DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Lifestyle

Rregullat që nuk duhen shkelur në një MIQËSI

Shpërndaje

Nga  Shila Reçi – Psikologe

Një ndër marrëdhëniet më të bukura dhe më të vyera që ndërton njeriu në jetë është dhe marrëdhënia shoqërore, ndryshe e ashtuquajtura miqësi. Një marrëdhënie e mbushur plot e përplot me ndjesi pozitive e bazuar në vlera morale si besimi, respekti  dhe përkushtimi. Miqësitë janë lidhje shoqërore që ne zgjedhim të krijojmë me dëshirë dhe zgjedhim të investojmë në “ mirëmbajtjen” e kësaj marrëdhënie, thjesht për kënaqësinë e shoqërisë së njëri- tjetrit. Disa njerëz i konsiderojnë miqtë e tyre si “familja e tyre e zgjedhur”. Ata mund të na ofrojnë rehati dhe pranim, atëherë kur na duhet më së shumti, si dhe na sigurojnë një përqafim apo një shpatull për tu mbështetur. Një studim i kryer së fundmi në Harvard doli në përfundimin se të kesh miqësi të qëndrueshme në jetë mbi të gjitha na ndihmon në përmirësimin e shëndetit të trurit tonë. Ndaj sot të dashur lexues, do të flasim për rëndësinë e të paturit miq në jetë. Do të flasim se sa fatlum duhet të ndihemi nëse kemi në krah një mik apo disa miq.

Por çfarë quajmë miqësi ?

Miqësia është një marrëdhënie e dashurisë reciproke midis njerëzve. Ajo është një ndër format më të forta të lidhjes ndërnjerëzore. Ajo është një marrëdhënie e cila mbart disa karakteristika si: mirësia, dashuria, virtyti, simpatia, empatia, ndershmëria, altruizmi, besnikëria, bujaria, falja, mirëkuptimi dhe dhembshuria e ndërsjellë, kënaqësia e shoqërisë së njëri-tjetrit, besimi dhe mbi të gjitha aftësia për të qenë vetvetja, për të shprehur ndjenjat lirisht dhe pa patur frikë nga gjykimi i mikut. Pra siç mund ta vini re, miqësia është një aspekt thelbësor i aftësive ndërpersonale të gjithsecilit prej nesh, e cila ndikon shumë dhe në ndërtimin e marrëdhënieve të tjera në jetë. 

Por a keni menduar ndonjëherë pse bëjmë miq? A kemi vërtet nevojë për miq? 

Siç e përmendëm dhe më lartë si qenie sociale, na lind natyshëm ndërveprimi me njerëzit e tjerë dhe nevoja për të krijuar afeksion. Miqësia është një ndër marrëdhëniet njerëzore më të rëndësishme në jetën e njeriut ashtu sikurse marrëdhënia familjare apo në çift.

Shkencëtarët që kanë studiuar marrëdhëniet njerëzore kanë zbuluar se njerëzit me miq të mirë kanë tendencë të jetojnë më gjatë. Ata gjithashtu kanë tendencë të jenë më të shëndetshëm. Miqësitë e mira gjithashtu  shoqërohen me nivele më të ulëta të stresit, ulje të presionit të gjakut dhe një rrezik më të zvogëluar të depresionit. Miqtë na ndihmojnë dhe na përkrahin përgjatë  gjithë uljeve dhe ngritjeve në jetë. Ata na shoqërojnë ne gjatë të gjithë ngjarjeve qe na ndodhin në jetë. Kur them shoqërim, nuk do të thotë vetëm të qenurit të pranishëm fizikisht por për shembull mund të jesh milje larg njëri tjetrit dhe mjafton një telefonatë nga miku yt për një ndodhi qoftë pozitive apo negative dhe thjesht prania e tij na bën ta përjetojmë situatën më mirë. Kur kemi një mik  të mirë që tregon kujdes për ne, është më e lehtë të përballojmë sfidat në jetë.

Por a mund të quajmë mik këdo ?

Sigurisht si qenie sociale, gjatë aktiviteteve të ndryshme në jetë, ndërveprojmë me njerëz të ndryshëm. Dhe duke kaluar kohë me to, lind dhe dëshira për tu afruar më shumë me njëri-tjetrin e për të krijuar një marrëdhënie më të ngushtë me to. Ndoshta një miqësi.

Them ndoshta pasi nuk është shumë e lehtë të ndërtosh një të tillë. Shumë psikologë, në mbarë botën kanë kryer studime të ndryshme në lidhje me miqësinë, këtë marrëdhënie të ngushtë emocionale që ndërtojnë qeniet njerëzore. Zhvillimi dhe ruajtja e miqësive të mira kërkon përpjekje, përkushtim dhe dedikim. Kur jemi më të vegjël, është shumë më e lehtë të bëjmë shok/shoqe. Që të vegjël në shkollë, ne jemi të rrethuar nga moshatarë me interesa të ngjashëm. Sigurisht nga bashkëveprimi me to gjatë gjithë ditës, është e natyrshme të krijojmë miqësi të shumta. Por ndërsa rritemi, numri i miqve,  ka prirjen të zvogëlohet. Kjo është e natyrshme, pasi teksa rritemi, rriten përgjegjësitë, piqemi më shumë dhe u kushtojmë më shumë rëndësi vlerave të vërteta. Duke u rritur ndryshon dhe këndvështrimi për jetën, dhe i shikojmë gjërat me tjetër sy. Kuptojmë që një mik i mirë është ai tek i cili ke besim të plotë dhe e di që do jetë gjithmonë aty për ty. Nuk mund të quajmë mik thjesht një koleg pune me të cilin kalon disa orë në ditë dhe shkëmben disa biseda, batuta etj. Sigurisht nuk e përjashtojmë mundësinë që një koleg pune për dikë mund të kthehet në një mik shumë të mirë, duke kaluar në një njohje më të thellë jashtë pune. Pra miqësia e ngushtë bëhet më e vështirë për t’u ruajtur, por jo e pamundur. Ndaj është shumë e vyer të kesh një mik. 

Pra siç e shikoni miqtë kanë një ndikim të madh në jetën tonë. Miqësitë mund të kenë një ndikim të madh në shëndetin dhe mirëqenien tuaj. Ndaj më poshtë po ju veçoj disa nga përfitimet e shumta që sjell miqësia.

1-Shokët e mirë janë një ilaç shumë i mirë për shëndetin tonë

 Miqtë mund t’ju ndihmojnë të festoni së bashku kohë të mira dhe ju ofrojnë mbështetje gjatë kohërave të këqija. Miqtë parandalojnë vetminë. 

2- Rrisin ndjenjën tuaj të përkatësisë dhe qëllimit.

3- Nxisin lumturinë tuaj dhe zvogëlojnë stresin.

4-Përmirësojnë vetëbesimin dhe vetëvlerësimin tuaj.

5- Na ndihmojnë të përballojmë trauma të tilla si: divorci, sëmundje serioze, humbje pune ose vdekja e një personi të dashur.

6-Na inkurajojnë të ndryshojmë ose shmangim zakonet jo të shëndetshme të jetesës, të tilla si pirja e tepërt ose mungesa e stërvitjes etj. 

7-Miqtë gjithashtu luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e shëndetit tuaj të përgjithshëm. Të rriturit, me mbështetje të fortë sociale kanë një rrezik më të zvogëluar për shumë probleme të rëndësishme shëndetësore, duke përfshirë depresionin, presionin e lartë të gjakut dhe një indeks jo të shëndetshëm të masës trupore (BMI). Studimet madje kanë zbuluar se të rriturit më të moshuar me një jetë të pasur shoqërore ka të ngjarë të jetojnë më gjatë se sa bashkëmoshatarët e tyre me më pak lidhje.

Tani që e patë se sa shumë përfitime kemi nga miqtë, mos hezitoni të jeni mirënjohës ndaj tyre. Ndaj kushtojini rëndësi gjithmonë dhe kujdesi për ta ashtu siç ata kujdesen për ju. Gjithashtu po ju listojmë disa mënyra sesi të jeni një mik më i mirë :

1-Ji i/e sjellshme 

Kjo është një ndër pikat më të forta të miqësi dhe mbetet thelbi i marrëdhënieve të suksesshme. Mendoni për miqësinë si një “ llogari bankare “ emocionale. Çdo akt mirësjelljeje dhe çdo shprehje mirënjohjeje janë si depozita.

2-Degjo

Pyetni se çfarë po ndodh në jetën e miqve tuaj. Bëjani të ditur mikut që ju po i kushtoni vëmendje të madhe përmes kontaktit me sy, gjuhës së trupit. Kur miqtë ndajnë detaje të kohërave të vështira ose përvojave të vështira, jini empatikë, por mos jepni këshilla, përveç nëse miqtë tuaj e kërkojnë atë.

3-Hapu

Ndërtoni intimitet me miqtë tuaj duke u hapur për veten tuaj. Të qenit i gatshëm për të zbuluar përvojat dhe shqetësimet personale tregon se miku juaj mban një vend të veçantë në jetën tuaj dhe thellon lidhjen tuaj.

3-Tregoni se mund të keni besim 

Të qenit i përgjegjshëm dhe i besueshëm është thelbësore për krijimin e miqësive të forta.Kur miqtë tuaj ndajnë informacion konfidencial, mbajeni privat.

4-Bëni veten të disponueshëm  

Ndërtimi i një miqësie të ngushtë kërkon kohë së bashku. Ndaj jini aty për mikun tuaj sa herë ai ka nevojë. Gjeni gjithmonë kohë për të.

Ndaj të dashur lexues, tanë që shfletuat këto faqe të revistës, bëjini një telefonatë mikut dhe falenderojeni që është pjesë e jetës suaj dhe thojini sa me fat jeni që e keni njëri – tjetrin. Miqtë janë një ndër pasuritë më të mëdha në jetën e njeriut.

 

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *