i ka të tjetërsuara, ato nuk shfaqen me pamjen e tyre reale dhe kjo e vështirëson zgjidhjen e tyre. Shoqëria shqiptare është shumë vitale, me njerëz me potenciale, me ëndrra. Është një shoqëri që, po të shprehemi me gjuhë të figurshme ka më shumë gjeneralë sesa ushtarë të thjeshtë. Dhe një popull që ka më shumë gjenerale se ushtarë të thjeshtë e ka më të lehtë të zgjidhë problemet e mëdha dhe jo të vogla. Kjo shfaq edhe një prirje shumë interesante të Kultures Shqiptare. Shqiptarët janë të rëndomtë në situate të zakonshme dhe të mbizakonshëm në situate të jashtëzakonshme. Shqiptarët në situata më të lehta i zë rryma e anarkisë, e vulgaritetit dhe nuk e afirmojnë vetveten. Shqiptarët kanë shpërthyer në situata të vështira, jo të zakonshme. Ne kemi studentë me potencial të madh, por më vjen keq që nuk shfrytëzohet ky potencial për të bërë punë më të mira për Shqipërinë. Unë shpesh i kritikoj studentët për këtë kontradiktë të madhe që kanë në veprimtarinë e tyre. Unë kam bindje të plotë që ajka e studentëve të shqipërisë , po të punojnë si studentët Gjermanë, janë studentët më të mirë në Europë. E kam bindje të krijuar në rrjedhën e punës prej 35 vitesh.

Si është potenciali rinor në Shqipëri? Dua të them, si ka qenë dhe si është niveli i studentëve ndër vite?

Me shumë keqardhje jam i shtrënguar të pohoj që disa breza të viteve të fundit kanë nivel formimi arsimor më të ulët, por jo se janë më pak inteligjentë. Kjo vjen nga shkolla, nga sistemi. Unë ndiej dhimbje që ky mineral njerëzor, nga pikëpamja intelektuale nuk është i mirëarsimuar, jo për faj të tyre. Unë i shoh shpesh si viktima të strukturave, të keqinformimit, cilësisë së dobët të teksteve, punës së pamjaftueshme të mësuesve etj.

Një rrëfim për Jetën, Shkencën  dhe Shoqërinë Shqiptare 3

Cilat janë këshillat më të shpeshta që u jepni studentëve sot?

Unë përpiqem që mos t’ju jap shumë këshilla, por të bëj më shumë analiza që ata t’i nxjerrin vetë përfundimet. Unë kam një brengë të madhe që ky mineral njerëzor shumë potent po të mirëkultivohet, po të mirëmenaxhohen aftësitë që nga klasa e parë deri në vitin e fundit universitet dhe po tu hapet një perspektivë optimizmi për tu punësuar në Shqipëri, kam bindje të plotë që janë njerëz të mrekullueshëm, potentë për të rregulluar jo vetëm shoqërinë shqiptare, por gjithë Ballkanin. Me vjen keq, që sot studentët shqiptarë përjetojnë një fazë pesimizmi që vjen nga fakti që s’kanë perspektivë të punësohen në hapësirën shqiptare në Ballkan sipas kualifikimit të tyre profesional.

Ndoshta, duke pasur parasysh këtë gjë, bëhem dorëlëshuar, duke menduar se me nota më të mira do t’i ndihmoj të jenë më konkurrues në tregun e çoroditur të punës. Një nga njohësit më të kualifikuar të shoqërisë e të kulturës shqiptare, atdhetari i madh Faik Konica ka argumentuar se në hapësirën Shqiptare në Ballkan, Shqiptaret mund të jetojnë më mirë se në Zvicër. Sidomos kur largohen nga Shqipëria studentet, njerëzit e aftë unë përjetoj dhimbje të madhe. Kjo hemorragji emigrimi në përmasa të mëdha është ndoshta drama më e madhe që ka përjetuar Kombi Shqiptar në rrjedhën e shekujve. Nëse ne nuk e ndalojmë këtë hemorragji, fatet e popullit shqiptar janë të diskutueshme për të mos thënë janë në zgrip të tragjizmit.

Si mund të rregullohen këto, parë kjo në një optikë Sociologjike, Filozofike apo edhe personale si një Shqiptar që e do vendin e vet?

Shoqëria shqiptare është e vogël, si një anije e vogël që mund ta Marre shumë shpejt kthesën e të rrisë shpejtësinë e ndryshimeve pozitive, por në krye të vendit duhet të jenë njerëz të ndershëm, të aftë, të përkushtuar, njerëz që e duan më shumë këtë vend dhe që ofrojnë zgjidhje sociale, largpamëse, si për problemet makro edhe për problemet mikro, më të imta që kanë të bëjnë me grupe të vogla sociale, me çdo familje deri me çdo individ. Unë mendoj se ne kemi njerëz të aftë, jo të mjaftueshëm, por më shumë seç na duhen. Fatkeqësia është që ata nuk gjejnë hapësirë, dhe aftësitë e tyre shkojnë dëm. Shqipëria është hapësira më e pasur në Ballkan, në gjithçka. Vetëm menaxhimi i mirë i ujërave të lartësive e bën këtë vend përrallor, pa llogaritur pasuri të tjera.

Profesor, botimi juaj i fundit titullohet “Fillime Vizionare në Kohë të Traumatizuara” ose “Sociologji Shkence 1”. Çfarë është ky libër? Një përsiatje e zhvillimeve të fundit Sociale në Shqipëri apo … më tej?

Ky libër është fryt i një pune kërkimore shumëvjeçare. Natyrisht punoj, paralelisht me disa libra. Destinohet për studentët e degës së sociologjisë, por edhe për një publik më të gjerë. Përfaqëson një përpjekje për të parashikuar strukturat konceptuale të sociologjisë së shkencës, të përpunuar nga sociologët më të shquar të botës, të gërshetuara me analizën e zhvillimit të mendimit shkencor në shoqërinë shqiptare. Unë kam konstatuar që shqiptarët kanë shkëlqyer edhe në situata shumë të vështira, në situata luftërash, përpjekjesh të mëdha për mbijetesën e popullit shqiptar dhe kanë pasur figura me kontribute të rëndësishme shkencore në vende të tjera si: Biologu Bilal Golemi, Arkitekt Sinani, Inxhinier Karl Gega, Eruditi Sami Frashëri etj. Madje vlen të theksohet se dy njësi shumë të rëndësishme në zhvillimin e mendimit shkencor janë themeluar në luftëra të mëdha botërore: Komisia Letrare e Shkodrës në vitet e luftës së parë botërore dhe Instituti i Studimeve Shqiptare, i themeluar në prill të vitit 1940 dhe ka funksionuar deri në mbarim të luftës së dytë botërore. Pra funksionuan në kohë të traumatizuara, por ata burra që punuan në Institutin e Shkencave në ato vite kanë projektuar vizione shumë të qarta për zhvillimin e mendimit shkencor në hapësirën shqiptare, kryesisht në fushën e albanologjisë. Edhe pse jetuan e punuan në periudhë të traumatizuar bënë punë shumë të mira për t’i shërbyer kultures dhe shkencës shqiptare. Bënë një punë shumë të fisme dhe profesionale për ta pastruar gjuhën shqipe nga fjalët e panevojshme  të gjuhëve të tjera, për unifikimin dhe formësimin e gjuhës kombëtare dhe hodhën themelet e studimeve albanologjike në disa fusha. Ofruan modelet më të mira, ideale të organizimit të veprimtarive kërkimore shkencore dhe të finalizimit të shumë studimeve që kishin të bënin me kulturën shqiptare, shoqërinë shqiptare dhe marrëdhëniet e saj me popujt fqinje. Puna kërkimore shkencore, arritjet në shkencë janë shumë humane, kanë karakter të theksuar altruist. Luftëtarët e lirisë luftojnë për çlirimin e një ose të disa popujve, ndërsa shkencëtarët luftojnë për mbrojtjen dhe përparimin e gjithë popujve të botës, të miqve dhe të armiqve.

 

 

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *