DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Art & Culture

“Udhëtim mes yjesh”, libri për rrugëtimin profesional dhe personal/ Gjoka: Televizioni kërkon profesionistë të përkushtuar

Shpërndaje

”Libri “Udhëtim mes yjesh” është një rrëfim  i rrugëtimit tim profesional dhe personal, si dhe një pasqyrim i një udhëtimi që unë e nisa me shumë dashuri dhe ëndrra”.

Kështu shprehet në një intervistë për ATSH-në, Dhimitër Gjoka, spiker i lajmeve, drejtues programesh televizive prej gati gjysmë shekulli, që me tonalitetin kumbues të zërit dhe artikulimin e pastër të shqipes ka mbërthyer para ekranit teleshikuesit në edicionet informative të lajmeve, si para viteve ’90 edhe në vitet e demokracisë.

Gjoka, i cili për 45 vite me radhë ka prezantuar lajmet e ditës, drejton dhe sot po në RTSH revistën televizive.

Për të gjithë punën e madhe të 45 viteve në ekran, por edhe për jetën e tij përtej ekranit, Gjoka shprehet se “rruga ishte e gjatë, e vështirë por për fatin tim të mirë e mbushur plot ditë me diell  dhe netë plot yje të shndritshme, duke m’i lehtësuar kështu hapat e mi drejt shtigjeve të duhura. Ishin pikërisht këto shtigje nga ku unë do të ecja për të mbërritur pabesueshmërisht aty ku trokisnin ëndrrat e mia”.

“Thuhet se fati ndihmon guximtarët dhe guximi ishte një nga aleatët e mi. Unë vija nga një vend plot diell e det të mrekullueshëm, rrethuar me male madhështore në harmoni perfekte me natyrën. Ky sugjestion natyror të mbush me guxim e vetëbesim. Pra, Himara është në ADN-në time”, – u shpreh Gjoka.

Siç e kam theksuar edhe në libër, vijon ai, zanafilla ime nis nga ky vend i largët bregdetar, për të vazhduar në Vlorën e dashur të rinisë time e për ta mbyllur rrugëtimin e endrrës time në kryeqytetin e vendit tim, aty ku dhe endrrat e mia u bënë realitet.

“Kur zbrisja në det, Himara më ofronte amfiteatrin më madhështor të kësaj  bote, ndërsa kur ngjitesha në mal horizonti detar më magjepste. Këto janë imazhe unike që syri i çdo artisti do t’i kishte zili. Një mbrujtje të tillë rrallë e gjen në jetë dhe kur e merr brenda vetes e mban si nje aset të përhershëm brenda shpirtit, e për çdo gjë që mund të bësh në jetë, i thua vetes: a do t’i ngjaj sadopak asaj?!”, – thotë Gjoka.

I pyetur se çfarë i ka dhënë televizioni në këto 45 vite karrierë, Gjoka rrrëfen se “televizioni është një sipërmarrje e madhe mediatike që prodhon dhe emeton kulturë, etikë duke ravijëzuar identitetin kombëtar”.

“Ai kërkon profesionistë të përkushtuar, si dhe një  punë kolegjiale të koordinuar mirë për t’i shërbyer misionit të saj fisnik në raport me publikun. Pra dhe kontributi im në pjesën e dukshme të ekranit si moderator,  dhe të padukshme si regjisor ka qenë i lidhur ngushtë me kolegët e tjerë të stafeve të redaksive. Sigurisht në këtë bashkëpunim gjithsecili ka pozicionin dhe individualitetin e tij specifik, meritat si dhe vlerësimet e duhura”, – thekson Gjoka.

Në rrugëtimin e tij të gjatë në këtë  bashkësi mediatike Gjoka tregon se “jam ndjerë komod, jam ndjerë si në shtëpinë time. Televizioni më dha kënaqësi, njohje  dhe sigurisht  vlerësime kombëtare e ndërkombëtare, duke gëzuar privilegjin e të qenit njeri publik”.

Në karrierën e tij, Gjoka ka qenë regjisor i Rubrikës Sportive, lajmeve, dokumentarëve, telereportazheve e deri te spektaklet.

“Njohja si moderator lajmesh është ana e dukshme e ekranit, ndërsa përsa i përket regjisë je gjithmonë prapa kuintave. Unë kam ecur paralelisht sepse në televizion nuk mund të qëndrosh vetëm në një profil. Në regji kam realizuar që nga rubrikat sportive, lajmet, dokumentarët, telereportazhet e deri tek spektaklet. Por dua të veçoj këtu se regjia e filmit dokumentar me ka tërhequr më shumë, për vetë mundësitë shprehëse  që të jep si krijues. Siç ishte puna për realizimin e filmit “O JETO”, me skenar nga Roland Gjoza dhe kamera të Agim Kurit kushtuar nënave të Himarës. Ky film u vlerësua me çmimin ndërkombëtar  Lux Clarior në festivalin  e filmit në Assisi të Italisë. Një film i realizuar me shumë dashuri  dhe që më dha kënaqësi të madhe”, – nënvizon Gjoka.

Për shumë të rinj që dëshirojnë të bëjnë televizon, Gjoka shprehet se “shikoj mjaft të rinj të talentuar në ekranet tona që punojnë fort, plot pasion që kërkojnë ta “vjedhin” zanatin dhe të bëhen më të mirë se mjeshtrit. Për këtë më vjen sinqerisht shumë mirë dhe entuziazmohem për këto prurje të reja”.

“Sot sigurisht konkurrenca është edhe më e fortë, por mundësitë për të arritur suksesin , për të bërë atë diferencën, janë edhe më të mëdha. Në këtë profesion kaq të bukur nuk mjafton vetëm dëshira dhe pasioni, por kërkohet shumë punë individuale, disiplinë dhe përkushtim”, – thotë ai.

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *