DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Star Event

Përurohen 3 veprat e autores Gladiola Busulla 

Shpërndaje

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, në Muzeun Arkeologjik në Durrës u përuruan tri libra të autores Gladiola Busulla Jorbus. Ky event bashkoi dashamirës të librit dhe të autores njëherazi.

Takimi iu dedikua ekskluzivisht autores Jorbus dhe tri botimeve të saj më të fundit:“Namatisje-Refleksione”, novela “Shtëpia e mjegullës” dhe vëllimi me poezi “Gjurmë në ishullin e dritës”.

Përzgjedhja e autores Gladiola Busulla nuk ishte e rastësishme, thjesht pse ajo është një përfaqësuese e penës femërore, por sepse pikërisht me penë ajo ka shkruar dhe ka mbrojtur të drejtat e gruas duke e vendosur atë në qendër të krijimtarisë së saj.

“Është një ndjenjë e jashtëzakonshme të jesh e rrethuar nga miqtë e librit, në këtë rrugëtim”, -u shpreh autorja.

Aktiviteti u organizua nga Biblioteka Publike Durrës, nën moderimin e bibliografes Teuta Dhima, i shoqëruar nga instrumentistët e liceut “Jan Kukuzeli”. Në këtë takim letrar ishin të pranishëm me përshëndetjet dhe vështrimet e tyre kritike , nënkryetari i Bashkisë së Durrësit z.Florian Tahiri, i cili diskutoi rreth trajektores suedezo-shqiptare të novelës, përmes empatisë si ish student, i cili ka kryer studimet Master në Universitetin e Upsalës, gazetarja Vali Qyrfyçi, pedagogia Blerina Xhakolli (Profesor i Asociuar), mjeku patolog Nikolla Jorgoni, shkrimtari dhe poeti Enton Bido.

“Promovova tri libra të publikuar në Suedi. Dy të fundit të shkruar kur isha ‘’scholarship holder’’ atje dhe u riktheva për të përuruar libra në qytetin e lindjes në ambientet e mrekullueshme të Muzeut Arkeologjik. Një takim si autore me lexues të librave të mi. Falënderimet e mia shkojnë për drejtoreshën e Bibliotekës Mirela Yllin, Teuta Dhimën, Enton Bidon, Alban Ramohitajn. Falënderoj shumë edhe nënkryetarin e bashkisë Florian Tahirin, Blerina Xhakollin (Prof i Asociuar), mjekun patolog Nikolla Jorgoni për vështrimin kritik që iu bënë librave të mi” , – u shpreh më tej autorja.

 

Poezi të shkëputura nga librat: 

Nuk jam më shumë se…

Nuk jam më shumë
Se një çast në ditën tënde.
Një pulitje sysh
A një psherëtimë,
Që zhytet thellë në zemër
Për të heshtur aty.
Nuk jam më shumë
Se distancë, në ditën tënde.
Një erë e marrë që uturin
Larg teje.
Nuk jam më shumë
Se një terrinë shkretane,
Në ditën tënde,
Që s’ përndizet nga
Brerorja e hënës e
as nga grumbuj yjesh.
Nuk jam më shumë
Se një bulëz vese,
në ditën tënde
Që çastshëm
të mugullon shpirtin.
Nuk jam më shumë
Se mbuloja e artë e vjeshtës
Në ditën tënde.
Një re e tymtë, fragmentare
që sytë e tu përndjekin
me ëndje deri në harrim.
Nuk jam më shumë
se një bregdet klandestin
në ditën tënde,
ku dallgët trokasin të papërpikta,
mbi kështjellat e brishta të rërës,
ku fshihet shpirti im.

Fantazmë hieratike


Symbyllas,
I shoh mendimet e mia
Të largohen si hije të dëshpëruara,
Kur mbrëmja vjen të më çrrënjosë
Paqenësinë e ekzistencës.
Si një fantazmë hieratike,
i turbullt,
shfaqet imazhi yt.
Metamorfozë e shpirtit tim.
Heshtja e Sfinksit
Më përndjek si
Pafajësia e rrejshme
Që frymëmarrjen lëndon.
Unë jam thjesht një peng
Që orvatem në simetrinë
E enigmës sate
Në një botë të vagullt,
Që më prek kur fle
Dhe më braktis
Në zgjim 

 

1 Koment

  1. Aggeliki Giorgollari April 14, 2020

    Bravo gladi pershkrime te shkelqyera me fantazi e ndjenje

    Reply

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *