DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Art & Culture On the Cover

Të pathënat e Orgesa Zaimit

Shpërndaje

Nga Fatima Gorezi

Miqësore, e qeshur, me vështrimin që të fton në kureshtjen për ta njohur dhe për tu shtruar në bisedë me të, takimi me Orgesa Zaimin është gjithmonë një kënaqësi. Flet me pasion për muzikën që bën, po aq sa për profesionin, për njerëzit, për idetë, familjen, projektet. E mirëorientuar në ato çka i vendos vetes të arrijë, por edhe e vetëdijshme se muzika është një botë joshëse e tinëzare, por ajo është e qartë, e kthjellët dhe e vendosur në atë raportin me veten, thirrjen e kohës dhe lënien e gjurmës në ato çka bën. NOSTALGJIA, projekti me të cilin ajo u prezantua në ‘’Kënga Magjike’’ së shpejti do të vij e portretizuar edhe me një video. Një projekt i veçantë që i dhuroi një shumësi emocionesh sikundër rrëfen ajo. Një himn për jetën, për njeriun…një melodi për shpirtin…!

 

Të pathënat e Orgesa Zaimit 1

           Fotografia : Fatjon Rrepishti / Make Up : Henri Gjata / Hair Stylist : Sezer Hairstyle / Veshjet : Star Atelier

-Nënë e dy fëmijëve, këngëtare, gazetare radiofonike. Nëse Orgesa do ta përmblidhte me një fraze gjithë rrugëtimin e saj deri më tani, cila do të ishte ajo?

Një udhëtim plot aventura në detin e trazuar të jetës . (Qesh)

-Duket që gjithmonë këngët tuaja janë edhe një poezi e bukur në vetvete. Pse e keni kaq të rëndësishme fjalën dhe fuqinë e saj në tekset tuaja? Është kjo një zgjedhje personale apo ka të bëjë me atë dëshirën e çdo artsiti për të gdhendur emrin në fletët e historisë?

Ka të bëj patjetër me gjurmën që dua të lë në muzikë, por më shumë sepse dua të tregoj më shumë me anë të këngëve të mia, sepse muzika nuk duhet të jetë vetëm ritëm apo instrumente por duhet edhe të flasë apo të tregojë histori, ngjarje dhe ndjesi që çdokush që i dëgjon ato këngë të ndjehet njësoj  me mua apo i përfaqësuar. Historia e muzikës ka treguar se këngët me tekste të bukura e poetike kanë tendencën të jetojnë më shume në kohë.

– Ju keni një stil shumë të veçantë dhe interesant. Nga frymëzoheni?

Mendoj se shija dhe ndjesia e të bukurës apo estetikës ka qenë tek unë që në fëmijëri atëherë kur doja të dukesha më e veçantë se shoqet e mia, që nga sajimet e aksesoreve apo veshjeve. Duke u rritur duke parë e duke dëgjuar shumë muzikë zhvillova karakterin dhe stilin tim që mikson shijet britanike dhe franceze, me një prezence të vazhdueshme të thjeshtësisë apo veshjeve pa kohë, nuk ndjek dhe aq shumë apo s’jam e varur nga tendencat më të fundit.

– Më kuriozon një pyetje. Çfarë thonë fëmijët kur dëgjojnë muzikën tuaj ? Po partneri?

Mendoj se deri tani fëmijët janë fansat e mi nr 1 kjo sepse ata më kanë mbështetur gjithnjë madje edhe kur dëgjojnë këngët në fillim si demo ata japin gjithnjë mendimet e tyre plot dashuri, I dëgjoj shpesh nëpër shtëpi ose në makine që këndojnë këngët e mia e s’ka lumturi më të madhe, ndërsa përsa i përket Mentorit partnerit tim, ai ka qenë gjithnjë shumë mbështetës por edhe kritiku me i madh që kam. I besoj gjithnjë për sinqeritetin që tregon në çdo vlerësim dhe po ashtu i besoj më shumë se kujtdo përsa i përket vendimeve për këngët që këndoj.

-A keni ju miq , artistë? Cilët do të veçonit? A ka xhelozira mes artistëve? Cili është për ju artisti/artistja shqiptar/e më i/e mirë , që ju ka frymëzuar?

Patjetër që puna dhe karriera ime në muzike këto 15 vite më ka treguar cilët janë miq apo cilët konkurrent, unë jam shumë natyrë e çiltër dhe miqësore, nuk kam armiqësi apo deklarata të tilla urrejtjeje sepse gjithnjë kam parë punën dhe profilin tim, e kam treguar vendin tim gjithnjë me anë të zërit apo talentit tim  prandaj dhe ata që janë xheloz le të hanë veten me dhëmbë, unë gjithnjë ua them mendimet e mia të gjithë kolegëve dhe mund të them qe ne jemi një vend me shumë artistë e talente e këngëtarë të shkëlqyer. Frymëzim gjithnjë nga artistet kam pasur Vaçe Zelën jam rritur duke dëgjuar këngët e saj që kanë qenë shkolle për mua dhe mendoj se ajo e ka treguar që me zërin, individualitetin dhe punët e saj mund të mbahesh mend në përjetësi!

Të pathënat e Orgesa Zaimit 2– A ndjeheni ju e vlerësuar nga muzika, e shpërblyer?

Deri tani jo sa duhet të isha vlerësuar, por gjithnjë eci me moton se duhet të punoj edhe më shumë, duke shpresuar që një ditë do t’ia dal të vlerësohem më shumë, edhe pse mendoj se çmimet nuk të bëjnë domosdo të vlerësuar kjo sepse sado patetike të duket janë njerëzit që na bëjnë ne të vlerësuar duke dëgjuar vazhdimisht këngët apo shfaqjet që japim. Unë mendoj se do vij një ditë kur do të marrin çfarë meritojnë ata që kanë më shumë peshë si artist.

– Një këshillë për gjithë të rinjtë që aspirojnë botën e artit dhe muzikës Çfarë do ti thoshe sot Orgesës 15 – vjeçare? 

Nëse do kthehesha pas në kohë nuk do kisha shkuar si fillim në audicionet e talent show, do kisha zgjedhur të tjera strategji për tu evidentuar, por nuk pendohem për asgjë që kam bërë. Ndërkohë sot ka ndryshuar çdo gjë, dhe të rinjtë janë më koshient e të zgjuar në zgjedhjet e tyre sepse kanë shumë më shumë variante e mundësi. Të rinjtë sot e dinë mirë që interneti është fuqia e suksesit, kur unë këndoja para 15 vitesh kisha vetëm Televizionin.

– Projekti juaj i fundit muzikor NOSTALGJIA është një projekt që bëri shumë bujë në ‘’Kënga Magjike’’. Një himn për jetën. Si lindi ky projekt dhe pse e keni kaq për zemër? 

Për shumë arsye kënga ‘’Nostalgjia’’ do të mbetet përgjithmonë në mendjen time, si fillim sepse pas një viti të vështirë si për mua si per autorët Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku, dhe sepse kënga është një dedikim për një lule si Geida Kuqi, një vajzë e re drita e se cilës jeton e rindizet sa herë kjo kënge dëgjohet kudo. ‘’Kënga Magjike’’ ka qenë gjithnjë një nga skenat e mia të preferuara dhe mendoj se deri tani më ka sjellë gjithnjë sukses. Në shtator kënga do të përjetësohet edhe me një video muzikore kështu që mezi pres. ‘’Nostalgjia’’ përveç dëshirës për jetën gjithnjë do na sjellë nostalgjinë e një ndjesie apo kujtimi të bukur, dhe kjo e bën këtë këngë të pakohë.

– Si do të jetë kjo verë për Orgesa Zaimin ? Cilat janë planet , ku do ju shohim të angazhuar?

Deri tani vera ka qenë me angazhime dhe koncerte brenda rregullave dhe orareve të lejuara. Një video qe do vij shumë shpejt gjithashtu… dhe pushimet në jug me familjen pa të cilat s’bëj dot…

– Mes radios dhe muzikës, a është televizioni një karrierë që e aspiron?

Pas radios mendoj se është i natyrshëm kalimi në televizion, por do doja të vija me një projekt të bukur dhe origjinal për të vendosur edhe aty gjurmë. Por mendoj se kam kohë për të bërë këtë kalim, e kam një vend të sigurt që është radio, një dashuri pa kushte.

 

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *