Pas 6 ditësh, ish-presidenti amerikan Bill Clinton lë spitalin: Jam i prekur nga mesazhet tuaja
Shpërndaje

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton ka publikuar një video ku tregon se është duke u rikuperuar pasi u shtrua në spital në Kaliforninë Jugore për gjashtë ditë për të trajtuar një infeksion që nuk kishte lidhje me Covid-19.
Clinton, 75-vjeçar, i cili mbërriti në shtëpinë e tij në Nju Jork të dielën, tha se ishte i lumtur që u kthye pranë familjes së tij shëndoshë e mirë dhe ishte shumë i prekur dhe emocionuar nga urimet që kishte marr nga miq e dashamirës gjatë gjithë kohës që ishte në spital.
Një ndihmës i ish-presidentit amerikan tha se ai kishte një infeksion urologjik që u përhap në qarkullimin e gjakut, por ishte në shërim dhe kurrë nuk kaloi në tronditje septike, një gjendje potencialisht kërcënuese për jetën.
Clinton falënderoi mjekët dhe infermierët në Universitetin e Kalifornisë dhe Qendrën Mjekësore Irvine, të cilët u kujdesën për shëndetin e tij.
Clinton është përballur me disa probleme shëndetësore në vitet që kur u largua nga Shtëpia e Bardhë në 2001. Në 2004, ai realizoi një operacion katërfish të bypass -it pasi kishte përjetuar dhimbje të zgjatura në gjoks dhe gulçim. Ai u kthye në spital për kirurgji pasi kishte mushkërinë pjesërisht të dëmtuar në vitin 2005, ndërsa në 2010 kryeu një ndërhyrje në një arterie koronare.
Vitet e fundit ai ka përqafuar një dietë kryesisht vegane që ka rezultuar në humbjen e peshës dhe përmirësimin e shëndetit.
I’m glad to be home! pic.twitter.com/ZoYuy54Q6R
— Bill Clinton (@BillClinton) October 20, 2021
Burimi: The Guardian