DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Star Tourism

Parisi, kryeqyteti i kulturës botërore…!

Shpërndaje

‘Në Paris, ndryshe shkon, ndryshe vjen’,- është një nga shprehjet më të famshme e cila më së miri tregon edhe mbi madhështinë e qytetit. Parisi ofron gjithçka që një qytet mund të rezervojë për një turist. Në çdo hap që do të përshkoni, do të habiteni nga arkitektura dhe historia.

Ju me siguri keni dëgjuar se nëse shkoni atje, duhet të merrni një fotografi nga Kulla Eiffel, të shihni Mona Lisën ose të argëtoheni në Disneyland. Por këto nuk janë vendet e vetme që duhen vizituar me patjetër.  Parisi perceptohet nga të gjithë, jo vetëm si kryeqyteti i kulturës botërore, por ai është padyshim edhe kryeqyteti i dritave dhe i ëndrrave, kryeqyteti i romancës dhe i dashurisë.

Është thjesht e pamundur të vendosësh se çka duhet të vizitosh më parë në kryeqytetin francez. Ajo që tregon më shumë mbi veçantinë, kuriozitetin që ngjall dhe magjinë e këtij qyteti është fakti se atë e vizitojnë për mbi 40 milionë njerëz në vit.

8 vendet e paevitueshme në Paris

 Muzeu i Louvre-t

Muzeu është hapur për herë të parë në vitin 1793 dhe ka 35.000 vepra arti, përfshirë edhe pikturën e Leonardo da Vinçi-t, “Mona Lisa”. Megjithatë, nëse doni një këshillë, mos prisni të shihni gjithçka në Louvre. Ai është masiv dhe me shumë vepra arti dhe me siguri do ju duhet më shumë sesa një ditë për të parë gjithçka në të.

Parisi, kryeqyteti i kulturës botërore...! 1Notre-Dame de Paris 

Përballë kësaj katedraleje misterioze dhe elegante gjendet qendra e Francës. Katedralja është quajtur gjithmonë si “zemra” e vendit, si nga ana gjeografike ashtu edhe shpirtërore.

Katedralja ka kaluar nëpër kohë të lumtura, por edhe të errëta, deri në ringjalljen përfundimtare, falë romanit të Victor Hugo me të njëjtin emër.  Ajo u përfshi nga një zjarr masiv pak muaj më parë, por puna për rindërtimin e saj dhe për ‘’rikthimin’’ e madhështisë ka nisur.

 Kulla Eiffel

E projektuar dhe e ndërtuar në vitin 1889 për ‘’Exposition Universelle’’, Panairin e Botës, Kulla Eiffel është struktura më e njohur e Parisit dhe një ikonë globale e Francës. Mund ta shihni ditën ose në mbrëmje, të pushoni në stolat e lulishtes poshtë saj, por dhe të ngjiteni për një përvojë ndryshe e për një pamje magjepsëse të Parisit. Miliona njerëz ngjiten në të çdo vit. Emëruar sipas projektuesit te saj, inxhinierit Gustave Eiffel, kulla qe ndërtuar si hark hyrjeje në Panairin e Botës 1889. Kulla është 324 e gjatë, e njëjta lartësi me një ndërtesë 81- katëshe.

Pallati i Versajës 

Pallati i Versajës është një atraksion i pashmangshëm. Arkitektura, kopshtet dhe historia e tij do t’ju lënë pa fjalë. Kur Luigji XIV ndërtoi Versajën në fund të viteve 600’’, ajo u shndërrua në godinën që e kishin zili të gjithë monarkët e tjerë evropiane, dhe për këtë arsye ky vend të provokon një joshje të rrallë. Versaja vizitohet nga 7 herë më shumë njerëz se çdo vend tjetër historik në Francë (përveç Luvrit); dhe një aspekt që e ndihmon është distanca e shkurtër nga Parisi. Asnjë pallat tjetër në botë, nuk mund të krahasohet me madhështinë e Sallës së Pasqyrave, e dekoruar me shandanë, dhe dhomën e gjumit të Maria Antonetës, e zbukuruar me lule të qëndisura me dorë.

 Bazilikia Sacre-Coeur e Montmartre-s

Mbi një kodër të Parisit, bazilika “Zemra e Shenjtë” duket si një kështjellë e bardhë. Ajo ndodhet në lagjen Montmartre, dikur e populluar nga artistët bohemë, që vinin nga gjithë bota në Paris. Kryevepra e stilit romako-bizantin sa e thjeshtë mund të duket nga jashtë, aq e pasur është nga brenda, me një tavan ku shkëlqen mozaiku më i madh i Francës me temë kristiane. 

Champs-Élysées

Një nga shëtitoret më mahnitëse në botë, mbushur me dyqanet e markave më të njohura të modës, parfumeri, kinema, restorante dhe bare. Shëtitorja më e bukur e botës është në të njëjtën kohë edhe një nga më të shtrenjtat. Çdo vit, Champs-Élysées mirëpret 100 milionë vizitorë, nga të cilët 30 milionë janë turistë. Gjatë eventeve festive (Parada e 14 Korrikut, Festa e Vitit të Ri, mbërritja e Tour de France…), 1 milion njerëz çdo ditë mund të shëtisin në shëtitoren më të bukur të botës.

Parisi, kryeqyteti i kulturës botërore...! 2Harku i Triumfit

Pranë tij ndodhet dhe monumenti i Ushtarit të Panjohur, i cili ndriçohet çdo mbrëmje. Është një monument i kërkuar nga Napoleon Bonaparti për të festuar veprat e tij ushtarake, në veçanti fitoren në betejën e Austrerlitz. Është një nga veprat më të njohura të Francës, gjithashtu e shndërruar në një titull romani. Është harku më i madh i llojit të tij në botë. Në Hark ndodhet gjithashtu një muze i vogël që mban disa objekte, të cilat datojnë që nga periudha e Luftës së Parë Botërore dhe të tjera që i përkisnin Napoleonit.

 

Disneyland

Një destinacion i pashmangshëm nëse udhëtoni me fëmijët. Pak i kushtueshëm, por asgjë nuk do e blinte gëzimin e fëmijëve që do e mbajnë mend gjatë atë përvojë. Ndodhet në Marne la Vallee rreth 30 km në lindje të Parisit. Përbëhet nga dy parqe kryesore: Disney Park dhe Disney Studio.

 

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *