DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Lifestyle

Si të ushqehemi me zgjuarsi gjatë festave

Shpërndaje

Nga Diola Dosti Baftiu 

 

Periudha e festave është periudhë e ‘mëkateve të ëmbla’. Duam të shijojmë ushqimet dhe të mos shtojmë asnjë gram në anën tjetër. A është e mundur kjo? Sigurisht. Nëse trajtoni trupin dhe kohën tuaj, me shumë zgjuarsi. Ҫfarë mund të bëjmë?

  1. Fillimisht, duhet të jemi aktivë. Mos të rrimë pjesën më të madhe të kohës para televizorit, por të merremi me aktivitete të ndryshme, qoftë dhe punët e shtëpisë (fshirja e dyshemesë më fshesë me korrent, na harxhon goxha kalori). Pasi të konsumojmë ushqim, mos të shtrihemi, por të aktivizohemi në ngritjen e tavolinës, larjen e enëve( i japim pak pushim lavastoviljes për festë) ose pse jo, edhe të vendosim pak muzikë në sfond, shoqëruar me vallëzim.
  2. Të zgjedhim ushqimet me zgjuarsi. Stomaku jonë, nuk është kosh mbeturinash, kështu që mos zgjidhni ‘ushqime mbeturina’ për të. Përdorimi i frutave, perimeve, arrave dhe farave janë një mesvakt fantastik, të cilat nuk na lejojnë shtimin e peshës.
  3. Kujdes me porcionet. Mos e tejmbushni pjatën. Përdorni pjata të vogla gjatë kohës që jeni duke u ushqyer. Jo pjatanca të mëdha. Rregulli është i thjeshtë për t’u kuptuar. Pjatë e madhe, sasi e madhe ushqimore. 
  4. Përqendrohuni kur të ushqeheni. Shumë nga ne, kur ushqehen, kanë afër dhe telefonin, gjë e cila e heq përqendrimin në ushqim. Kështu ata nuk i kushtojnë rëndësi sinjaleve të trurit për ngopjen e organizimit me nutrientë. Dhe vazhdojnë të konsumojnë më shumë. Përtypuni ngadalë. Kjo do t’ju ndihmojë që të kuptoni sinjalet e trupit për ngopje dhe të konsumoni më pak kalori.
  5. Flini gjumë mjaftueshëm. Deprivimi i gjumit, mund të sjellë shtim në peshë. Kjo sepse, kur nuk flini mjaftueshëm, mund të keni dëshirë për të ngrënë më shumë dhe për t’u marrë më pak me aktivitet fizik. Mbi të gjitha, pagjumësia rrit nivelet e hormonit përgjegjëse për urinë dhe ul metabolizimin. 
  6. Kontrolloni stresin. Stresi rrit nivelet e kortizolit, hormoni i cili çlirohet si përgjigje e stresit. Kjo mund të shoqërohet me shtim peshe dhe dëshirë për të ngrënë më shumë. Mbi të gjithë, stresi ‘rrit kërkesat’ për të ngrënë më shumë ushqime të pashëndetshme. Provoni meditimin, jogën dhe frymëmarrjet e thella.
  7. Konsumoni ushqime  të balancuara me proteina. Zakonisht gjatë festave, ushqimet janë të tejngopura me karbohidrate, por jo dhe aq të pasura me proteina. Është e rëndësishme të përfshijmë proteinat në vaktet ushqimore pasi krijojnë ndjesinë e ngopjes. Ato rrisin metabolizimin dhe stabilizojnë hormone ‘uri reduktuese’. Preferohet 25-30 gram proteina në vakt, duke përfshirë këtu: peshkun, kërpudhat, bizelet dhe quinoa.
  8. Mos harroni fibrat. Një tjetër nutrient përgjegjës për ndjesinë e ngopjes. Konsumimi i fibrave redukton marrjen e kalorive ekstra, gjë që ndihmon në parandalimin e shtimit të peshës. Ushqimet e pasura me fibër janë perimet, legume, drithërat, arrat dhe farat. 
  9. Kujdes me testimet e ëmbëlsirave. Të gjithë mund të kemi nepset për të provuar pak nga të gjitha llojet e ëmbëlsirave që na serviren. Por pak aty e pak këtu, mjaftojnë për të marrë kalori ekstra. Kjo varet dhe nga lloji i ëmbëlsirave. Mund të ketë dhe ëmbëlsira të cilat janë bombë kalorike në një kafshatë. Mbi të gjitha, është e rëndësishme që ato mos të konsumohen në stomak bosh. 
  10. Jo pije me gaz, më pak alkool dhe pije energjike. Përgjithësisht, janë shumë të pasura me sheqer dhe kalori boshe, gjë që mund të çojë në shtim peshe të panevojshëm. 
  11. Modifikoni recetat. Çfarë do të thotë kjo? Të përdorni zëvendësues të shëndetshëm, si miell integral, sheqer kaf ose kanellë, makaronat integrale në vend të atyre të bardhave, oriz kaf në vend të atij të bardhë etj.
  12. Evitoni ushqimet e gatshme. 
  13. Pini më shumë ujë gjatë ditës.
  14. Hani një mollë para çdo vakti. Fibrat e gjendura në të, do ju ndihmojnë në krijimin e ndjesisë së ngopjes.
  15. Dhuroni energji pozitive. Ju mund të hani avokado çdo ditë, mund të pini 2 litra ujë çdo ditë, por nëse nuk jeni njeri pozitiv, nuk mund të quheni të shëndetshëm. 

 

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *