DUKE U NGARKUAR

Shkruaj për të kërkuar

Art & Culture

Ylljet Aliçka – Një libër për ‘’ Tiranën në dy kohë ’’

Shpërndaje

Nga Fatima Gorezi

“Metamorfoza e nje kryeqyteti” është libri më i fundit i prof. Ylljet Aliçkës. Një libër i jashtëzakonshëm ku ndërthuren disa fate personazhesh, frymëzuar nga një histori e vërtetë, ku zbulohen dy botë, ajo e Tiranës gjatë regjinit komunist dhe kryeqytetit pas regjimit. Një qasje e rrallë origjinale dhe njerëzor, që të zhyt dashur pa dashur në mendime dhe të zgjon interes.

‘’Mes dy kohësh të ndara si me thikë, diktaturës dhe demokracisë, ka një kohë të ndërmjetme, ku secili përpiqet të gjejë dhe të ruajë pozicionin e duhur mes gjurmës që duhet lënë në histori dhe autocensurës për të ruajtur kokën. Mes kësaj pasigurie që nuk dihej ku anonte, ndokush e ka gjetur veten në një fazë tranzicioni shpirtëror. ‘’- shprehet mes të tjerash autori në këtë intervistë për ‘’Star People’’.

“Metamorfoza e një kryeqyteti” është botimi juaj i fundit. Cili është boshti i subjektit të librit? Cili është ky ‘kryeqytet’ që kalon në këtë fazë metamorfoze dhe a është ky proces një lloj metamorfoze pozitive…?

Një kryeqytet në diktaturë ka vlerat dhe antivlerat përkatëse, që e dallojnë atë nga po ky kryeqytet në mungesë diktature.Tirana gjithashtu nuk bën përjashtim nga ky rregull,ajo mbart shenjat përkatëse në përditshmërinë, mendimet, sjelljet, referencat e saj intelektuale, kulturore dhe mënyrën e jetesës së kryeqytetasve, duke kushtëzuar kështu frymën dhe shpirtin e qytetarëve të saj.
Metamorfoza e një kryeqyteti ka për objekt shndërrimet e ndërgjegjshme apo të pandërgjegjëshme të njerëzve të saj, pasi ndryshimet në marrëdhëniet sociale ndryshuan edhe karakteret dhe moralin e njerëzve. Njerëzit e bëjnë vetë shndërrimin, të konvertuarit, edhe pse s’i lë e kaluara, sipas parimit : jo t’u shërbejnë ndryshimeve, por ndryshimet t’u shërbejnë atyre.

Ndaj shpesh mes dëshirës për të lënë gjurmë dhe ‘parzmores’ që të shpëtonte jetën, heshtjes, ka fituar kjo e dyta. Ka ende një debat të madh në vendin tonë mbi atë se çfarë ishte disidenca, a pat disidentë dhe a mund të kishte në kushtet e Shqipërisë.

Si ka evoluar shoqëria shqiptare nga diktatura në post -diktaturë? Si ka ndryshuar “kryeqyteti” nga diktatura në post-diktaturë?
Them se vazhdon ankthi ekzistencial për të qenë vazhdimisht me fitimtarët, gjë që solli aftësinë për përshtatje, konvertimin demokratik, amoralitet dhe mendje të mbyllura e shpirtra shterpë.
Në lidhje me jetën e intelektualëve në një sistem diktatorial rumuni Mihai Botez thotë se “ekziston një koncept i trishtë, por i vërtetë që quhet ‘arti i të mbijetuarit’, nën diktaturën komuniste, madje në një mënyrë dinjitoze, i cili përfshin kombinimin e nënshtrimit të kalkuluar, kritikën e vetëkontrolluar, mbajtjen taktike të një profili të ulët dhe përdorimin me inteligjencë i mundësive”.
Për pasojë dhe kthesa e tyre me shndërrimet e sistemit, pas rënies së perandorisë komuniste, është sa grotesk i trishtë, po aq edhe dëm social në klimën e tranzicionit. Mes dy kohësh të ndara si me thikë, diktaturës dhe demokracisë, ka një kohë të ndërmjetme, ku secili përpiqet të gjejë dhe të ruajë pozicionin e duhur mes gjurmës që duhet lënë në histori dhe autocensurës për të ruajtur kokën. Mes kësaj pasigurie që nuk dihej ku anonte, ndokush e ka gjetur veten në një fazë tranzicioni shpirtëror.
Përtej kësaj tabloje të thatë, jetët njerëzore lëkunden, karakteret tkurren, individët zhbëhen dhe shoqëria e lindur dhe e rritur në frikë, trembet të shikojë portretin e vet në pasqyrë.

Duket sikur libri trajton jo thjesht një ngjarje të vetme, jo veç fatin e një personazhi, por fatin e disa personazheve përnjeherësh, një tërësi dukurish që kanë qenë apo janë realitet i jetës së një shqiptari të zakonshëm. Çfarë është ky libër për brezat që kanë jetuar në sistemin diktatorial? Po për brezat e rinj?
Kjo është e vërteta ime për të dy kohët, pa pretenduar që brezi im apo të rinjtë e sotëm të jenë dakort me mua. Realiteti i një kohe a një vendi njihet më mirë në fatin dhe jetën e përditshme të banorëve të saj.

Çfarë është ‘morali’ në librin tuaj?
Përpiqem që në librat e mi mos bëj dukshëm moral, duke ruajtur njëfarë distance, apo të themi neutraliteti, duke i lënë kështu lexuesit lirinë e të kuptuarit. Kjo ndofta është një mënyrë e tërthortë e të bërit moral. Pra nëse flasim për këtë moral të tërthortë kam bindjen se çdo shkelje, padrejtësi, amoralitet, qoftë ky në nivel individual, të një grupi shoqëror, politik a ekonomik, vishet ndërgjegjshëm apo pandërgjegjshëm me koracën e moralit të mirë, pra sikur i sjell dobi vendit dhe shoqërisë, e që nuk ka të bëjë aspak me interesat e ngushta fitimprurëse apo të dominimit të një individi a një grupi mbi të tjerët.
Eshtë vërtet e prekshme në kohë tranzicioni aftësia e individit apo grupit për tu vetgënjyer, a përligjur moralisht çdo mendim, veprim a sjellje që ka të bëjë me interesat e tija të ngushta.

Çfarë e ka nxitur këtë libër? Çfarë ju intrigoi që të sillnit një subjekt të tillë, në një kohë ku kemi afro 30 vjet periudhë tranzitore; një periudhë e cila për hir të së vërtetës shfaq shumë probleme e pakënaqësi.

Sfidat, dilemat, ulje-ngritjet e tranzicionit demokratik, gjurmët e së kaluarës, të cilat i gjejmë në mendimet, sjelljet dhe emocionet e njeriut të sotëm, thënë ndryshe këndvështrimi im për të njohur e kuptuar individin e sotëm shqiptar, synim ky që e ka çdo shkrimtar, por që secili e prek sipas natyrës së tij, pra sipas përjetimeve vetjake…

Duke parë zhvillimin dhe procesin nëpër të cilin ka kaluar Shqipëria në këto afro 30 vjet; a jeni ju sot një intelektual i shqetësuar?
Më saktë do të thosha i pasigurtë se ç‘mund të sjellë e ardhmja. Personalisht përpiqem t’i shmangem mendimit absolutist, befasive, paragjykimit apo të vërtetave të pranuara.

Lër një Koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *