DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Lifestyle Star Inspiration

Rrëfimi i jashtëzakonshëm/ Si e fituan betejën me COVID-19  çifti shqiptar në Londër

Shpërndaje

Nga Sokol Paja

Doktor Adrian Fandi së bashku me bashkëshorten e tij mjeke Dr. Linda Musli pranë “Kingston Hospital Foundation Trust, London, UK” kanë kaluar me sukses betejën personale ndaj Covid-19 dhe së fundmi ata kanë pranuar kërkesën e NHS England për të dhuruar plazmën e tyre me qëllim që të ndihmojnë pacientët me Covid-19. Doktor Adriani dhe bashkëshortja e tij Linda Musli vazhdojnë konsultat on line me shqiptarët në Londër dhe jo vetëm me qëllim asistimin dhe këshillimin për çdo nevojë mjekësore sidomos në kushtet e pandemisë botërore Covid-19. Së fundmi doktor Adrian Fandi është përzgjedhur nga Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri dhe është bërë pjesë e grupit të eksperteve shqiptarë në luftën ndaj Covid-19.

KONTAKTI ME VIRUSIN VDEKJEPRURËS

Doktor Adrian Fandi tregon se virusin e mori në mes të muajit mars gjatë një vizite normale në spitalin “Kingston Hospital Foundation Trust” në Londër gjatë kohës që po vizitonte një djalë të ri. “U preka nga kovid rreth mesit të marsit në një periudhë që sapo kishte filluar të përhapej virusi në UK dhe masat mbrojtëse për personelin shëndetësor ishin jo adekuate. Ndiqja me vëmendje çfarë ndodhte në Itali ku përhapja ishte masive, diskutoja me menaxherët për rritjen e masave të sigurisë së mjeteve mbrojtëse por ishte një përgjigje e vrazhdë ku ne në Angli kemi rregullat tona, rregulla që më vonë po na i ndërronin çdo 2-3 ditë. Në punë patëm urdhër që të mos përdornim maska në ‘’EmergencyDept’’ ku nuk kishte të sëmurë me shenja Covid-19 se përhapnim panikun në popull. Kështu që duke vizituar pacientë në zonën e pastër, ose pa pacientë që dyshohen me Covid-19, po vizitoja një djalë 25 vjeç që erdhi me dhimbje koke e temperaturë që i kishte shpëtuar kolegut të filtrit. Natyrisht isha pa maskë dhe pas vizitës e kuptova që ishte Covid-19. Atij djali i kishte ikur nuhatja si dhe disa shenja të tjera si: kollë e dhimbje gryke. Për momentin nuk u shqetësova, por mu desh të ballafaqohem me eprorët për incidentin dhe kërkova prapë vënien e maskave për të gjithë personelin e ‘’Emergency Department’’. Pas disa ditësh ndërruan rregullat për më mirë, por tashmë ishte tepër vonë. Pesë ditë pas kontaktit duke u kthyer në shtëpi pas turnit të punës fillova të dridhem e sa arrita në shtëpi temperatura ishte 38 gradë celcius. Aty e kuptova se më erdhi radha edhe mua . Ishte data 25 mars dhe mediat në Itali flisnin për mijëra viktima nga Covid-19. Të gjitha kanalet televizive me ekspertë e pseudoekspertë që flisnin për këtë tragjedi e njerëz që humbnin jetën. Puna e parë, fika televizorin jo se kisha panik, por nuk duroja më shpirtërisht këtë bombardim mediatik” rrëfen i trishtuar doktor Adrian Fandi.

NDRYSHIMET NË TRUP PAS PREKJES NGA COVID-19

‘’Pas prekjes nga virusi vdekjeprurës, doktor Adrian Fandi tregon se: “Temperatura ishte në rritje e tamponi doli pozitivë pas 4 ditësh. Nuk kisha nevojë të ma thoshte tamponi , por shenjat që kisha Covid-19. Nuhatja me iku, filloi dhimbja në gjoks, kur kollitesha më dhimbnin të gjithë muskujt, nuk kisha fuqi të çohesha për nevojat personale derisa më filloi edhe vështirësia në frymëmarrje. Ndërkohë një koleg më kishte sjellë një aparat për të matur oksigjenin në gjak dhe po e shihja që ulej ditë pas ditë. Në 1 prill frymëmarrja mu vështirësua dhe gruaja ime, që është mjeke e punojmë bashkë në të njëjtin department, më çoi në spital. Aty kolegët më pritën të mallëngjyer e të shqetësuar. Analizat ishin jo mirë, oksigjeni ishte ul 89% nga 95 e lart nga sa duhet të jetë. Fillova oksigjenin si dhe pyeta a do marr ndonjë ilaç. Më thanë se duhej të firmosja për Trial dhe pranova. Lotaria e kompjuterit më futi te grupi i pacientëve që nuk do merrnin asnjë terapi. Aty më kërcyen pak, po tani unë jam mjek e nuk dua të bëj eksperimente por të merrja të pakten Plaquenil. Vështirë të ecësh kundër rregullave angleze. U deshën 24 orë të fshihesha nga kompjuteri e të filloja terapinë në spital. Tre ditët e para isha keq me kollë e vështirësi në frymëmarrje. Për të shkuar në banjë kisha një bombul të vogël oksigjeni se nuk mundesha. Qëlloi ditën e parë që një i sëmurë i dhomës time pati një kolaps dhe humbi ndjenjat në shesh, mu desh të ngrihem me oksigjen në fytyrë për ta reanimuar. Harrova që isha pacient dhe kur kolegët me gjeten në punë më falendëruan, por edhe kritikuan që mos ta bëja më se rrezikoja jetën time. Specialistët e ‘’Intensive Care’’ vinin dy herë në ditë për të parë ecurinë e n.q.s nuk përmirësohesha do të më intubonin. Nuk doja, ose më saktë nuk më pëlqente se e dija që puna do të shkonte gjatë e jo mirë me një shans për të mbijetuar 30%” -rrëfen frikshëm doktor Adrian Fandi.

LUTJA NDAJ ZOTIT SI BURIM FORCE E SHPRESE

‘’Çdo natë më zinte gjumi duke ju lutur Krishtit dhe Zonjës së Bekuar në Medjugorje (Bosnjë). Ndërkohë më vinin tekste nga kolegët e shokët që luteshin për mua kush Allahut, kush Budës, kush nuk e di kujt. Ditën e katërt në spital fillova të ndihem diçka më mirë dhe ula nivelin e oksigjenit që merrja. Aty fillova të bëhesha më optimist. Bëra një CT SCAN që tregonte se kisha një pneumoni nga kovid. Çdo gjë që ndodhte ishte në sekret për prindërit e mi në Bari të Italisë. Ata nuk dinin asgjë deri sa dola nga spitali. Në 6 prill u çova dhe shkova në banjë pa oksigjen. Atëherë vendosa të mos ta përdorja e për dy orë nuk mu ul nën 95%. Aty vendosa të thërras mjeken e repartit e cila ishte e kënaqur me ecurinë dhe me dha lejen të shkoja në shtëpi te doktoresha ime”, – tregon doktor Adriani për bashkëshorten e tij që kanë 30 vjet së bashku .

RIKTHIMI NË FAMILJE I SHËRUAR

‘’Sapo dola nga spitali i shëruar, gruaja sa mori vesh erdhi të më merrte. Që atë ditë filloi jeta ime e dytë. Gëzimi për të qenë pranë familjes time, me të dashurit e mi, me jetën që kishim krijuar së bashku për gati 30 vjet. Ditë pas dite po bëhesha më mirë dhe vendosa të kthehem në punë pas 10 ditësh pasi dola nga spitali. Gëzimi i shokëve të punës ishte mallëngjyes. Aty fillova edhe një herë me energjinë si më parë. Natyrisht siguria në punë ishte rritur dhe masat mbrojtëse ishin bashkëkohore tashmë. Një pjesë e kolegëve ndërkohë ishin prekur nga Covid-19,  por me shenja më të lehta se unë. Pacientët që vinin nuk ishin vetëm të moshuar, por shumë të rinj si dhe në gjendje të rëndë. Masat e’’ lock doun ‘’në UK nuk janë të forta dhe përhapja e virusit është e madhe”- shpjegon për gazetën Dielli doktor Adrian Fandi.

HUMANIZMI I DOKTOR ADRIAN FANDIT DHE LINDA MUSLI

Doktor Adriani së bashku me bashkëshorten e tij mjeke Lindën edhe pse sapo kanë kaluar sëmundjen, prapë se prapë nuk ndalen në ndihmë të patriotëve të tyre shqiptarë në Londër të cilët e kontaktonin në tel, në Facebook ose Skype për këshilla mjekësore në këtë kohë pandemie globale. Edhe pse ende nuk janë në 100% e tyre si pasojë e përplasjes me Covid-19, mjekët bashkëshortë vazhdojnë prej 23 vitesh t’ju shërbejnë me pasion e humanizëm çdo patrioti shqiptar. Doktor Adriani na tregon një histori të dhimbshme të Agimit; një shqiptari që punonte taksist në Londër. “Gruaja e Agimit ishte e shtruar në reanimacion e intubuar në frymëmarrje të drejtuar, në gjendje të rëndë. Agimi është shofer taksie në Londër dhe ka 3 fëmijë, ku djali i madh ka probleme disabiliteti në tru që kur ka qenë fëmijë pas epilepsisë. Gruaja ishte ajo që kujdesej më shumë për djalin dhe tani luftonte për jetën. Spitalin e merrte përditë në telefon, por nuk kuptonte çfarë thonin mjeket. Që atë ditë spitali ku ndodhet më telefonon mua dhe më pas më duhet t’ja shpjegoj me fjalë të thjeshta Agimit”- citoi për gazetën Dielli doktor Adrian Fandi cili prej shumë vitesh i këshillon shqiptarët si mjek, si përkthyes dhe si psikolog.

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *