DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Star Tourism

Vjeshtë në Romë…!

Shpërndaje

Shumë nga ne kërkojmë të arratisemi nga puna apo nga ambientet e familjes për një periudhë sado të vogël. Do të ishte bukur të ndërmerrnim një udhëtim në një destinacion që të fal qetësinë dhe kënaqësinë njëkohësisht. Sigurisht që në sezonin e vjeshtës më së shumti sugjerohen vende të profilit kulturor dhe panoramik, që mund të gjenden në Shqipëri dhe jashtë saj. Por në këtë rast kemi vendosur t’ju sugjerojmë padyshim një nga vendet më të bukura të të gjitha kohërave…ROMËN.

Roma është një qytet i pasur me histori, kulturë dhe dëshmi arkeologjike ndër më uniket në botë; një destinacion shumë interesant dhe i lakmuar për t’u vizituar nga njerëz kureshtarë nga çdo pjesë e planetit.

Roma është një qytet që nuk është ndërtuar në një ditë të vetme. Kjo shprehje e justifikon edhe faktin se për ta parë dhe eksploruar Romën ju duhen disa ditë. 

8 atraksionet që nuk duhet t’i humbisni në Romë 

Colosseo. Është padyshim një nga monumentet më interesante në botë, një dëshmi e lashtësisë dhe identiteti i qytetit të vjetër. Romanët shkonin aty për të parë garat midis gladiatorëve dhe kafshëve të egra apo simulimet e betejave detare.  

Ndërtimi i Colosseo-s filloi nga perandori Vespasiano, themeluesi i  Dinastisë Flavi. Tito, i biri i Vespasiano-s, i shtoi strukturës edhe dy rreshta për spektatorët dhe shpalli 100 ditë lojëra. Colosseo është ende një nga monumentet më të rëndësishme dhe përfaqësuese të Romës, që imponon praninë e tij madhështore në qendër të qytetit. 

Pantheon-i. Me kupolën dhe kolonat e tij është një nga monumentet më të njohura romake. Sipas një legjende, ai lind nga pika ku Romolo në momentet e fundit të jetës, u kap me thonj nga një shqiponjë dhe u dërgua në qiell. Tempull i dedikuar të gjithë Perëndive (Pan-të gjitha, Theon-perënditë), u ndërtuar nga perandori Adriano në vitet 118-125 pas Krishtit. 

Fontana di Trevi. Shatërvani i famshëm, pjesë e shumë filmave dhe historive është një nga më të famshmit, ku gjithsecili shpreh një dëshirë dhe hedh një monedhë duke shpresuar se ajo do të realizohet. I projektuar nga arkitekti Nicolo Salvi, shatërvani i Trevi-t merr ujë nga ujësjellësi Vergine që nga kohët e perandorit Augusto. 

Piazza Navona. Është një nga sheshet më të dashura për romanët dhe turistët, vendi ideal për të pushuar,  duke qëndruar të ulur në tavolinat e bareve midis skulpturave dhe arkitekturave baroke. Piazza Navona lind në vendin e stadiumit antik të Domiziano-s, ja pse ka formë ovale. Në shesh mund të admironi edhe një punë nga Bernini, Fontana dei Quattro Fiumi, ose Ganges, Danubi, Rio della Plata dhe Nili. Secili prej tyre përfaqësohet nga një gjigant i vendosur në një gur piramidal, mbi të cilin ka edhe një obelisk romak.

Muzeumet e Vatikanit. Vatikani zyrtarisht është shteti më i vogël në rruzull. Ka një sipërfaqe 44 hektarë dhe një popullsi 805 banorë. Ai ndodhet në Romë dhe dallohet sidomos për numrin e lartë të turistëve kureshtarë për ta vizituar dhe mësuar më shumë rreth historisë së tij. Në muzeumet e tij të famshme gjenden galeritë e arteve me veprat e Raffaelo, Caravaggio dhe Leonardo da Vinçi.

Në këtë vend mbahen vepra të rëndësishme dhe të çmuara të antikitetit, nga kohët greke dhe romake, si Lacoonte, Apoxyomenos dhe Apollo të Belvedere, por edhe shembuj të artit egjiptian dhe etrusk.

Altare della Patria. Është një monument i ndërtuar për të nderuar mbretin Vittorio Emanuele II. Është një monument simbol jo vetëm i identitetit kombëtar të Italisë, por edhe atij artistik e kulturor.

Terme da Caracalla. CaracallaIt është e njohur pasi romakët i donin banjot dhe përdornin çdo vend ku kishte një burim uji të ngrohtë. Banjot publike ishin i vetmi “luks” për të gjithë, jo vetëm të pasurit. Banja e Caracalla ishte një vend, i frekuentuar kryesisht nga njerëzit që mund të gëzonin këto ndërtesa elegante që janë ruajtur pothuajse të paprekura deri më sot.

Bazilika e Shën Pjetrit. Ndërtesa nuk është vetëm një nga shembujt më të mrekullueshëm dhe më të rëndësishëm të arkitekturës italiane, por është gjithashtu një nga vendet simbolike të krishterimit. Bazilika gjithashtu përfshin kryeveprat e bukurisë së rrallë, të krijuara nga artistët më të rëndësishëm të Rilindjes Romake dhe Barokut, siç është Pieta e Michelangelo, Cattedra di S. Pietro dhe Baldacchino nga Bernini.

Kulinaria dhe pak shije romake

Makaronat, salca e domateve dhe djathi i deles e bëjnë pjatën “bucatini all’amatriciana” një nga pjatat hiperkalorike numër 1, por jia vlen një herë në jetë. Kjo recetë origjinale lind nga Amatrice, një qytet i krahinës së Lazio-s, ku këto makarona ishin pjata tipike e barinjve dhe malësorëve të Apeninit Qendror. Më pas u shpërnda si recetë në të gjithë Italinë. 

Sikurse ndodh gjithmonë në artin kulinar, edhe kjo recetë ka pësuar ndryshime, të lidhura shpesh me shijet personale, që kanë sjellë në evoluimin e kësaj recete, por pa e prekur shijen e saj bazike. Nisuni nga bucatini, por mos humbni edhe të gjitha pjatat e tjera tradicionale romane, si spaghetti alla carbonara, që me sa thuhet, ishin racionet e ushqimit të përditshëm të aleatëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *