DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

On the Cover Showbiz

EKSKLUZIVE/ Vilma Masha rrëfen mëmësinë- Si e ndryshoi Sea jetën time

Shpërndaje

Intervistoi : Fatima Gorezi / Fotografia: Anjeza Dyrmishi / Make Up Artist: Lela Sallon / Veshjet: Star Atelier, Jungle Humans,BSB Shop Albania / Çantat: Valerio Shop

Sea erdhi në jetë 9 muaj më parë dhe që nga ai moment gjithçka ndryshoi në jetën e Vilma Mashës, moderatores simpatike të sportit. Netë pa gjumë, mëngjese të hershme, instikte prindërore, dashuri pa limit, kënaqësi që duket se ngadalë-ngadalë marrin trajtën e kuptimit të vërtetë të jetës.

Vilma Masha vjen në këtë intervistë sa spontane, po aq edhe e kujdesur, elokuente, e sinqertë, e qeshur dhe lozonjare, pa asnjë grimë fshehtësie, ashtu siç në të vërtet është përcjellë prej kaq vitesh edhe te publiku, fansat, miqtë e largët dhe të afërt.

Mes rreshtash do të lexoni një rrëfim emocional të saj, po aq edhe pasionant, ëndërrak dhe realist që nxjerr në pah dimensionet e saj si njeri, femër, gazetare dhe tanimë si nënë.

Një parabolë për mëmësinë dhe dashurinë, për të kaluar më pas në botën e televizionit dhe gazetarisë. Një rrëfim mbi dashurinë e përjetshme të çdo prindi…FËMIJËN.

EKSKLUZIVE/ Vilma Masha rrëfen mëmësinë- Si e ndryshoi Sea jetën time 1 

Cila është jeta e re e Vilmës si bashkëshorte dhe si nënë?

Jeta ime ashtu si dhe e shumë njerëzve, pas martesës, sigurisht që ka ndryshuar shumë, me prioritete dhe impenjime të tjera. Një realitet i ri ku fjala vajzë zëvendësohet me fjalën grua, e cila ka detyrimet, përgjegjësitë dhe kënaqësitë e të qenit e tillë. Duke nisur nga rutina e mëngjesit, ku ti nuk je më vetëm, por je me bashkëshortin, dhe për të vijuar me pjesën tjetër të ditës, me punën profesionale e me punët brenda dhe jashtë shtëpisë. Ndërsa jeta si nënë, padiskutim që është e një tjetër dimensioni. Një lumturi e papërshkrueshme, një emocion i jashtëzakonshëm, një preokupim i vazhdueshëm, një botë tjetër. Sea është lumturia ime më e madhe, është drita që më ka ndriçuar shpirtin. Tani nuk ka më unë, por Sea, çdo gjë që ne bëjmë, mendojmë për të në radhë të parë; që nga vendimet më të rëndësishme për mirërritjen e saj e deri te shëtitjet që janë të pakonceptueshme pa Sean. Prioriteti ynë është Sea. Herë pas herë më vjen në mendje fjalia që shumë prindër kanë thënë e vazhdojnë të thonë: “ Është një ndjesi që nuk përshkruhet me fjalë dhe nuk e kupton dot nëse nuk e provon”.

Cili ishte mendimi i parë që ju erdhi në mendje kur morët në krahë Sean ?

Nuk kam menduar, kam qarë. Menjëherë pas lindjes mamia ma solli, për ta parë, e për t’i ndjerë aromën dhe thjesht kam qarë. Ndërsa kur e mora në krahë në dhomë, mendoja unë  e kam bërë këtë mrekulli, kaq e brishtë, e vogël, e ëmbël.

Cili ka qenë personi më suportues gjatë kësaj kohe ?

Familja është padiskutim e para, me të gjithë ndihmën dhe përkushtimin e saj. Dhe fjala familje nuk është një njeri i vetëm.

EKSKLUZIVE/ Vilma Masha rrëfen mëmësinë- Si e ndryshoi Sea jetën time 2Shtatzënia është një moment i lumtur dhe i veçantë në jetën e çdo gruaje. Si ka qenë për ju kjo periudhë, si e keni përjetuar?

E kam përjetuar shumë mirë të them të drejtën, kam qenë duke kryer aktivitetet normale të miat, që nga shkuarja në punë, në emision, xhirot me bashkëshortin dhe shoqërinë, takimet e përmuajshme me doktor Benin, e gjithashtu pa munguar në eventet e jetës publike ku jam shpesh e ftuar. Sea ka qenë një vajzë e mbarë gjatë 9-muajve, duke më krijuar pak shqetësime. Madje në fundjavë  unë kam qenë në transmetim live, duke prezantuar  emisionin “Gol Pas Goli”, pasi luhej derbi Partizani-Tirana dhe të enjten kam lindur vajzën. Megjithatë dua të theksoj që përgjatë 9 muajve kujdesi im ka qenë maksimal, që Sea të vinte në jetë e shëndetshme.

Netët e pagjuma, mëngjeset e hershme janë disa nga zakonet e reja më të shpeshta të mëmësisë. Çfarë ka ndryshuar në jetën tuaj, ardhja në botë e Seas? Ju ka ndryshuar si njeri, si femër, ju ka bërë më të ndjeshme?

Unë kam një raport special me gjumin, më saktë kam pasur. Unë e dua shumë gjumin, më pëlqen të fle mëngjeseve, duke qenë se dhe puna ime, si gazetare, si prezantuese nuk më detyron të jem herët në zyrë apo transmetim, pasi futbolli luhet në drekë dhe kryesisht në mbrëmje. Por me ardhjen në jetë të Seas, nuk ka më gjumë, nuk ka më orare, pasi dihet që bebet zgjohen shpesh natën për të pirë, zgjohen nga dhimbjet e barkut, për tu ndërruar, apo dhe për të luajtur. Përkushtimi ndaj vajzës është maksimal si gjatë natës ashtu edhe gjatë ditës, pra ka një rutinë të re. Ardhja e një fëmije në jetë patjetër që të ndryshon, të bën shumë më të ndjeshme, më të përgjegjshme , më të lumtur. Është një krijesë aq e vogël që ka nevojë 24 orë për përkujdesjen tënde. Ndjesia e një fëmije është katërcipërisht ndryshe nga ndjesitë e tjera, është padiskutim dashuria më e madhe.

Flasim pak edhe për karrierën. Duket sikur gjithmonë nga ekrani Vilma Mashën e shikojmë të flas vetëm për të tjerët. Po për veten ç ‘mund të na thotë Vilma? Si e ndjeni veten në këtë fazë të karrierës? A jeni ajo që kishit dëshiruar të ishit kur nisët këtë rrugëtim më shumë se 15 vite më parë?

Në këtë fazë, e ndjej veten vërtet shumë mirë, por gazetaria dhe televizioni janë në zhvillim të vazhdueshëm, ku ti duhet të rendësh, të mësosh e të japësh gjithmonë maksimumin tënd. Gazetaria është pasioni im dhe në fakt jam fat që e zhvilloj përditë pasionin tim. Nuk do të thoja që një vajzë  20-vjeçare di me ekzaktësi atë që do të arrijë në të ardhmen. Gjatë periudhës së shkollimit për gazetari, unë dija vetëm që doja të bëhesha gazetare dhe këtë e kam arritur. Pastaj dëshirat bëhen gjithnjë e më të mëdha, ashtu si oreksi vjen duke ngrënë. Puna në gazetë, e më pas në televizion për 15 vite mendoj që më janë shpërblyer. Unë drejtoj në Supersport në Platformën Digitalb emisionin “Gol Pas Goli” prej 9 vitesh, që ishte risi për kohën e vazhdon të rritet e të përmirësohet gjithnjë e më shumë, duke i ofruar sportdashësve, kryesisht atyre të futbollit, atë çfarë ata dëshirojnë, që nga ndeshjet live, golat, informimin, intervistat ekskluzive, rrëfimet personale, dhe diskutimet me profesionistë e aktorë të fushës së blertë. Megjithatë 15 vite në gazetari, janë pak, pasi është një profesion që për fat të mirë, nuk shteron asnjëherë e ku ti mund të bësh gjëra të bukura dhe të këndshme për ata që të ndjekin.

Nga pikëpamja e njeriut dhe gazetares që e sheh karrierën fort të lidhur me televizionin si medium, si e shihni tregun e mediave televizive në Shqipëri?

Kjo është një pyetje komplekse, përgjigjen e se cilës mund ta shtrojmë në disa këndvështrime. Së pari, tregun e mediave e shoh deri diku të përmirësuar, gjithmonë në evoluim për të sjellë gjëra te reja, por jo gjithmonë të suksesshme. Së dyti, më pëlqen që nuk është aq kaotik si dikur, idetë për projekte televizive apo emisione janë më të qarta, më të mirëmenduara, më të studiuara në atë se çfarë do të servirin për publikun. Së treti, kuptoj që jemi në gjendje të krijojmë programe pa qenë e nevojshme të kopjojmë shëmtuar formatet e huaja. E në fund është audienca dhe kjo në klasifikime te ndryshme që vendos se çfarë preferon të shohë në ekranin e madh.

Cila është këshilla që do i jepnit vajzave të reja që aspirojnë televizionin? 

Nuk para më pëlqen të jap këshilla, por ajo që do i thoja, të punojnë fort për ëndrrat e tyre dhe nëse rrëzohen, të gjejnë forcë te ngrihen përsëri pasi vetëm nëpërmjet përpjekjeve të vazhdueshme mund të realizojnë atë çka dëshirojnë. Por edhe pak fat duhet.

Cili është perceptimi i parë që ju vjen kur dëgjoni fjalën ‘gazetare’, ‘gazetare sportive’?

Kthej menjëherë kokën për të parë kush është.  Instiktive 🙂 Si në çdo profesion edhe në gazetari i kemi të shumtë ata që mbajnë, apo i vendosin vetes këtë titull. Nuk paragjykoj, më pëlqen t’i shoh, se çfarë ofrojnë. Në këtë botë ka vend për të gjithë.

EKSKLUZIVE/ Vilma Masha rrëfen mëmësinë- Si e ndryshoi Sea jetën time 4Shqipëria është një vend ne tranzicion, një vend që me shpejtësi, mbase edhe pak rrëmuje është në ndryshim te vazhdueshëm. Si gazetare me një njohje të realitetit dhe jetës sociale, a jeni ju sot një nënë e shqetësuar?

Kur dëgjoj ende fjalën tranzicion, acarohem vërtet, si mund që një vend me rreth 30 vite demokraci të jetë ende në tranzicion?! Një periudhë shumë e gjatë, për të qenë një vend europian si Shqipëria, por që për nga problematika vështirë të ngjajë i tillë. Jam e shqetësuar për disa aspekte të jetës sociale qe besoj i prekim të gjithë në përditshmëri.

Çfarë ëndrre keni për Sean?

Dëshiroj që rritet e shëndetshme, dhe e lumtur. Kjo është e para, ndërsa për me tej të them të drejtën nuk kam menduar, po shijoj në maksimum çdo fazë të saj. Por edhe në të ardhmen nuk do të doja që unë t’i imponoja  asaj ëndrrat apo dëshirat e mia. Por më duket shumë shpejt për te folur për këtë pasi Sea është vetëm 9-muajshe.

Së fundmi, a kemi plane për shtimin e familjes?

Ha ha ha. Kjo është një pyetje që u bëhet shpesh nënave të reja. Përgjigja që unë jap duke buzëqeshur është,  a ta rris pak Sean, se është bebe. Në të ardhmen nuk e di se çfarë mund të ndodhë.

 

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *